“Nuk mund të rrimë të mbyllur pa turizëm”/ Plazhet do të jenë masivisht publike

15 Maj, 2020 || 577 views

Nga Gjergji Mima 

TIRANË, 14 maj/ATSH-Gjergji Mima/ “Hapja e turizmit është një risk për t’u marrë, sepse ne nuk mund të rrimë të mbyllur pa turizëm”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive.

“Kemi tani nevojë të shohim dhe për pak ditë dinamikën e numrave. Gjithmonë numrat, numrat, numrat, e përsëris. Pavarësisht se mund t’i kem ardhur në majë të hundës shumë njerëz që më dëgjojnë, që janë madje dhe dashamirës, por fakti është fakt dhe ne duhet të mos rrezikojmë përtej arsyes”, – u shpreh Rama.

“Hapja e turizmit është një risk për t’u marrë, sepse ne nuk mund të rrimë të mbyllur pa turizëm. Nuk rrimë dot. Por ama, marrja e këtij risku, do të thotë që të gjithë të jenë të vetëdijshëm që duhet të bëjnë çmos që të respektojnë ato pak rregulla që janë”, – tha Rama.

“Unë nuk dua që të bëjmë, për shembull një protokoll të stërndërlikuar, siç e kanë bërë disa vende të tjera. Unë jam i bindur që me gjithë respektin vendet mesdhetare kanë bërë protokolle të ndërlikuara, jo 7 metra çadra nga çadra, jo shezlongë, jo pa shezlongë. Ne nuk duam të bëjmë protokolle të ndërlikuara se nuk do bëjmë tani plazh me policë dhe me ushtarë që do të vijnë të thonë e ke kaq metra apo aq metra, e me gjoba, e me historira. Ne duam mirëkuptimin e popullit shqiptar, mirëkuptimin e qytetarëve që secili të bëjë të vetën”, – u shpreh Rama.

Ndërkohë theksoi Rama, “një gjë është e sigurt dhe po e lajmëroj sot, dhe do t’u pëlqejë shumë shqiptarëve kjo. E solli rasti nuk do të lejojmë më asnjë kontratë private për shezlongë dhe për çadra, përveç hoteleve. Hotelet kanë turistë, kanë vizitorë, ata kanë kuadratin e tyre, mund të vendosin sipas rregullave që do kenë”.

“Do ketë plazhe të lira publike dhe do bëjmë plazh siç bënim dikur kur ishim të vegjël ne të dy, kur shezlongë nuk kishim dhe akomodoheshim me ato mjetet rrethanore, dhe nuk ishte se ishte keq fare. Nga kjo pikëpamje plazhet do të jenë masivisht publike. Nuk do ketë më njerëz që u dalin me hunj e me dhëmbë të prishur atyre që shkojnë, vajza e djemve të rinj apo familjeve dhe u thonë paguani 10 euro këtu që të futeni këtej, apo paguani 20 euro që të dilni andej. Plazhet do t’i kenë shqiptarët”, tha Rama. /r.e/