Një muze ilir në Tiranë, për kulturë dhe argëtim

September 20, 2020 || views

Le ta themi hapur: shumica e turistëve të rinj nëpër botë mendojnë se muzetë janë të mërzitshëm, vende të përshtatshme për pleq, ku ekspozohen objekte të vdekura e që përveç informacionit ose pasurimit me kulturën e vendit, nuk ofrojnë asnjë lloj argëtimi. Kjo është parë në shumë sondazhe ku të rinjtë pyeten se ku duan të shkojnë më shumë dhe muzetë janë ndër vendet më pak të preferuara.

Po sikur t`ju ofrojmë një mënyrë argëtuese për të vizituar një muze? Me muzikë, argëtim, mikpritje, njerëz të gjallë e të gëzuar, që informacionin për muzeun në fjalë dhe objektet e ekspozuara, t`jua ofrojnë të shoqëruara me pije dhe muzikë? Një bar-muze? Tirana është e njohur tashmë për ofrimin e bar-muzeve, madje prej tyre është listuar shpeshherë edhe në vendet e para të klasifikimeve botërore për destinacionet “trend” që duhen viztuar patjetër. Le ta vazhdojmë këtë traditë të bar-muzeve me një të ri, krejtësisht original që në dukjen e parë.

Një muze-pub. Edhe pse moda e pub-eve është tashmë shumë e përhapur në Shqipëri, pikërisht për këtë duam t`ju ofrojmë një të ndryshëm. Një pub apo vend argëtimi shqiptar. Madje ilir. Krejt si vendet e argëtimit në lashtësi, ku ritet pagane festoheshin që përditshmëri. Është Illyrian Saloon. Ju kemi folur për të. Tani duam t`jua ofrojmë si destinacion për të mos u humbur nëse jeni në Tiranë ose nëse e vizitoni kryeqytetin. Është pa frikë një muze i lashtësisë, ku reliket e kohëve të shkuara flasin me gjuhën e historisë së vërtetë e jo si mjete thjesht ilustruese.

Por jo vetëm kaq. Tradita dhe historia vjen e gjallë, sepse ritet e vjetra janë ringjallur përmes festimeve dhe ushqimit, që gjithashtu serviret si në kohët e lashta. Bukë, ullinj, verë, fruta, mish. Natyrisht edhe elementë të kohëve moderne përzihen me atmosferën dhe mikpritjen sidomos. Mjedisi është ndërtuar në mënyrë të tillë, që të të japë kënaqësi e stimul për të shijuar çaste të paharrueshme. Atmosfera është familjare e shoqërore, që edhe të argëtohesh edhe të mësosh për zakonet e vjetra, që vijnë përmes festave të vjetra ilire si Buzmi, Mesvera, etj.

 

Muzika, nuk është thjesht melodi shoqëruese, është filozofi që ndjek ritmin e traditës. Natyrisht kulturat përzihen, ashtu siç kanë bërë popujt ngahera me njëri-tjetrin. Prandaj festohen shumë kultura, të organizuara si “Nata ilire”, “Nata italiane” por edhe “Western Night” “Back to `90-s” për nostalgjikët e atyre viteve etj. Nuk e dimë sa arritëm t`jua përcjellim faktin që “Illyrian Saloon” nuk është pra, një “pub” i thjeshtë. Ata që e kanë ndërtuar, kishin ndër mend një tempull ilir, ku veç historisë, traditës, riteve të vjetra e zotave të Ilirisë, të vinte edhe fryma e njerëzve që duan të bukurën, artin, vlerën muzeale e sidomos që e duan jetën dhe duan ta transmetojnë dashurinë e saj për të edhe tek mysafirët e sallonit të tyre.