NËNTOR OSEKU: Curraj i Epërm, Gjiri i Gramës dhe lumi i Shalës -tre destinacione drithëruese të Shqipërisë

6 Gusht, 2019 || 631 views

Nga Irhan Jubica

INTERVISTË ME FOTOGRAFIN E NJOHUR QË KA SHËTITUR ÇDO CEP TË SHQIPËRISË TURISTIKE

U bënë shumë vite tashmë që ai shëtit cep më cep të Shqipërisë me aparatin e tij fotografik. Shumë prej fotove që ju dalin të parat në internet kur klikoni për të gjetur një zonë të bukur të Shqipërisë, janë të Nëntor Osekut. Por çfarë thotë ai vetë për këto udhëtime? Lexoni intervistën, një rrëfim i sinqertë e plot emocion me përshtypjet e udhëtimeve të shumta.
NËNTOR OSEKU: Curraj i Epërm, Grama Bay and Shala River - three heartbreaking destinations of Albania

Keni gati 10 vjet që eksploroni sidomos Shqipërinë, duke ia dokumentuar bukuritë. Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit vetëm një destinacion për turizmin shqiptar, cili do të ishte ai?
Po, vendi të cilin do të zgjidhja është Curraj i Epërm. E kam vizituar 6 herë. Herën e fundit para 4 javësh. Magjia e bukurisë së kësaj zone të tërheq në vazhdimësi. Është fshat i thellë malor në veriun e Shqipërisë dhe konsiderohet si një ndër fshatrat më të bukur të Alpeve Shqiptare dhe shumë pak i frekuentuar për shkak të pozitës gjeografike.
A arrin gjithmonë fotografi të për­fshijë (fusë) brenda kuadrit të imazhit që shkrep, gjithçka dëshiron dhe gjithçka i sheh syri?
Mundohem të përfshij sa më shumë, por megjithatë ajo çka shihet drejt­përdrejtë është dyfishi i bukurive në fotografi. Para 3 vitesh kam blerë një pajisje për fotografi nënujore dhe mundohem që në fotot e mia të prezantoj edhe bukuritë nënujore.
Përse keni zgjedhur të fotografoni vetëm natyrën dhe monumentet e jo portretet e njerëzve që jetojnë në këto vende?
Si fëmijë e kam pasur pasion foto­grafinë, çdoherë fokusi im ka qenë te peizazhet dhe te monumentet historike. Ky është një stil tjetër nga portretet e njerëzve. Njëherë kam bërë foto në një fshat të Prishtinës në një familje të varfër ku jam munduar që përmes fotografive t’i tregoj opinionit se në çfarë kushtesh të vështira jetonte ajo familje. Për fat të mirë, ai album fotografik pati sukses dhe u përgjigjën shumë njerëz bamirës për t’i ndihmuar asaj familje. Kjo ka qenë rasti i parë kur e kam përdorur pasionin tim për potretet e njerëzve. Do të mundohem edhe në të ardhmen ta përdori pasionin tim për këtë stil te fotove për qëllime bamirëse.
Duke sjellë nëpër mend përvojat tuaja në të gjitha vendet që keni vizituar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, cilin do të evidentonit si problemin më të madh të turizmit në ato zona?
Kisha dashur të cek problemin kryesor: mbeturinat. Gjëja që më së shumti më pengon edhe sot janë mbeturinat të cilat hidhen në plazhet e virgjëra nga disa vizitorë të papërgjegjshëm që udhëtojnë me skafe. Po ashtu, në Kosovë ka vende të cilat vizitorët i shfrytëzojnë për piknik gjatë fundjavave e më pas i hedhin mbeturinat në natyrë. Uroj që në të ardhmen ne si popull të vetëdijesohemi për mbrojtjen e natyrës, duke pasur parasysh se vendet tona po futen në top-listat e destinacioneve botërore për turizëm, e po ashtu shtetet tona të marrin masa më të rrepta për parandalimin e këtij fenomeni.
Shpesh ju i shoqëroni me shkrime të plota fotografitë që realizoni në një destiancion të caktuar. Ambicje e fshehtë për gazetari e një juristi që u bë fotograf, apo çfarë?
Po, unë jam jurist me profesion. Kam mbaruar për drejtësi, kam dhënë provimin e avokatisë ndërsa tani jam në përfundim të masterit dhe punoj në Gjykatën Themelore të Gjakovës. Kurse ekspeditat dhe fotografinë i kam pasion, sepse më çlodhin nga puna dhe më bëjnë të ndihem shumë i qetësuar. Çdoherë ditët e fundjavës i kam të destinuara për ekspedita, që të rikthehem të Hënën në punë me energji pozitive nga udhëtimet. Këtë e kam pas synim për profesionin tim, kurse udhëtimet bashkë me fotografinë çdoherë i kam parë si pasion – hobi im, i cili do të më ndihmojë në profesionin tim që të relaksohem dhe të jem energjik në fushën e drejtësisë.
Sa shpesh ju ka ndodhur të ktheheni në të njëjtin vend për të fotografuar? Çfarë zhvillimesh keni konstatuar në këto kthime?
Janë disa vende në të cilat rikthehem shpesh, ose më mirë me thanë, nëse kalon një kohë e gjatë pa i vizituar, e ndjej nevojën për ta si për ushqimin.
Vende të tilla janë Liqeni i Komanit, Curraj i Epërm, Thethi, Kanioni i Osumit dhe Gadishulli i Karaburunit. Zhvillime me shumë shoh në Theth, vend në të cilin po ndërtohen dhe rindërtohen bujtina. Në Curraj të Epërm kohët e fundit ka filluar një lëvizje e vogël me turistë të huaj. Kur isha për herë të parë në Curraj të Epërm nuk pamë turistë të huaj. Tash, kohëve të fundit kanë filluar lëvizjet e turistëve të huaj. Për Kanionin e Osumit vërej një ndryshim pozitiv me ndërtimin e rrugës nga Berati. Herën e parë kur isha atje, rruga ishte shumë e keqe, tash, për fat të mirë, rruga e re ua ka bërë qasjen më të lehtë turistëve duke u bërë një ndër vendet që po vizitohet më së shumti si nga te huajt, ashtu edhe nga vendasit, sikurse edhe Liqeni i Komanit.
Është thënë për ju se keni fotografuar aty ku nuk ka shkelur më parë këmbë njeriu. Cilin vend besoni se ua keni zbuluar ju turistëve?
Po, kjo pyetje ka përgjigje me shumë eksperienca interesante. Janë 3 vende në të cilat kam shkuar për herë të parë. Natyrisht qe ato kanë qenë të njohura për banorët e asaj zone, por jo edhe për turistët vendorë dhe të huaj. Jam munduar që përmes fotove dhe përshkrimeve t’i bëj më të njohura për t’u vizituar. Do të filloj në mënyrë kronologjike.
Gjiri i Gramës – për herë të parë kemi qenë më 17 Mars 2012 bashkë me Fation Plakun, një eksplorues shqiptar i palodhur dhe me 2 miq të tjerë. Në atë kohë skafet ndaloheshin nga Memorandumi i vendosur nga qeverisja e Sali Berishës. Ne vendosem ta vizitojmë për herë të parë Gjirin e Gramës nga Llogaraja. Në atë muëj në Llogara kishte borë mbi 1 metër e gjysmë. E kemi bërë shtegun nëpër borë nga Qafa e Llogarasë: diku rreth 7 ore ecje vetëm në njërin drejtim. Kishim shumë peshë te madhe në çanta, ngaqë ishte hera e parë dhe në atë pjese nuk kishte burime uji të pijshëm. Udhëtuam nëpër dëborë, ndërsa kur zbritëm te Gjiri i Gramës bëmë plazh edhe pse kalendari shënonte 17 Mars. Ka qenë një gërshetim interesant i sezoneve dimër- verë brenda ditës. Pas asaj kohe në Gjirin e Gramës kam qenë edhe 5 herë të tjera, e secilën herë në këmbë dhe asnjëherë me skaf.
Curraj i Epërm- Po ashtu në Curraj të Epërm ishim turistët e parë që e vizituam në Gusht të vitit 2013. Kam qene bashkë me 3 miq të tjerë nga Gjakova. Si ide na erdhi nga një shok me mbiemrin Curri, i cili mendonte se origjinën e kishte nga Curraj i Epërm. Paraprakisht nuk kishim asnjë kontakt me banorët e asaj zonë për shtegun, por vendosëm që përmes hartës ta gjejmë vetë. Ecëm përtej një shtegu të vjetër shumë të gjatë dhe të braktisur nga banorët shumë kohë më parë. E ngatërruam shtegun dhe bëmë 2 ditë e 2 netë ecje për të arritur në Curraj të Epërm. Me të arritur në Curraj të Epërm kemi takuar 5 banorë, te cilët na mirëpritën, na rrëfyen për fshatin, historinë dhe brengat e sotme, e në kthimi na treguan shtegun më të shkurtër.
Lumi i Shalës, Blini i Gurit të Lekes –Për herë të parë e vizitova në Qershor të vitit 2015. Nuk e kishim cak Lumin e Shalës, por fshatin Shosh të Shkodrës. Duke udhëtuar te ajo pjesë na la mbresa të jashtëzakonshme. Pastaj vizituam disa shpella dhe një natë ndejtëm në atë zonë me plot ujëra kristal që derdheshin ne Liqenin e Komanit.
Dua të ritheksoj që të gjitha vendet e lartcekura nuk kanë qenë të njohura dhe të vizituara për turistë, por vetëm për banorët e zonave. Jam munduar që përmes fotove dhe shkrimeve t’i bëj të njohura për vizitorët vendas dhe të huaj. Për fat të mirë patëm përkrahje nga media, e cila pasi shpërndava fotot dhe shkrimet, më shkruan duke kërkuar publikimin e tyre.
A keni konstatuar personalisht efekt të nxitjes së vizitorëve për t’i parë nga afër vendet që ju keni këshilluar përmes fotografive?
Po, kam shumë miq të huaj dhe vendas në facebook dhe instagram. Pas publikimit të fotove më shkruajnë shumë shpesh shqiptarë, të cilët shprehin interes për vendet që vizitoj. Po ashtu, në instagram si dhe në facebook kam pasur raste kur më kanë shkruar të huaj, të cilët kërkonin informacione për rrugëtimin dhe sigurinë rreth vendeve dhe kanë ardhur të vizitojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Shpesh e ceki rastin e një mjeku amerikan, i cili punon në Indi ku dhe është martuar me një indiane. Ata me kanë kontaktuar nga India. Ju kam dhënë të gjitha informacionet e duhura për të ardhur në Shqipëri. Ata erdhën nga India dhe e vizituan Shqipërinë. Sot shumë shpesh komentojnë në postimet e mija në Facebook duke treguar se sa shumë u mungon Shqipëria.
A keni punuar për realizimin e ndonjë ekspozite personale dhe ku? Po për botimin e ndonjë albumi fotografik?
Jo, deri me tani nuk kam bërë diçka konkrete rreth ekspozitës, apo botimit të një albumi fotografik. Albumin e kam menduar dhe me ka pëlqyer ta konkretizoj. Shpresoj që në ta ardhmen të mund ta bëj realitet.
Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi. A do të realizoni foto të tilla edhe në Çamëri?
Para dy vitesh kam qenë për herë të parë në Konispol. Aty takova njerëz shumë te mirë dhe dëgjova rrëfimet e tyre për Çamërinë. Dua të theksoj se kam shumë shokë çamë dhe i përcjell rregullisht aktivitetet e tyre rreth çështjes çame. Për fat të keq, ne shqiptarët nga Kosova jemi të kufizuar në lëvizjen e lirë për shkak të vizave. Dëshiroj që në të ardhmen të pajisem me pasaportë shqiptare, të cilën e kam ëndërr – dhe të lëvizi i lirë drejt Çamërisë për t’i vizituar dhe fotografuar ato vende, por edhe për t’i dëgjuar rrëfimet e tyre. Pse jo, edhe vendet tjera europiane, ku në të ardhmen mund të hap ndonjë ekspozitë me bukuritë e natyrës shqiptare.