Mirela Kumbaro: Buxheti për vitin 2023, mbështetje për 7 projekte në turizëm dhe mjedis

5 Nëntor, 2022 || 126 views

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se, projektbuxheti i vitit 2023, adreson mbështetje për 7 projekte të rëndësishme në sektorin e turizmit dhe mjedisit me ndikim në ekonominë e vendit.

 

Duke folur për projektbuxhetin e vitit 2023, në komisionin e Kuvendit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Kumbaro tha se “kemi gati projektet për 5 venddepozitime të mbetjeve, në bashkitë Burrel, Kukës, Libohovë, Përmet dhe Krujë. Zbatimi i investimeve për këto projekte ka filluar në 2021-shin dhe do të shtrihen deri në vitin 2023”.

 

Gjithashtu, vijoi Kumbaro, në 2023 kemi një projekt të ri në zërin e investimeve, për ngritjen e infrastrukturës turistike në Ulëz, ku do të ndërtohet “Ekopark Ulëza”. Projekti tashmë është hartuar dhe pritet në zbatim vitin që vjen me një fond 102.9 milionë lekë duke e kthyer Ulëzën në një destinacion turistik, natyror.

 

“Një tjetër projekt në funksion të turizmit ujor por edhe natyror, është ai në ujërat termale të Bënjës, që është një zonë shumë e frekuentuar dhe ka nevojë të pajiset me infrastrukturën përkatëse të shërbimeve për turistët, por edhe që i vjen në ndihmë edhe mirëmenaxhimit të zonës”, u shpreh ministrja.

Ajo vuri në dukje se, në programin e investimeve është edhe projekti për shënjimin e shtigjeve në Zonat e Mbrojtura.

 

“Na rezulton nga të gjitha sondazhet, se gjatë 2021-2022 zonat e mbrojtura janë shumë të frekuentuara nga vizitorët dhe turistët e huaj. Ndaj ne bashkë me promovimin e këtyre zonave po ecim paralelisht edhe me mirëmenaxhimin e tyre. Po mbarojmë manualin në përdorim të shtigjeve malore, që do t’i vijë në ndihmë veçanërisht turistëve të aventurës”, theksoi Kumbaro.

 

Kumbaro tha se, tre projekte të tjera janë ajo e krijimit të qendrës multifunksionale në lumin Vjosë, projekti për studimin e ekosistemeve të 5 lagunave dhe rikonstruksioni i godinës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit.