Ndoc Mulaj: jam i dashuruar përjetësisht me Alpet, më dhemb vendlindja ime, Nikaj Mërturi

6 Janar, 2022 || 880 views

Kjo intervistë është realizuar për numrin 34 të Travel Magazine, në gusht të vitit 2021.

Në kapërcyell të viteve, Ndoc Mulaj humbi jetën në një ekspeditë në malin e Munellës në Pukë, ku po shoqëronte një grup xhirimi për programin televiziv të radhës, në përpjekje për njohjen dhe promovimin e mëtejshëm të maleve të Shqipërisë, mision të cilin e çoi përpara prej gati dy dekadash, duke i dhënë kontributin e tij e tij të paçmuar e më në fund edhe jetën e tij.

Ai hapi qindra kilometra shtigje dhe çdo alipinist, dashamirës apo adhurues i maleve duhet të dijë se në çdo shenjë bardhë e kuq që do të gjejë nëpër shkëmbinj, drurë e kroje, është një copëz shpirti e këtij kreshniku të fundit të maleve, që lindi mes tyre dhe mbeti aty përjetësisht, siç e kishte thënë edhe vetë, jo vetëm përmes titullit të kësaj interviste por edhe përmes vargjeve të Martin Camajt, shkruar mbi murin e vet në Fejsbuk, vetëm gjashtë javë para se të ndahej përgjithmonë prej nesh.

U prehsh atje mes reve baca Ndoc!

Flora Xhemani Baba

 

1.Ti ke lindur në zemër të Alpeve dhe ke një jetë që merresh me to, ke themeluar një organizatë që quhet “Qendra Alpe” edhe pse sot jeton në kryeqytet dhe pjesën me të madhe të kohës e kalon maleve. Çfarë veprimtarie quhet kjo që zhvillon ti? Turizëm, biznes? Detyrë patriotike?

 

 

– Nuk ka rëndësi ku dhe sa larg vendlindjes jeton që mos ta harrosh, që të ndiesh mall për të, e shpesh herë mall edhe dhimbje, dhe aq fort sa të dhembin në shpirt jo vetëm për braktisjen e madhe por edhe çfarë ka mbetur e nuk po ecën si zonat e tjera përreth, pra nuk po zhvillohet si ato edhe pse nuk ka asgjë më pak se ato. Nuk ka asgjë më pak sepse është e njëjta vazhdimësi e Alpeve Shqiptare, e nëse do ndalemi pak, të numërojmë e krahasojmë numrin e atraksioneve turistike, vendlindja ime Nikaj-Mërturi ka shumë më tepër se secila prej tyre.
Shtegtimin nëpër male e fillova si dashuri për vendlindjen, më pas si pasion, dhe tani janë bërë të gjitha bashkë, dashuria, pasioni, turizmi, patriotizmi etj etj, veç biznes akoma jo. Asnjëherë nuk iu ndava maleve edhe pse u largova prej tyre që në moshë fare të vogël. Vazhdimisht kthehesha atje, pra në fshatin tim të lindjes në Mulaj, sidomos fundjavave dhe kryesisht gjatë pushime verore. Shtegu nëpër të cilin kaloja, ishte shumë afër majave, pra aty ku mbaronte kati i ahut e fillonte pisha e zezë ose siç i quajmë ne atje, çetinat. Quhen çetina sepse rriten nëpër çeta, pra nëpër shkëmbinj. Shpeshherë më takonte ta bëja vetëm atë shteg me të cilin u lidha aq shumë sa u kthye në një dashuri për mua. Kam lexuar dikund se sa më shumë një njeri udhëton i vetëm nëpër male, aq më shumë i shtohet dashuria për to, dhe kjo ndodhi edhe me mua. Edhe pas braktisjes së madhe, kur në shumë fshatra të Alpeve nuk mbeti askush, unë vazhdoja të kthehesha atje. Natyra vazhdonte të harlisej e shfrenuar duke zaptuar rrugë e shtigje, ara e oborre por kjo nuk më shqetësonte aq shumë sa vetmia që kishte pllakosur kullat. Shumë prej tyre kishin filluar të shkatërroheshin dhe jo vetëm që askush nuk interesohej më për to, por as nuk i binte kujt ndërmend e bile shpeshherë as të zotëve të tyre. Me këtë dhimbje nisi edhe puna ime duke filluar me Nikaj-Mërturin e më pas duke u shtrirë në të gjithë rajonin e Alpeve e pastaj edhe në rajone të tjera.

 

Në vitin 2006-2007, emri i vendlindjes time Nikaj-Mërturi, një krahinë me mbi 200 km², nuk gjendej as në Google e jo më në vëmendjen apo database-et e institucioneve shtetërore. Në ato kushte, punën time e fillova me njohjen e saj në publik, dhe kjo nëpërmjet publikimit të fotove, videove etj. Pastaj ndërtova një faqe të pasur Web-i, punë e cila më kushtoj gati plot dy vjet. Më pas kaluam te zhvillimi i turizmit si e vetmja mënyrë për të çuar njerëz atje dhe ata në kthim të përçojnë tek të tjerët se çfarë po ndodh me Nikaj –Mërturin, me kullat, me rrugët, me urat, me energjinë elektrike, me njerëzit, me malet. Që prej fillimit e nisa si një detyrë patriotike dhe akoma aty kam mbetur edhe pse sot jam më i zhgënjyer edhe se atëherë. Disa herë kam menduar të kaloj në një stad tjetër, qoftë edhe në hapjen e një biznesi, pse jo për të vjelë disa prej fruteve të punës time shumëvjeçare por i bindur se më pas nuk do kem më kohë të lirë të bëj këtë punë që bëj sot, kuptohet, në pëgjithësi, nuk kam vendosur. Pra, kam shkuar duke e shtyrë, hajt edhe këtë vit, hajt edhe këtë vit mbase si edhe ju Flora. Ne jemi njerëz që nuk bëjmë dot pa lirinë tonë. Gjithsesi, çfarëdo që të ndodhë, unë do të vazhdoj të bëj detyrën time ndaj Alpeve sepse ato janë bërë pjesë e pandashme e jetës time.

 

 

2.Si ka qenë gjendja e Alpeve kur ti ke filluar t`i shohësh si një destinacion turistik dhe si është ajo sot?

– Së pari dua të them se asnjë në këtë vend nuk mund ta marrë meritën e parë të shikimit të Alpeve si atraksion turistik apo të fillesës së turizmit në Alpe sepse atë e bënë turistët e huaj. Ata erdhën vetë, filluan të ecin rrugë e pa rrugë, shteg e pa shteg dhe kanë kërkuar ushqim dhe fjetje, kuptohet duke paguar diçka pa jua kërkuar njeri. Më të parën kullë që kërkuan në Alpe ishte ajo e Sadri Lukës në Okol të Thethit pasi për të kishte shkruar Franc Nopça, Edith Durham, Rose Wilder Lane e shumë udhëtarë e studiues të tjerë që kishin fjetur në këtë shtëpi. Kjo është edhe kulla e parë në Alpe që u kthye në bujtinë për pritjen dhe akomodimin e turistëve.

 

Në perceptimet dhe dëshirat e mia e shikoja turizmin në Alpe duke u zhvilluar me kulla-bujtina sepse ashtu ishin asokohe, dhe ashtu kishte nisur. Pra në fillim, krejt thjesht, disa prej kullave u kthyen në bujtina. Por në vitet e fundit në vend të kullave janë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtohen hane, fjetore, motele dhe hotele e deri te hotelet me 5 yje. E njëjta gjë po ndodh edhe me natyrën. Nga viti në vit në Alpe, priten dhe digjen pyjet dhe askush nuk e mbjell një fidan. Një herë e presin dhe i marrin lëndën drusore dhe vitin tjetër i vënë flakën për të fshehur gjurmët. Në këto kushte, mundohemi të hapin ndonjë atraksion të ri turistik kryesisht atje ku nuk ka rrugë automobilistike, sepse pa rrugë nuk mund ta prekin atë që kërkojnë turistët, egërsinë, edhe pse jemi të bindur se kjo nuk do të zgjasë shumë. Atraksionet e bukura janë atje ku ka pyje të bukura, të paprekura lumenj me ujë të përhershëm e të pashfrytëzuar, dhe këto vende janë më të rrezikuarat për HEC-e dhe dru zjarri. Njëri prej këtyre destinacioneve është edhe Lumi i Shalës dhe as për të nuk e di se sa do t`i qendrojë dorës së shtrirë të mafjes së hidrocentraleve.

3.Një prej atyre zonave në zemër të Alpeve është edhe ajo ku ke lindur, Nikaj Mërturi. Për bukuritë e tij kemi folur shpesh edhe në revistë. Dikur je përpjekur të bësh të njohura shpellat e tij, sidomos atë që quhet “Bira e Zezë” për shkak të vlerave të rralla që ka. Çfarë keni arritur gjer më sot dhe a vazhdon puna apo është ndërprerë?

Po Flora, dhe të falenderoj shumë edhe ty pasi je personi që i ke dhënë më shumë hapësirë jo vetëm në revistë por edhe duke folur sa herë që të është dhënë mundësia edhe nëpër media të ndryshme për Nikaj-Mërturin dhe atraksionet turistike që ka. Shpresoj që ky do të jetë viti që të ngjitesh vetë deri atje lart në Curraj Epër e të shikosh me sytë e tu çfarë ka qëndisur natyra atje. Shpellat i kam në zemër dhe nuk do pushoj kurrë së punuari për to. Askush në këtë vend nuk ua din e as nuk e kupton rëndësinë që ato kanë në zhvillimin e turizmit dhe jo vetëm. Institucioneve shtetërore, përgjegjëse për turizmin, mjedisin dhe kryesisht ato të monumenteve të natyrës, jo vetëm që nuk u bie ndërmend për to, por as nuk kanë qoftë edhe një listë të shpellave tona se larg qoftë me ju shkue në mend për eksplorimin e ndonjërës prej tyre. Unë jam një njeri i vetëm dhe shpellat janë me qindra. Edhe disa djem të rinj nga Nikaj-Mërturi të cilët i trajnuam për speleologjinë, tek të cilët kisha shumë shpresë për të formuar me ta një ekip të mirë, kanë emigruar në shtetet e tjera. Eksplorimi në Shpellën “Bira e Zezë” ka mbetur në kuotën 6.5 km. Viti i ekspeditës së fundit ishte me shumë reshje në atë zonë dhe sasia e ujit brenda shpellës nuk na e dha mundësinë të shkonim më tej. Më pas doli virusi e miqtë tanë speleologë Italianë e sllovenë të shoqatës “Boegan”, për shkaqe që tashmë dihen nuk kanë mundur të vijnë. Përveç “Birës së Zezë”, kemi edhe shumë shpella të tjera të identifikuara e gati për t`u eksploruar, jo vetëm në Alpe por edhe më poshtë, një prej të cilave është shumë afër “Mrizit të Zanave” dhe mezi po pres fillimin e punës për eksplorimin e saj e për t`i shtuar këtij “Oazi” të shenjtë të kulinarisë shqiptare edhe një atraksion tjetër e kaq të rëndësishëm turistik.

4. A mund të quhet sot Nikaj Mërturi destinacion si Thethi e Valbona dhe nëse jo, çfarë i mungon?

Siç e kam thënë edhe më parë, por edhe më lart, po e them përsëri që Nikaj-Mërturi është zona më me shumë atraksione turistike në të gjithë rajonin e Alpeve se për më tej nuk diskutohet. Po ju them vetëm faktin që nga kurora rrethuese me maja mbi 2000 metra, burojnë katër lumenj me ujëbore të cilët pas disa kilometrash bashkohen dy e nga dy me njëri-tjetrin dhe në qendër të zonës përfundojnë në një lumë, pra Lumi i Mërturit i cili derdhet në liqen. Dy prej këtyre lumenjve e kanë burimin nga dy shpellat më të mëdha, Lumi i Qereshit nga “Bira e Zezë” dhe Lumi i Currajve nga “Shpella e Boshit”. Dy lumenjtë e tjerë Lumi i Zi dhe Lumi i Bardhë, burojnë nga Bjeshkët e Kakisë së Nikajve.

 

Pas lumenjve vijnë në rradhë ortigjet me borë që zbresin deri në fshat e ku bora e re e zë borën e vjetër. Të shkosh gjatë verës për të marrë borë në orteg për të ju servirur turistëve akulloren e bjeshkës “Tamëlborën”, duhet që nga Vrana të ecësh rreth 20 minuta dhe nga Qereshi apo Mulajt vetëm 10 minuta. Këto nuk i ka as Thethi as Valbona dhe asnjë vend tjetër. Nuk janë vetëm këto pasi ka edhe shumë atraksione të tjera të veçanta e sidomos kalime majash, qafash e shtigjesh që të lidhin zonën me pjesët e tjera të Alpeve. Por por, megjithë këto mundësi, me gjithë punën time mbi 15-vjeçare, me gjithë mbështetjen e GIZ Albania që patëm në dy-tre vite, me gjithë mbështetjen tuaj e të ndonjë miku tjetër, Nikaj-Mërturi ka mbetur shumë larg Thethit e Valbonës.
Sot as nuk i bie kujt në mend se çfarë bëhet me turizmin atje dhe e them me plot gojën që Nikaj-Mërturin nuk e njehas shteti dhe fare fare pak edhe pushteti vendor. Shtetit i bie në mend se ekziston Nikaj-Mërturi vetëm atëherë kur çon policinë për të shkulur disa rrënjë hashash të ndonjë varfanjaku e për ta bërë shembull sa për të mbuluar plantacionet që baronët të cilët e përmend vazhdimisht Salihi në fb e tij, kanë mbjellë në vendet e tjera. Pra krejt thjeshtë e qartë, në Nikaj-Mërturi ashtu si edhe 100 vjet më parë, mungon dora e shtetit. Vetëm shteti mund ta mbante të qëndrueshme punën që bëmë atje. Dhe nuk i thonë pak, plot 25 kulla i kthyem në bujtina duke i pajisur me orendi për akomodim e deri te panelet diellore për ndriçim, kjo falë bashkëpunimit me GIZ. Sot që operojnë me pritjen e turistëve, kanë mbetur vetëm 5 bujtina.

5.Kohët e fundit je marrë me shenjimin e shtigjeve në natyrë në zona të ndryshme të veriut. Na listo një numër vendesh ku shtrihen këto shtigje dhe sa keni hapur afërsisht deri tani.

– Ka kaluar më shumë se një dekadë që po merrem me shtigjet turistike por jo vetëm me shenjimin e tyre. Unë bashkë me shoqatën që drejtoj, pra Qendrën “Alpe”, kryejmë të gjithë proçesin e kthimit të një shtegu në një shteg të mirëfilltë turistik, të kthimit të një atraksioni të panjohur, në një atraksion turistik, njëri prej të cilëve është edhe Blini i Gurit të Lekës-Lumi i Shalës. Në fillim e identifikojmë një shteg, shohim gjatësinë e tij dhe cilat destinacione lidh dhe vendosim nëse ia vlen për turizëm. Kalojmë nëpër të duke e markuar me GPS dhe duke studiuar atraksionet turistike që ka deri në 1 km përgjatë tij kudo që ato ndodhen në të dy krahët. Gjatë këtij studimi përcaktojmë nevojat që ka për pastrimin nga mali, lisat e rrëzuar dhe për rikuperim të pjesëve të dëmtuara nga shembjet, rreshqitjet etj. Pastaj bëjmë markimin me bojë, pra shenjimin, dhe vendosjen e tabelave orientuese e treguese. Në fund fare, marrim nga një përfaqësues për çdo agjensi turistike që organizojnë grupe për ecje malore dhe me grupin e përbërë kryesisht nga guida malore, përshkojmë shtegun duke bërë promovimin e tij dhe duke u treguar atraksionet turistike që ka dhe legjendimin e tij.

 

Në dy vitet e fundit jam marrë me hapjen 207 km shtigje turistike në Pukë pasi e gjeta me 0 metër shtigje të markuara. Duhet thënë e rithënë që Puka është vendi më i mirë dhe më i favorshëm për turizmin familjar, kuptohet atë malor. Vetëm dy orë nga kryeqyteti, me një rrugë të mirëasfaltuar së fundi, me mbrojtëse anash dhe pa as edhe një gropë të vetme, me një qytet të freskët, të pastër e vërtet të rilindur mirë. Them të rilindur mirë sepse është punuar me shumë shije e shumë kujdes. Puka është i vetmi qytet sot në Shqipëri ku nuk shikon asnjë tel apo kabëll në hapësirën ajrore të saj. Fatmirësisht rrugët dhe trotuaret e saj nuk janë shtruar me ata gurët e shtrembër siç thonë “të ndonjë politikani”, ardhur nga guroret e Skraparit, si në qytet e tjera malore, por me pllaka e ato fort të hijeshme. Dhe vërtet pse duhet të shkeli malësori kur bie në qytet përsëri nëpër gur, pak gurë ka ai atje në fshat, në mal etj. Por ajo çka është më kryesorja për turistët, Puka ka njerëzit më mikpritës në këtë vend, ka shtigjet më të lehta dhe më të përshtatëshme për të gjitha kategoritë dhe moshat.
Të gjitha shtigjet përgjatë tyre janë plot e përplot me fruta pylli, drethëza, mjedrra, manaferre, boronica, kërpurdha etj., pa llogaritur pemët e shumta frutore e sidomos gështenjat. Dhe çka është shumë e rëndësishme, Puka ka padyshim ujin më të mirë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan dhe në të gjitha shtigjet ka burime të bollshme uji. Përgjatë këtij viti po merrem me hapjen e disa shtigjeve në atraksionin më të ri e më të frekuentuar të Alpeve Shqiptare, Blini i Gurit të Lekës-Lumi i Shalës. Me mbështetjen e GIZ, po e lidhim Blinin me shtigje këmbësore për në Lotaj Shalë e më pas në Theth, me Qafën e Agrit për në Nikaj-Mërturi, e më pas në Valbonë, me Cukalin për në Kir dhe në Shkodër etj. Deri tani mundësia e vetme për të shkuar e kthyer prej andej ishte udhëtimi permes Liqenit të Komanit dhe hapja e këtyre shtigjeve jo vetëm që do të shtojë numrin e turistëve me fjetje, por edhe do ta kthejë këtë destinacion turistik në 365 ditë të hapur. Përveç këtyre katër shtigjeve të gjata, kemi hapur e markuar edhe tre shtigje ditore rrethore, pra që nisesh nga Blini dhe për tre-katër orë të kthejnë po aty pa i rënë dy herë të njëjtës rrugë. Gjithsesi duke qenë se jemi në mes të punës, për këtë destinacion dhe shtigjet që e lidhin me vendet e tjera do flasim një herë tjetër.

6.Në ekspeditat e ndryshme nëpër male, shpesh të shohim me emrat e njohur të kulinarisë shqiptare si Sokol Prenga dhe profesori i njohur Zef Gjeta. Çfarë bëni maleve ju?

Tashmë mastershef Sokol Prenga dhe Prof. Dr. Zef Gjeta janë pjesë e pandashme e projekteve të Qendrës “Alpe” për zhvillimin e turizmit, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore. Nuk mund të kenë kuptim shtigjet dhe bujtinat pa gatimet tradicionale por duke i kombinuar edhe me gatimet bashkëkohore gjë që kërkon trajnim të stafit të kuzhinave të tyre. Këtë e bën më së miri i palodhuri dhe tashmë miku i të gjithëve shef Sokoli. Po ashtu nuk mund të kuptohen gatesat e ndryshme pa prodhimet vendase dhe sigurinë ushqimore.

 

 

Prof. Zef Gjeta si një nga agronomët më të mirë të këtij vendi ju sugjeron çfarë të mbjellin e si të përkujdesen për to, si ti ruajnë ato, por shpeshherë edhe duke u çuar fara e fidanë të ndryshëm edhe me shpenzimet e veta. Përveç kësaj, Zefi u dhuron bujtinave nga një thes plot me libra nga botimet e veta dhe të miqve të tij duke u sygjeruar e mundësuar që secila të ketë një kënd me libra në formën e një biblotekë të vogël që të lexojnë turistët.

 

Përveç sa thashë mësipër për Sokolin, ai tashmë është bërë pjesë e pandashme e maleve. Dikur thonin vetëm për mua “është çmend e ka marrë malin” por tani e thonë edhe për Sokolin. Të gjithë e duan dhe mezi presin ta kenë mik në bujtinë apo në shpiat e tyre. Sa herë që shkoj atje pa të, menjëherë më pyesin “po Sokolin e ke”. Gjatë periudhës nga fundi i Vjeshtës e deri në fillim të Pranverës, “Tailanda Shqiptare” pra Blini i Gurit të Lekës, është vetëm i yni, pra i ne të treve. Kur të gjithë e braktisin atë vend zanash dhe marrin rrugën drejt qytetit, ne rregullisht në fundjavë apo edhe ditëve të tjera të mundshme, kthehemi atje, ndezim oxhakun e madh te Bee Eco, dhe aty shijojmë gatimet e shijshme të Sokolit e Gjystinës.

 

 

Shpeshherë na bashkangjitet edhe miku ynë Anton Prenga, vëllai i Altinit të Mrizit, ai i urti, ai që rrin atje brenda kuzhinës së Mrizit të Zanave, por që është mjeshtri i kuzhinës e shijes e sidomos verërave. Antoni, një djalë i shkëlqyer dhe shumë i apasionuar pas malit dhe mjaft i përgatitur për ecje e ngjitje.
Ato ditë e netë atje, kur i gjithë ai vend është vetëm i yni, janë të paimagjinueshme, janë si në përralla, janë ditënetët më të bukura të jetës së një njeriu. Kush nuk e beson dhe don ta provojë këtë eksperiencë fantastike atje, le të çojë gishtin se tek-tuk nganjëherë marrim edhe ndonjë mik me vete, kështu që në pritje, po e mbyll me ftesën e malësorëve të atjeshëm “Mirë se ju bjen i madhi Zot”.