Muzeu Onufri si model i ofertës turistike me teknologji bashkëkohore

15 Shtator, 2021 || 280 views

Arjan Prifti

Muzeu i Ikonografisë “Onufri”

Shumë njerëz sot në botë i bashkojnë disa karakteristika themelore në drejtimin e turizmit, siç janë: “ndjesia dhe perceptimi i një vendi”. Duke patur parasysh që shumë turistë udhëtojnë për interesa të ndryshme, në vetvete ka një efekt sinergjik të cilin e jep turizmi në përgjithësi, apo turizmi që përmbledh trashëgiminë kulturore të një vendi në veçanti.
Sigurisht njohja e turizmit i drejtohet tregut më të madh të mundshëm që ka mundësi të përshtatet me cilësitë dalluese të një vendi turistik, dhe padyshim qyteti muzeal i Beratit, i ka këto cilësi dalluese në aspektin faktik të turizmit, të vlerave të trashëgimisë kulturore e monumentale.

Frames from Onufri Museum

Në radhë të parë Berati i përket atyre qyteteve ku jeta ka pulsuar që prej krijimit të tij si një qendër me vlera të një qytetërimi të lashtë, dhe si i tillë i ka të ravijëzuara në rrjedhat e historisë të gjitha periudhat e qytetërimit, nga antikiteti Ilir tek periudha Romake, Bizantine, Sllave, post-biznatine (Osmane) e deri në ditët tona.
Sigurisht që periudha e kulturës bizantine dhe post-bizantine është një nga periudhat e përfaqësuara denjësisht me objekte me shije të lartë arkitektonike dhe artistike të kultit Kristian Orthodhokse (kisha), atij Islam e Tarikateve Muslimane (xhami), dhe me një sërë teqesh të mrekullueshme të besimit Bektashi.
Duhet marrë në konsideratë faktin që Muzeu i Ikonografisë “Onufri” ndodhet fizikisht në një nga qendrat më të rëndësishme të zonave muzeale të Beratit, në mes të një numri të konsiderueshëm kishash bizante dhe post-bizantine në kalanë e Beratit. I organizuar në ambientet e një prej objekteve më të rëndësishme kristian orthodhokse siç është Katedralja “Fjejta e Hyjëlindëses” (viti 1797), si dhe përbëhet nga një koleksion shumë i pasur i veprave të artit ikonografik, i cili zgjerohet si koncept zhvillues, jo vetem në përçimin e interpretimin e veprave të mjeshtrit Onufri, por i të gjithë produktit, të Artit dhe kulturës Ikonografike bizantine dhe post-bizantine nga shek XIV deri në fund të shek XIX, me shtrirje në të gjitha kishat e manastiret në rajonin e Beratit, duke luajtur kështu një rol dhe mision shumë të rëndësishëm.
Si një institucion muzeor, me Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, operohet në tregun e madh të turizmit edhe nëpërmjet asaj që quhet “paketa turistike” të cilën e servirin agjensitë dhe operatorët turistikë, vendas dhe të huaj.

 

The pavillions of “Onufri” Museum

E parë nga këndvështrimi dhe ndjeshmëria e publikut vendas, por edhe më gjerë, ndoshta ende vizitori vendas nuk është kaq i interesuar ndaj institucioneve muzeore në gjithë Shqipërinë. Ne shpesh ngremë pytejet: cilat janë shkaqet e vërteta?
Mos vallë është mungesa e kulturës dhe edukimit kulturor të publikut në vend apo e vërteta shtrihet më thellë?
Njëra nga arsyet që pengon njerëzit për të vizituar institucionet muzeore në Shqipëri është apatia e përgjithshme dhe mosinteresimi ndaj kulturës dhe artit. Kjo mund të jetë disi e vërtetë përsa i përket vizitorit vendas, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vizitorinë e huaj. Por nga ana tjetër një arsye kryesore është edhe shërbimi dhe mungesa e aftësive të mira profesionale, mungesa e theksuar shpeshherë e ideve të qarta për të mbrojtur projekte, për të bërë lobuar dhe për të bërë marketing. Pra na mungojnë disa elementë bazikë të cilët janë:
“Misioni ose mantra”, idetë dhe programimi i projekteve, menaxhimi sa më efikas i vlerave të trashëgimis kulturore, dhe format e komunikimit me publikun, i përkthyer në turizëm.

Fusha e mbështetjes së turizmit është kaq e re saqë sot ekspertiza në këtë fushë është akoma jo qartësisht e orientuar; ajo duhet të rritet në mënyrë shumë të shpejtë, që të arrijë presionin që vjen nga zhvillimi. Instrumenti ose edhe mantra kryesore që përdoret sot përkufizohet në shoqëritë e zhvilluara, si:“Turizmi mbështet dhe rrit karakterin gjeografik, historik, të një vendi – ambientin e tij, kulturën, estetikën, trashëgiminë dhe mirëqënien e banorëve të tij.”
Në përballje me një rritje permanente dhe të fuqishme të turizmit, sot nevoja për sa më shumë njohuri, informim, asistencë, për praktikimin e tij në një mënyrë mbështetëse por edhe konstruktive, është bërë absolutisht parësore, dhe e menjëhershme në Shqipëri.

Promotional leaflets in the muzeum

Po të imagjinoni njëherë një muzeum në Shqipëri, çdo ditë si të ishte dita e parë e hapjes së tij, për herë të parë do të kishte interes të vazhdueshëm mbi Shqipërinë jo të tipit politik por kulturor. Kjo hipotezë nuk është shumë larg realitetit, duke qenë se premisat dhe dëshira ekzistojnë dhe ka disa vite që puna është fokusuar në këtë drejtim. Por nëse duam të ekzistojmë dhe të mbijetojmë në një ekonomi globale, duhet të integrojmë edhe artin, kulturën, turizmin dhe gjithë trashëgiminë tonë në parametrat e kësaj shoqërie globaliste. Sot e kaluara (klishe), që muzeumet tona ekspozojnë, përzihet me të tashmen e marketingut, e vlerave që duhet t’ia “shesim” ose servirim publikut. Idetë e reja dhe komunikimi i duhur i tyre janë gjthçka që institucione tona muzeore kanë nevojë për të hyrë dhe konkuruar në këtë 10-vjeçar të tretë të shekullit XXI.
Një përfitim shumë i rëndësishëm për sitet muzeore, parqet arkeologjike dhe monumentet e trashëgimisë dhe turizmit kulturor është përfitimi financiar, i cili mund të vijë dhe nga furnizimi i turistëve me elemete të një kulture të re shërbimi e cila përfitohet dhe nga komunikimi i duhur nëpërmjet teknologjisë inovative bashkëkohore.

Është e vërtetë që sot shumë organizma të turizmit e trashëgimisë kulturore ekzistojnë dhe punojnë në aspekte të ndryshme të mbështetjes së turizmit, ruajtjes historike, trashëgimisë e integrimit kulturor, institucioneve muzeore, cilësinë e peisazheve, gjeoturizmin, zhvillimin e komunitetit e kështu me radhë. Por megjithatë kjo fushë është kaq e re, saqë informacioni mbi të është i copëzuar, dhe vjen në mënyrë josistematike. Shumica e programeve të një shkalle të avancuar në këtë fushë kanë veçse pak vite jetë. Këto programe e projekte kanë filluar të zhvillohen dhe të jenë të pranishme këto vitet e fundit, nën konceptin për forcimin dhe përditësimin e kapaciteteve profesionale e teknologjike në sitet dhe qendrat muzeore, por edhe për shumë aktorë të tjerë publikë të turizmit kulturor, por edhe më gjerë.

Tourists using audioguides

Me asistencë dhe ekspertizë të ekspertëve të ndryshëm të huaj, aktorëve të trashëgimisë dhe turizmit kulturor, ne do të përfitojmë bashkërisht përvojat relevante dhe efektive në institucionet tona, për t`u fokusuar në të gjithë problematikën e sotme, por edhe duke u orientuar drejt një vizioni dhe koncepti bazik për një turizëm kulturorë bashkëkohor.
Për të krijuar sot një imazh të ri dhe konkurues, kjo gjë nuk mund të ndodhë pa përmirësim, përditësim dhe menaxhimin e kapaciteteve profesionale, marrëdhënies së stafeve muzeore, duke theksuar potencialin njerëzor dhe metodologjia e përdorur, si dhe komunikimin e duhur nëpërmjet teknologjisë bashkëkohore.

Në kuadër të një koncepti i cili po projektohet nën moton: “Fuqizojmë muzetë nëpërmjet tekonologjisë digjitale”, sigurisht një sipërmarrje madhore dhe risi për dixhitalizimit e sitetve dhe qendrave muzeore në Shqipëri, Qendra Muzeore Berat prej disa vitesh ka implementuar vendosjen e Guidës me sistem QR-cod në ambientet e Muzeut të Ikonografisë “Onufri”, që ofron guidën mbi artifaktet (ikona & objekte liturgjie) e përzgjedhura nga ky koleksion. Është një produkt i ri që i seviret si pjesë e guidës (Audio). Guida me QR-cod, i cili zhvillohet në eksterierin dhe interierin e muzeut, me sinjalistikën përkatëse u mundëson vizitorëve konceptin e përdorimit nëpërmjet internet wireless-ii dhe faqes të webit: muzeumet-berat.al.
Në Muzeun e Ikonografisë “Onufri” për vizitorin bëhet e mundur mbërritja tek informacioni me sallat dhe fondin historik më të zgjeruar, në 3 gjuhë të ndryshme: shqip, anglisht, italisht.
Ky produkt është një shërbim që ofrohet pa pagese shtesë vizitorit, vendas dhe të huaj, mjafton që vizitori të ketë në përdorim personal, një aparat iphone ose smartphone e tij.

Visitors using audio guides

Ndërsa promovimi në vitin 2019 i “Audio – Guidës” në 4 gjuhë (shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht) është një teknologji, e aplikuar për herë të parë në muzetë kombëtarë në vend, ndërtuar në kuadër të projektit Into Albania (Innovative Tourism in Albania). Ky projekt erdhi si një bashkëpunim i ngushtë mes ekipit të projektit Creative Business Solutions “CBS”, stafit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri” (që dha ndihmesën në të gjitha hapat e projekit) dhe kompanisë së mirënjohur franceze “Orfeo” (Orpheus), e specializuar në dixhitalizim të shërbimeve muzeale, si dhe “A.A FILM Company” në Tiranë. I mbështetur financiarisht nga USAID & Sweden Sverige.
Pas një pune të gjatë dhe me sfida të shumta, Muzeu i Ikonografisë “Onufri” ka tashmë një teknologji të re, siç është sistemi i shërbimit Audio-Guide. Turistët do të kenë mundësinë të zbulojnë muzeun dhe kryeveprat e tij, duke ndjekur ritmin që i përshtatet atyre, në 40 rubrika, nën një rrëfim për rreth 90 minuta.
Këto 40 rubrika në qendër kanë informacion përshkrimor mbi ikonat, artifaktet, dhe mjeshtrit (autorët), që i realizuan këto thesare, pjesë e koleksionit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri”.
Ky informacion vjen tek vizitorët përmes një rrëfimi të kuruar dhe studiuar mirë, duke bërë një udhëtim vetjak në historinë e ikonave dhe mjeshtrave ikonografë, ndër më të njohurit në rajonin e Shqipërisë, dhe shoqërohet në sfond me tingujt e muzikës bizantine, çka e bën vizitën më të pëlqyeshme, të thjeshtë dhe tërheqëse. Duke i dhënë njëkohësisht “liri & privatësi”, që vizitori të fokusohet në rubrikat (ikonat & artifaktet) e dëshiruara, nëpërmjet udhërëfyesit (Manuale Përdorimi) në 4 gjuhët e përzgjedhura, pa praninë e një guide didaktike.
Padyshim që ky projekt i përmbush pritshmëritë tona, në raport me rritjen dhe ofertën e një shërbimi shumë dinjitoz, i cili është konsideruar si një hap i ri për kulturën e muzeve shqiptarë.
Nga ana tjetër, ky projekt ishte tepër angazhues dhe madhor në të gjithë përbërësit e tij, si produkt promovues që do të sjellë një përvojë krejtësisht të re, për shumë turistë në këtë muze.
Guidë didaktike e specializuar që ofrohet për grupe të organizuara, për delegacionet, për nxënësit e shkollave, për specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore (në gjuhët shqip, anglisht, italisht, kohëzgjatja nga: 45 -55 min). Moduli i broshurave me fisha, (Guida format- A3) që ofrohet si një gjetje e guidës alternative, si një udhëtim vetjak me përshkrim narrativ deri në 18 gjuhë: shqip, anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, hollandisht, çekisht, rusisht, sllovenisht, hungarisht, polonisht, bullgarisht, maqedonisht, greqisht, japonisht, suedisht, kinezçe, është sot padyshim krijimi i një imazh të ri dhe konkurrues turistik për muzetë, e cila nuk mund të ndodhë pa përmirësimin, menaxhimin dhe përditësimin e kapaciteteve profesionale dhe komunikimin e duhur dhe të menjëhershëm, i cili vjen edhe nëpërmjet teknologjisë së re bashkëkohore, gjthçka për të cilën kanë nevojë sot sitet tona muzeore.