Në kërkim të restoranteve të vogla me aromë shtëpie …

July 21, 2020 || views

“Na thuaj ndonjë restorant të vogël ku hahet mirë” – është shprehja që dëgjon rëndom kur je me pushime ose kur miqtë kanë shkuar me pushime diku dhe duan rekomandime.

Pse? Sepse është trendi i restoranteve të vogla me atmosferë familjare, që mundësisht të menaxhohen po nga stafe familjare, të cilët kujdesen për gjithçka si në një familje. Mjedisi, detajet, higjena, cilësia e përbërësve me të cilët gatuhen pjatat sidomos…

   

Kështu na ndodhi edhe  neve kur ishim në Sarandë dhe ndonëse është një qytet që e njohim mirë prej vitesh, sërish pyesim vendasit, si për shembull mikeshat tona Nikoletën apo Rudinën. Dhe nën këtë pyetje gjetëm “Gusto di Casa”, restorantin e vogël buzë rruge, udhës për për në Ksamil, ku Silvana bashkë me familjen, ka derdhur mundin e jetës dhe më shumë se 16 vjet punë në fushën e gastronomisë.

 

Ngjyrat e ngrohta, elementët e dekorimit me punëdore, mjedisi jo fort i madh por sidomos Silvana që shkon e vjen me pjata nëpër duar, bashkë me të voglin e saj Fedelen, që megjithëse doli shkëlqyer në kolegj sivjet, bën kamerierin fytyrëqeshur, janë pikërisht atmosfera që duam. Dhe zhvillimet e fundit në turizëm, tregojnë se nuk e duam vetëm ne; shumë turistë të huaj, sidomos italianë por edhe plot kombësi të tjera, kërkojnë pikërisht këtë. Një restorant të vogël me menaxhim famijar, ku të ketë jo vetëm pjata të mira e të sofistikuara por edhe gatime shtëpie. Dhe ndoshta shtimi i turistëve italianë vitet e fundit në Sarandë e ka bërë Silvanën ta “ndërkombëtarizojë” paksa emrin e restorantit të saj, si për t`u treguar atyre se edhe ata mund të ndihen në shtëpi, ashtu si dhe ne.

   

 

E bukura e këtyre restoranteve të vegjël familjarë është se miqësohesh shpejt me të zotët e shtëpisë. Dhe bisedat, që rrjedhin gjithmonë tek puna dhe ecuria e saj, sidomos në një sezon të vështirë si ky i sivjetmi, na çojnë në burim; aty nga vijnë përbërësit me të cilët gatuhet në restorant. Silvana thotë se gjithmonë peshkun e merr tek peshkatarët e vegjël, madje prej bisedave me të, lindin edhe histori të tjera interesante, që e tejkalojnë historinë e saj. Kështu ajo na tregon për Arin, që zhytet vazhdimsht edhe për pasion por edhe për të nxjerrë bukën e gojës. Sepse ai i sjell asaj oktapodin ose sepjen e freskët. Ndërsa Bardha është pabesueshmërisht peshkatarja që e furnizon çdo ditë me të mirat e detit. Bardha, ndonëse është një grua e shkolluar dhe intelektuale, del çdo ditë për peshk me varkën e saj të vogël. Dhe ajo nuk ka dëshirë ta lërë Bardhën pa punë, kështu që ia merr të gjithë peshkun që ajo i sjell. Ne i kërkojmë të na njohë me Bardhën dhe ajo na premton se kur të vijmë herën tjetër në Sarandë, do të na prezantojë me të, ose më mirë akoma, do të shkojmë një ditë bashkë për peshk me varkën e saj.

 

   

Po perimet? Ah, ato vijnë drejt e nga kopshti i saj, diku në një tokë jo shumë të madhe tej manastirit të Shëngjergjit në Demë, ku një ditë ëndërron të ngrejë një bujtinë të vogël, zbukuruar me kopsht me pemë, lule e perime dhe të presë turistë gjithë vitin, jo thjesht për plazh por për t`i treguar një copëz tjetër Sarande, ashtu siç e mendon ajo.

Ne i kishim lënë  fare pjatat. Edhe pse tava me frutat e detit ishte të lëpije gishtat dhe makaronat në pjatancën e madhe rënkonin nën gaforret e rënda, ishim harruar pas historive të Silvanës. Në tingujt e serenatave korçare këtu në zemër të Sarandës e nën muzikën live që ajo ua servirte klientëve të saj çdo fundjavë, më të shijshme na u dukën historitë e saj sesa gatimet që i kishte qarë.

 

   

 

Mendoni pak se sa histori të tilla fshihen pas këtyre sipërmarrjeve të vogla familjare të ngritura shpeshherë me gjak e që mbahen në këmbë me mund, për shkak të vështirësive të mëdha. Hotele të vegjël me pak dhoma ku e gjithë familja derdh djersën e përditshme ose resorante që mbahen në këmbë më shumë nga dashuria sesa nga fitimi. Aty duhet të shkoni së pari. Sepse aty qëndron limfa e jetës. Aty do të kthehet një ditë Fedele, pasi të shkollohet nëpër botë.

 

Linqe:

The food experiences are such, if you taste something different than anywhere else! At @gusto.di.casa it always happens!..#PushoNëShqipëri #SaveTourism #TravelMagazine #summer #travel #beaches #albania #destinations #coast #travelgram #travelphotography #instagood #instalike #connect #getconnected #sunset #lovely #aroundalbania #travelmagazinealbania #albanianblogger #baba #bababloggers #visitalbania

Posted by Travel Magazine – Albania on Tuesday, July 14, 2020

 

Restorant Gusto di CasaEdhe ta kishim porositur, nuk do ta kishim gjetur dot një atmosferë kaq qetësuese, pas një dite pune rraskapitëse nëpër të gjithë Rivierën, që e mbyllëm në Sarandë. Faleminderit “Gusto di casa”. Vërtet si në shtëpi.

Posted by Flora Xhemani Baba on Saturday, July 11, 2020