Nermini, vajza që “qëndis” muret e Shkodrës

August 26, 2020 || views

Flora Xhemani Baba

Sa herë që shoh Nerminin në foto, teksa punon mbi “muralen” e radhës, s`di pse më vjen në mendje një episodth i filmit “Nusja dhe shtetrrethimi” , ku dy plaka bisedojnë pas një atentati: “Thonë se ia nëmëroi mu në ballë ajo vajza që qëndis muret”, duke patur parasysh Shpresën (Raimonda Bulkun), ilegalen që shkruante parrulla kundër fashizmit dhe vizatonte yje nëpër mure. Krahasimi është krejt i zbehtë në fakt por nëse flasim për një vajzë që qëndis muret, ai qëndron.

 

Ah, nuk jua thashë kush është Nermini?

Është një vajzë simpatike në gjitha kuptimet, me një humor të hollë, tipik shkodran, që ndihet edhe përmes koracës së ftohtë të Fejsbukut, të cilin ajo e përdor me shumë elegancë e batuta të kripura. Me siguri miqtë e saj të afërt e çmojnë shumë për këtë dhunti por ne nuk do të donim të ndaleshim këtu. Sepse duam t`ju tregojmë një tjetër dhunti të saj: pikturën.

 

 

Do thoni ju, vajza piktore ka plot, ku qëndron e veçanta? Ashtu është vajza piktore ka plot dhe të talentuara por rrallë ose aspak ka vajza që pikturojnë murale. Ajo mund të jetë ndoshta e vetmja vajzë që merret me këtë lloj arti, që duhet thënë se po bëhet shumë “trend” kohët e fundit. Të gjithë shohim se si po mbushet Tirana me piktura të mëdha nëpër faqe pallatesh të vjetra e të reja, që mëtojnë të mbulojnë disi zymtësinë e betonit me ngjyra dhe gëzim. Madje qytete të vogla si Patosi, Ballshi ose Kuçova po përpiqen të identifikohen përmes këtyre pikturave moderne.

 

E pra, këtë mision për qytetin e Shkodrës, e ka “marrë përsipër” Nermini, prej shtatë vjetësh tashmë. Dhe po të shkoni në Shkodër, tani nuk duhet të vizitoni vetëm rrugët kryesore e “pedonalet” por edhe rrugicat e disa lagjeve, fasadat e disa shkollave, madje edhe në zona të ndryshme rurale, do të shihni t`ju buzëqeshin plot dritë e ngjyra motive floreale, zogj shumëngjyrësh, “biblioteka” plot me librat e fëmijërisë e jo vetëm, flutura gjigande që as Tropiku nuk i ka e plot kompozime të tjera, që kanë lënë tej zymtësinë e ftohtë të betonit dhe kanë mbushur me jetë muret e Shkodrës.

 

Po pse ky pasion? Asgjë sekrete dhe e jashtëzakonshme. Ajo ka filluar të vizatojë qysh në moshën dyvjeçare, ashtu siç kanë bërë para saj i ati, hallat, si talente të lindur në pikturë por edhe si profesionistë, pasi babai ishte mësues vizatimi. Pra, dardha nën dardhë. Edhe pse shkollën e lartë e ka kryer për ekonomi, duke mos dashur të jetë e varur prej artit, shpirtërisht ajo është varur prej tij.

Megjithatë, çdo dardhë ka edhe individualitetet e veta. Kështu Nermini ishte e para vajzë që gati një dekadë më parë, solli në Shkodër tatuazhet jo të përhershme, realizuar me këna`, shumë të njohura e të përdorura në botën e grave orientale. Paralelisht me këtë, zuri të “qëndiste” muret, në fillim nga dëshira për të zbukuruar disi një mur të vjetër e mandej për pasion e dëshirë. Më vonë edhe për porosi. Sepse tashmë shumë kopshte e shkolla duan që muret e tyre t`i qëndisë dora e Nerminit.

 

 

Dhe e dini ku qëndron e bukura? Që nuk mund të bëhen dy njësoj. Prandaj në gjykimin tonë, ia vlen të bëhet një vizitë në secilën prej tyre, si një tur i veçantë. Sepse do të keni mundësi të shijoni jo vetëm fantazitë e Nerminit por edhe përshtatje të pikturave me famë botërore, si për shembull “Puthjen” e Klimtit me motive shqiptare, që është një prej veprave më të bukura që vajza ka nxjerrë nga duart gjer më sot.

 

   

Dhe një vajzë që e don të bukurën nuk ka si të mos jetë e lidhur ngushtë me natyrën, prej nga frymëzohet për muralet e saj. Nëse do t`ia rreshtonim pasionet, i dyti në radhë, menjëherë pas pikturës, është zbulimi i natyrës ose siç na pëlqen t`i themi në gjuhën e sotme ‘hiking”.

 

Prej vitesh tashmë Nermini “merr malet” në kuptimin e parë të fjalës dhe bëhet njësh me to, duke marrë me vete jo vetëm oksigjenin por edhe muralen e radhës, që e ka qëndisur fillimisht në mendje. Tani kjo “procedurë” është bërë jetike e duket sikur nuk pikturon dot më nëse nuk del në natyrë. E përsa kohë do të vazhdojë ky binom, Shkodrës do t`i shtohen lulet e zogjtë, jo vetëm nëpër bahçet ku pikojnë lulevilet, shermashekët, luleborat e ku erëmojnë karajfilat e drandofillet por edhe nëpër mure ku betoni i ftohtë do të “lulëzojë” nga duart e vajzës që “qëndis” muret, jo me V-F-L-P por me shpirtin e saj dhe me shpirtin plot ngjyra të Shkodrës artiste.