Në kërkim të qosheve (jo dhe aq) të fshehura të Sarandës, që mbajnë aromë Manxuranë

5 Gusht, 2021 || 335 views

Fine Albanian and World Cuisine

Dilema e përhershme e turistëve kur i drejtohen qyteteve të populluara turistike është thuajse po ajo; përse duhet të shkojmë me pushime në një qytet që gëlon nga vizitorët, ku zhurma dhe fluksi nuk të lejojnë të ndjesh shijen e vërtetë të një destinacioni?

Dhe përgjigja e kësaj pyetjeje vjen (thuajse) gjithmonë nga ata që duke qenë në kërkim të përhershëm, gjejnë gjithmonë arsye pse dhe vende ku.
Kështu edhe ne. Edhe pse Saranda vuan pasojat e një destiancioni të tejshfrytëzuar në çdo drejtim e shpeshherë jo në mënyrën e duhur, ka njerëz me qasje të ndryshme që shtyrë nga shumë arsye e ndjesi të brendshme, vendosin të bëjnë të pamundurën, ta ofrojnë atë si një vend me qoshe intime, familjare, të qeta, të ngrohta, mikpritëse, të thjeshta e të vërteta njëkohësisht por edhe të sofistikuara deri në detaj, detaj i cili nuk flet gjithmonë vetëm me anë të sendit por edhe me anë të njeriut.
Dhe me “sensorët” vazhdimisht të ngritur në kërkim të këtyre “shenjave”, gjejmë Manxuranën. Një vend që flet me gjuhën e shijeve të Fatmirit. Më pak se një hotel, më shumë se një restorant. Mbi të gjitha, një shtëpi. E duke e ilustruar me gjithë ç`ky term mbart, një destinacion.
Dhe e dini pse? Sepse është e ndërtuar me një filozofi. Të kuptohemi, gjithkush që ndërton diçka, ka një filozofi të vetën dhe këtu nuk ka asgjë të veçantë. E veçanta qëndron pikërisht tek e veçanta. Një vend i vogël, lindur nga asgjëja, që bëhet i veçantë qysh në hyrje, ku dikur një kabinë e vjetër dhe e shëmtuar elektrike (si shumë gjëra të tjera kur nuk kanë kujdes njerëzor) sot ka çelur lule dhe reflekton pulsin e jetës.

Thuhet rëndom se janë detajet ato që bëjnë diferencën. Ashtu është vërtet. Sapo kapërcen kangjellat përmbytur në mëllaga plotngjyrëshe, rozmarinë e manxuranë, syri të shkon tek dollapi i verërave. Është një sergjen më shumë se 100-vjeçar i blerë në Krujë, na thotë Fatmiri. Po ashtu edhe sepetja që shkon bashkë me të. Nuk janë te vetmet objekte të veçanta që të tërheqin vëmendjen. Ashtu është edhe lavamani prej guri në hyrje të tualetit, dera e të cilit gjithashtu është e veçantë dhe këndi që të çon për atje, ka po aq detaje ku syri shkon vetë. Si për shembull mbajtësja prej teneqeje, ku verës vendosen fruta e perime të stinës, e cila nuk duket aspak luksoze fjala vjen por që është aq shtëpiake! Si ata lambikët e dikurshëm që mbanim për të larë duart. Vazhdojmë më tej. Në banak, në vend të dizenjove apo gdhendjeve që mund t`i gjeni kudo, shpaloset një qilim i leshtë, motivet e të cilit ndoshta vetëm aty nuk do t`i kishit pritur! E nëse do t`i rrëshqisni sytë nëpër pllakat e kuzhinës, që ngjan krejt si ajo e një shtëpie fshati, lart në tavan do të shikoni tjegulla të vëna mbrapsht, lidhur me trarë druri, në mënyrë fare origjinale.
Fatmiri thotë se ka dashur të ndërtojë njëfarë tempulli, foleje, të qetësisë së shpirtit, të mikpritjes, të dashurisë për njeriun, ushqimin, verën (kryesisht shqiptare). Ai thotë se është frymëzuar nga shpirti i madh i nënës së tij, nga dashuria e saj për njerëzit, lulet, aromat, ushqimin. Bima e saj e preferuar është Manxurana dhe emër me të mirë se kaq, për të shprehur këtë ndjesi, nuk mund të kishte.

Fatmiri na flet edhe për miq të shtrenjtë, të cilët jeta e deshi që të ikin nga kjo botë, por që kanë lënë pas shenjat e tyre të pashlyeshme. Kështu ky vend i vogël e i ngrohtë, vetvetiu mbushet edhe me histori njerëzore e kujtime të shtrenjta, me qëllim që nesër, të kemi ç`tu tregojmë miqve. Me këto fjalë e përshkruan ai Maxhidin, “francezin” që erdhi në Sarandë për t’ju bashkëngjitur projektit të Manxuranës, që kaq shumë e deshi dhe kontribuoi për të, u bë njësh dhe kaq shumë influencoi me shpirtin e vet artistik dhe të paepur.
Kitara e tij e dashur dhe kapelja e tij epike, sot ka mbetur e varur në hyrje të kuzhinës, në kujtim të këtij miku të shtrenjtë, që iku një ditë krejt papritur, duke lënë pas një histori te gjallë, një frymë, shije dhe estetikë, jo vetëm në kuzhinë, por edhe në zemër, prej zemrës së madhe që kishte vetë.
Përveç shijes artistike në ndërtimin e Manxuranës, le të flasim për atë që është më kryesorja; ushqimin. Ky tempull i vogël i shijes është ngritur mbi parimin e ushqimit të vërtetë, ku klienti nuk është thjesht “konsumatori”, por është mik i shtëpisë.

Ushqimi duhet të jetë i vërtetë, në kuptimin që përbërësit për përgatitjen e tij duhet të jenë të gjithë, dhe në cilësinë më të lartë të mundur. Ruajtja me fanatizëm e cilësisë së ushqimit, shijes së larmishme e të shprehur fort të Mesdheut, aromave të tokës, produkteve bimore e shtazore natyrale e verërave të zgjedhura, është në ADN-në e saj. Kot nuk e ka atë emër. Dhe njëjtë si një shtëpi, që kur i vijnë shumë miq, i vë në punë të gjithë anëtarët e familjes, ashtu edhe tek Manxurana, vjen e zonja e shtëpisë, me byrekun e saj me lakra të egra, me lakronin me pulë, me pispilinë e mrekullueshme, a limonatën me mente, o kushedi çfarë tjetër mund të sajojë dora e saj, që i le miqtë gojëhapur. E si të mos ndodhë kjo, kur e shikojnë me llërët përveshur teksa tëholl petët mbi tavolinë?

E duke qëndruar në filozofinë e të ofruarit një shtëpi, e keni edhe një dhomë për të bujtur, nëse doni ta shijoni deri në fund Manxuranën. Një dhomë, që si dhomë shtëpie, ka krevatin e madh dhe dy krevate për fëmijët, kombinuar aq këndshëm, sa nga “kuzhina” në dhomën e gjumit, do t`ju duket një process aq njerëzor e nuk do ta kuptoni dot ku mbaron hoteli e ku fillon shtëpia. Për të mos folur për mëngjeset në ballkonin e veshur me dru, e spërkatur me freski Joni, ku aroma e kafesë përzier me manxuranë, mund të zëvendësohet krejt mirë me aromën e gjalpit, petullave, reçelnave gatuar me barabarozë apo omëletave me perime të freksëta.

Ç`t`ju themi? Ka njerëz që nga hiçi krijojnë diçka dhe nga diçkaja krijojnë gjithçka. Kështu është edhe Manxurana. Gjithçka në një grusht vend.
Diku buzë rruge, rrugës për në Butrint.