Në studion e Llambrinisë, ku gurët këndojnë e hedhin valle

November 20, 2020 || views

Flora Xhemani Baba

Princër e princesha, mbretër e mbretëresha, por edhe zana mali, shtojzovalle e perëndesha që vijnë nga thellë shekujve e mijëvjëvjeçarëve e gjithaq nga e përditshmja jonë. Copëza arti bëjnë të flasë baltën e pagojë, të vezullojë nga ngjyrat, e veshin me motive , e bëjnë të vallëzojë e të këndojë.

Janë duart e Llambrinisë, skulptores, artistes beratase, që prej një jete tashmë flet e bën të flasin dhjetëra qindra krijesat, duke u dhënë pse jo, edhe frymë edhe shpirt nga i saji.

Kishim kohë që donim t`i bënim një vizitë në studion e saj të punës por Berati të magjeps, të merr kohëm të bën të harrohesh kalldrëmeve të Mangalemit e Goricës, ta prish mendjen me një gotë verë dhe vetëm në fund fare kur je duke ikur, kujtohesh: po si nuk kthyem pak te Llamba?

Por një ditë tetori e ndreqëm gabimin dhe u kthyem më në fund. Madje morëm masa, shumë më përpara se të dilnim nga qyteti. Nëse do ta bëni edhe ju këtë gabim, pra që të kujtoheni teksa jeni duke dalë nga Berati, mos u mërzitini. Llambrinia e ka shtëpinë pikërisht në të dalë të Beratit, pranë varrezave të dëshmorëve dhe ndoshta vizita për tek ajo, mund të lihet pikërisht në fund të udhëtimit  tuaj, si një aperitiv i mirë pas një dreke të shijshme.

    

Aq shumë na pëlqeu shtëpia e Llambrinisë, teksa kalonim nëpër labirinthet e oborrit, ku vjeshta po derdhte penelatat e saj mbi gjethet e hardhisë e mbi krizantemat larushe, saqë vajtjen deri lart në studio, e shijuam si një shëtitje.

Artistja na priti në atelie. Ah çfarë thesaresh! Gjithë hiret e kostumeve tradicionale, bukuria e vashave, motivet shumëngjyrëshe, ardhur butësisht përmes formave moderne e artistike që aq mjeshtërisht I sjell dora e Llambrinisë. Simbole shqiptare, flamuri, shqiponja, motivet patriotike, emblemat dhe pamjet ikonike të Beratit, por edhe shumë figura të njohura, mbushin me jetë muret dhe piedestalet e studios…

   

Punimet ne terrakotë janë të mrekullueshme, njëri më i bukur se tjetri. Artistja rrëfen që sa herë njëri prej tyre largohet për në shtëpinë e re ku e kanë kërkuar, asaj i dhemb. Nuk do të donte të lëshonte nga duart asnjë vepër që del nga dora e saj, edhe pse arti është bërë për t`u shijuar nga njerëzit. Dhe jo vetëm sepse janë copëza unike, por sepse në secilën prej tyre ka një pjesës të vetes, një frymë dashurie.

Edhe pse është e vështirë të veçosh një vepër nga tjetra, nuk mund të mos bjerë syri ndër punë të veçanta, sidomos nëse kundruesi është i brezit të shekullit të shkuar, ku loja “telefoni i prishur” ka shenjuar fëmijërinë tonë dhe artistja ka dashur ta gdhendë këtë përjetë në një vepër, e cila neser mund të bëhet edhe pjesë e skulpturave të qytetit. Në çdo copëz arti të gdhendur në terrakotë mund të ndalosh për orë të tëra e Llamba të të rrëfejë një histori që lidhet me të. Kështu është arti, më shumë thotë me brendësinë.

Por po kaq interesante janë punimet e saj fare të veçanta me zaje lumi.

Edhe pse figurat e tablotë janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga personazhe të njohur si Don Kishoti apo Sanço Pançoja, djem e vajza që vallëzojnë, familje që londrojnë e argëtohen, edhe tek këto punime, ajo që i “vuri vulën e veçanësisë” ishte “Eksodi Kosovar”, të cilin artistja e ka prezantuar edhe nëpër ekspozita e aktivitete artistike.

Një vizitë është shumë pak për të mësuar aq shumë histori sa ka brenda në atelienë e Llambës. Por ju mund ta nisni nga aty.

E pastaj mund ta përfshini në listën tuaj të gjërave që duhet të bëni sa herë që vini në Berat. E pse jo, të merrni me vete edhe një sovenir, nga ato që krijohen të gjitha me dorë. Dhe vetëm një herë.