Në shtëpinë e Kol Gjonit, si në Ciklin e Kreshnikëve

November 6, 2019 || views

Të bujtësh në një shtëpi shqiptare si turist sot, do të thotë të pranosh të qëndrosh si mik, duke konsumuar atë që të shërbejnë të zotët e shtëpisë, pa kërkuar menu. Pra, mikut i shërbejmë me ato që na ndodhen.

Të ofrohesh si shtëpi pritëse do të thotë t’i shërbesh mikut atë që ke në bahçe ose atë që rrisin bashkëfshatarët e tu dhe jo t’i nxjerrësh qumësht tetra pak. Kol Gjoni e ka kuptuar shumë mirë këtë, prandaj nuk e ndryshon.

 

Të dëgjosh historitë e Kol Gjonit mbrëmjeve, pranë zjarrit, duke ngrënë gështenja, duke pirë një gotë verë e në praninë e miqve apo të dashurve të zemrës, është njëjtë si të shkëpusësh një fletë nga Cikli i Kreshnikëve e ta jetosh vetë.

 

Sepse Kola do ta bëjë deri në fund zakonin e nderin siç i takon mikut, do të vishet me rroba malësore për ju e do të ngjajë krejt si kreshnikët me shtatin sa një mal e mustaqet një pash. Vetëm se në vend të jataganit, sot në duar ai ka MIKPRITJE.

 

Nëse do na degjohej fjala deri lart, ne do të propozonim që Kol Gjoni bashkë me familjen e shtëpinë e tij-kullë, të shpallej monument kulture, si një ndër të paktët që ka mbetur në Valbonë i dlirë e tradicional, ashtu siç do të kishit gjetur stërgjyshërit e tij këtu e disa shekuj më parë në Malësi të Gjakovës.

 

Shkoni e bujtni tek Kol GJoni dhe shënoni në ditarin tuaj të udhëtimeve një prej përvojave më të bukura!