Në Tale? Po! Për pushimet më të mira familjare!

May 6, 2021 || views

Sebastjana Leci

Nëse dëshironi privatësi, qetësi, të pushoni të sigurt dhe duke shpenzuar jo shumë, nuk ka më mire se në plazhin e Tales. Aty do të ndiheni si në shtëpinë tuaj por vetëm me një ndryshim, do të jeni pranë deti dhe shtrirë në një rërë kurative. Siguria është një element që e bën kaq të dëshirueshëm këtë zonë turistike.

Ku ndodhet? Plazhi i Tales ndodhet në jug të qytetit të Lezhës (17 km nga qendra) dhe shtrihet në një vijë bregdetare rreth 7 kilometra dhe me një gjerësi rëre që shkon nga 100 në 150 metra duke filluar nga laguna e Vainit deri në grykëderdhjen e lumit Mat. Distanca e shkurtër me kryeqytetin, qytet verilindore, Rrugën e Kombit dhe infrastruktura rrugore e afrojnë më shumë këtë zonë turistike me pushuesit. Drejt Tales edhe për të shmangur trafikun e rënduar që krijohet gjatë sezonit veror dhe kjo do t`ju dërgojë në një prej destinacioneve më të reja të turizmit veror, por pa dyshim në një prej plazheve më të mirë.

Me çfarë mund të shkoni? Në Tale mund të shkoni me makinën tuaj duke synuar që të zgjidhni zonën që do të ju tërheqë më shumë, pasi densiteti i pushuesve është i ndryshueshëm përgjatë 7 km të këtij plazhi. Janë dy vende ku ju mund të zgjidhni nëse udhëtoni drejt plazhit të Tales dhe shumë të veçantë. Rrugët ndahen në fund të tangenciales superstradë – hidrovor dhe në të djathtë gjendet plazhi Tale 2 dhe në të majtë plazhi Tale. Ju mund të zgjidhni të shkoni edhe në mënyrë të organizuar me agjenci apo transport publik në linjën Lezhë – Plazh dhe duke shpenzuar akoma më pak për udhëtimin.

 

Pse duhet të shkoni?

Arsyet pse duhet të shkoni janë të ndryshme por më kryesoret janë:

1. Për rërën e pastër dhe kurative.

2. Për detin e pastër.

3. Për privatësi dhe të shijuarit e qetësisë.

4. Për çmime që nuk do ti besoni as vetë.

5. Për pushimet që kanë vertetë emrin pushime.

Veçantia e plazhit të Tales?

Ndërsa keni ndaluar makinën dhe jeni akomoduar në një prej strukturave akomoduese duhet të planifikoni që të eksplorini të gjithë vijën bregdetare të Tales. Këtu nuk ka vetëm ujë dhe rërë, por një florë dhe faunë që do të mbërthejë koriozitetin tuaj. Peshkimi me grep është një prej sporteve më të zhvilluar në këtë zonë, dhe ku padyshim të apasionuarit nuk e humbasin rastin për të testuar aftësitë e tyre. Në të djathtë të Tales gjendet edhe një pjesë e lagunës që është vazhdimësi e zonës së mbrojtur Kune – Vain – Tale. Nëse keni vendosur të vendosni çadrën tuaj në këtë zonë, kjo do të ju japë mundësinë për të parë një pyll të madh dhe bimësi të harlisur e gjallesa të shumta. Merr gjithmonë një zgarë me vete, kjo pasi peshku që mund të zini do të jetë ushqimi juaj i freskët.

Këto mundësi janë edhe në jug të plazhit, zonë që njihet si Tale 2. Këtu bimësia derdhet deri në det dhe pulëbardhat janë krejtësisht të qeta ndërsa qëndrojnë në breg, pasi pushuesit në këtë zonë janë aq të pakët sa janë shqetësim për shpendët e ndryshëm. Xhirot deri në fund të plazhit, aty ku ndodhet edhe delta e lumit mat, do të ju prezantojnë një peisazh sa të bukur aq edhe të veçantë. Ky udhëtim nuk mund të përfundojë pa memorizuar në foto thuajse çdo hap, pasi e tillë është natyra në këtë zonë dhe pushimet verore. Të gjithë keto elementë sëbashku e bëjnë plazhin e Tales më të veçantë.

Kjo zonë turistike është shumë pak e shfrytëzuar dhe e pacënuar nga ndërtimet. Ka një sipërfaqe të madhe ku të jep mundësinë të organizoni sporte të ndryshme. Është një zonë mjaft e përshtatshme për pushuesit që kanë kampera duke të dhënë mundësinë për të qendruar afër plazhit. Në këtë zonë, operatorët turistikë ofrojnë ushqim, pije e shezllone me çmime të arsyeshme dhe me cilësinë maksimale. Baret do të ju sjellin tradicionalen, ekzotiken, mesdhetaren dhe të padyshim edhe modernen. Banorët e zonës janë peshkatarë tradicionalë dhe ju mund të merrni edhe produkte te freskëta të detit. Ju sugjerojmë ta vizitoni dhe të dëgjoni zhurmën e dallgëve, cicërimin e zogjve dhe të ndjeni aromën e pushimeve verore të jetë çdo moment me ju. Pushuesit e huaj dhe vendas po shtohen çdo ditë e më shumë, mos mungoni dhe nuk do zhgënjeheni.