Nëpër vreshtat myzeqare me shije “Albanica”

Gusht 7, 2020 || 348 views

Jemi mësuar që verën në Shqipëri ta kërkojmë në Kallmet, në Shesh, në të gjithë pellgun Tiranë-Durrës, që e quajnë shpeshherë edhe një Toskanë të dytë, jo vetëm për nga bukuria dhe ngjashmëria e relievit por edhe nga numri i lartë i kantinave, dhe përvoja e tyre tashmë e konsoliduar.

Por a e keni provuar ndonjëherë verën e vreshtave të Myzeqesë?
Nëse jo, ejani me ne në këtë udhëtim virtual e përmes kësaj përvoje, shkoni të shijoni tuajën, atje, në Libofshën e bukur, mes Fierit e Lushnjes, pranë Ardenicës e manastirit që shumëkush prej jush e njeh si vendi ku Skënderbeu vuri kurorë me Donikën.

E kush nuk i do historitë e bukura? Një të tillë do t`ju tregojmë sot, për Dritan ëndërrimtarin, siç e quajti njëra prej vajzave të grupit tonë të kësaj aventure, i cili la Anglinë ku kishte jetuar 22 vjet, për t`u bërë vreshtar në Libofshë. Vreshtat njëzetvjeçare të familjes, rritjen e të cilave ai e përcillte me merak prej së largu, e shpesh, edhe duke ardhur e duke i parë e përkëdhelur nga afër, ishin gati më në fund, për të ndërtuar atë që kishte ëndërruar gjithmonë; një kantinë vere.

Rrushin e rritur me aq merak, në mënyrë organike, drejt e në fermentim e mandej, drejt e në tavolinë. Dhe ia doli. Prodhoi verë për kokë të verës! I vuri edhe një emër për kokë të emrit; ALBANICA. E pëlqyen gjermanët dhe ia rrëmbyen direkt, për në vendin e tyre! Por nuk e dha të gjithën. Edhe shqiptarët duhet ta shijonin “Cabernet Sauvignon-in” e dhe “Merlotin” e vreshtave myzeqare…

Tokën e tij mbi Libofshë, nuk e mbolli ashtu kot me vreshta Dritani. Edhe dikur ka qenë vresht, terren i studiuar me analiza për mbarështim të shëndetshëm të rrushit që e puth dielli në perëndim dhe e ngop flladi që vjen tutje nga Adriatiku. Sepse nuk mjafton bukuria e vreshtave, që shtrihen sa të ha syri, deri poshtë në Liqenin e Lumarës, ku tutje nën selvi struket Shëngjergji treqindvjeçar i Libofshës. Panorama mbi vreshta e tutje vreshtave, është një kartolinë me bukuri të rrallë, peisazhi i të cilës ndryshon vazhdimisht, sipas nazeve të ditës e të stinëve. Asnjëherë njësoj.

 

Prandaj dhe i zoti i shtëpisë e braktisi përgjithmonë Perëndimin, se thirrja e tokës ishte më e fortë dhe joshja e punës, më e madhe se ajo e parasë. Sepse ka punë që nuk të lodhin, nëse i bën me dashuri.
Dhe me dashuri punon e gjithë familja. Prindërit e Dritanit, Todi dhe Drita, janë shpirti i fermës. Ata u kujdesën për të mos e lënë këtë tokë djerrë, ndërkohë që vreshtat rriteshin dhe Dritani ishte në emigrim. Ata janë dhe ndihma e tij kryesore, pa të cilën nuk do të kishte arritur dot asgjë. Duart e nënës Dritë i gatuajnë byrekët e shijshëm dhe bukën me grurë vendi që turistët shijojnë në kantinë. Ata kujdesen për tokën, për bimët, për gjënë e gjallë por edhe për të pritur turisët me buzën në gaz e fytyrëqeshur.

Parajsë përmbi kodra

“Albanica” është një parajsë e vogël “fshehur” nga sytë e atyre që vijnë të vizitojnë Manastirin e Ardenciës. Aty ku rrugët ndahen dhe ajo majtas të çon në manastir, djathtas, në dy degëzime të tjera, ai i lartmi, mes pishave që krijojnë një tunel të gjelbër, të çon tek Albanica. E të shijosh çdo copëz rruge se një thesar është. Aty zë fill pylli që zbret deri poshtë në qendër të fshatit e freskon gjithë kodrën edhe në pisk të vapës. Bukuria përreth të merr mendtë. Në një anë manastiri e në atë tjetër kishat e Libofshës. Në një anë Myzeqeja e pamatë e më anë tjetër Adriatiku . Në mes, Albanica, që mëton të jetë më shumë se një kantinë. Ndaj Dritani ndërtoi një restorant të vogël me gatime shtëpie, të gjitha nga kopshti, që e rrit me pekule e gjithë familja, bashkë me vreshtat. Madje i pajisi edhe me një konak për të fjetur, për miqtë, që nuk duan të largohen aq shpejt, se e dashurojnë magjinë e diellit që ikën teposhtë, dhe ua shndërron në poezi verën e gotës që po shijojnë mbi verandë.

Mos harroni vajin e ullirit

A e dini se vaji i ullirit që “Albanica” prodhon nga ullinjtë e saj është pikë e flori? Ju mund të përfitoni nga rasti e të merrni ndonjë shishe me vete por para se ta merrni, shijojeni njëherë përmes gatimeve të restorantit, në sallatërat e shumta ose thjesht me bukë ullinjsh e me djathë të bërë vetë, në “Albanica”.

 

Ture rreth vreshtave

Po ju? Çfarë mund të bëni tjetër ju, nëse vini për të shijuar një gotë verë tek vreshtat e familjes “Prifti”? Ne e përjetuam një ditë që vështirë se do ta harrojmë e që gjithashtu vështirë se mund ta përsërisim njësoj. Po për këtë janë përvojat, që të mbeten unike. E sidomos sepse secili i jeton në mënyrën e tij.

Megjithatë, fillojeni me një vizitë në manastirin e Ardenicës, për një mbushje shpirtërore e përmbushje estetike, mes magjepsjes mesjetare. Pastaj një vizitë në vreshta, ku Dritani ju flet për historikun e tyre dhe ju përgatit një tryezë degustimi me tre llojet më të mira të verërave të tij, të bardhën, të kuqen dhe rozenë, shoqëruar me delikatesa shtëpie e jo konfeksione të gatshme siç mund të gjeni rëndom gjetiu. Bukë të bërë vetë, me ullinj, djathë nape, gjalpë të freskët, domatet e vogla si një ylber shijesh e ngjyrash, perimet e kopshtit, frutat sipas stinës, kajsitë në pranverë, qershitë në qershor, shalqinin e pjeprat në korrik e gusht, mollët e ftonjtë në shtator…

 

Pastaj nëse doni, bëni një shëtitje të gjatë nëpër shtegun që të çon poshtë në liqen dhe në kishën e Libofshës, atë më të bukurën, Shëngjergjin. Nuk mund ta humbisni këtë thesar por nëse keni kohë për të shpenzuar, dijeni se Libofsha ka plot pesëmbëdhjetë kisha, njëra më e bukur se tjetra. Shënkolli, Shën Kozmai, Shën Mëria… Për to mund të merrni një informacion paraprak ose edhe të pyesni banorët e zonës, që i njohin mirë thesaret e fshatit të tyre, disa prej të cilave edhe më shumë se dyqindvjeçare. Libofsha ka plot për të parë e mësuar. Aty është hapur shkolla e parë shqipe në Myzeqe.

Ka edhe një mënyrë tjetër krejtësisht origjinale për të shkuar nga vreshtat në Libofshë; me zetorin e vreshtave, për një përvojë unike, ashtu siç e bëmë ne. ishte një zgjedhje fantastike, për të jetuar një copëz nga përditshmëria e vreshtarëve të Albanicas. Rruga nis nga oborri i Albanica dhe merr tutje drejt perëndimit, duke zbritur nëpër një shteg fshati, mes një panorame idilike ku selvitë mbi kodra e më pas liqeni që hapet poshtë, të bëjnë thjesht të ndihesh si në përralla.

   

Deri poshtë në fshat, tek dyert e kishës, shkohet duke shijuar jo vetëm aventurën por edhe të shkuarën e dikurshme, ku nuk kishim mjete lëvizëse dhe shpeshherë kërkonim ndihmën e makinave ose zetorëve të punës. Pas shijimit të një atmosfere mistike që ta dhuron vetëm një mjedis si tempujt e kultit, (ne vizituam Shëngjergjin), keni marrë energjinë e duhur edhe për t`u kthyer në këmbë nëpër të njëtin shteg nëse doni.
Pastaj në kthim, për drekë, me gjithë të mirat që toka prodhon dhe familja Prifti rrit. Me dashuri. Ashtu siç prodhon verën “Albanica”.