Mikpritja Miliona-Yjëshe në bujtinat tradicionale të Bjeshkëve të Kosovës

20 Dhjetor, 2021 || 570 views

Fshatrat piktoreske të Bjeshkëve të Nemuna dhe bjeshkës së #Rugovës prej vitesh janë shndërruar në vendpushime të parapëlqyera për adhuruesit e natyrës së paprekur. Të pushosh disa ditë në zemër të kësaj natyre të bujshme, larg rutinës së përditshmërisë, pa sinjal në celular dhe pa internet, të pish ujë të freskët burimi, të shijosh produktet e freskëta të staneve dhe një gotë raki të zier nga vetë banorët e zonës, është padyshim përvojë e paharrueshme. Kjo pjesë e Kosovës është përfshirë në të quajturat shtigje të “Via Dinaricas” dhe “Majat e Ballkanit” (Peaks of the Balkans) që kalojnë nëpër Bjeshkët e Nemuna të Kosovës, #Shqipërisë dhe Malit të Zi. Rrugëtimi nëpër këto shtigje të nis drejt aventurës në natyrë, ku shtegtarët gjejnë prehjen në bujtinat e zonës – aty ku ruhen traditat shekullore të mikpritjes malësore.
Viteve të fundit, numri i bujtinave tradicionale është rritur, bashkë me rritjen e kërkesës.

Lexo edhe: Shihemi në Malet e Kosovës! 

Këto bujtina përçojnë të paprekur shpirtin e mikpritjes përmes arkitekturës së tyre tipike, ngrohtësisë së mjediseve të brendshme, ushqimit tradicional të përgatitur vetëm me produktet e zonës dhe sigurisht, përmes historive që rrëfejnë bujtinarët. Të gjitha këto janë përbërësit autentikë të një përvoje të paharrueshme për vizitorët.

 

 

Një ditë e zakonshme në bujtinë nis shumë herët në mëngjes, ende pa lindur dielli. Bujtinarët përgatisin mëngjesin: vezë të fshatit, djathë, kos, mazë, petulla, palëpeta, bukë e shtëpisë, perime të kopshtit, reçel dhe fruta, çaj dhe kafe. Mëngjes i pasur, përgatitur me bujari që u jep vizitorëve energjinë e duhur për ditën që i pret.

Xhevahire dhe Ilir Shala menaxhojnë bujtinën “Shqiponja” në fshatin Drelaj. Bujtina është ngritur në mesin e gjelbërimit të dendur të malit, ku dora e tyre ka ngritur një kopsht me lule si nëpër përralla. Kjo bujtinë pret e përcjell mysafirë të të gjitha moshave, nga e gjithë bota. Bujtina “Shqiponja” ka dy shtëpi me kapacitet prej 30 vetësh. Përveç dhomave të fjetjes, bujtina ka dhe hapësirat e përbashkëta ku turistë dhe mikpritës kalojnë kohë së bashku.

 

 

Bujar Zeka e ka ngritur bujtinën e tij në fshatin Shkrel, Rugova Hiking. Nga ballkoni, shpaloset pamja e mahnitshme e lëndinave dhe maleve. Zjarri në oxhak ia shton ndjesinë e mikpritjes kësaj bujtine rugovase që është e hapur gjatë të gjithë vitit. “Kapaciteti është deri në 10 vetë dhe gjithnjë punojmë me rezervime” tregon Bujari.

 

Fshati Milishevc është një nga mrekullitë pak të eksploruara të Kosovës. Për të mbërritur deri tek stanet e këtij fshati, duhet të ecësh nëpër pyllin e dendur me bimësi të harlisur. Një përrua me ujë të pastër mali që kalon nëpër rrugë dhe ta ngadalëson për pak shpejtësinë e lëvizjes ia lëshon vendin kullotave mbresëlënëse që shpalosen sapo u afrohesh staneve. Këtu, familja Mulaj ka ndërtuar kullën-bujtinë të familjes të quajtur Kulla Guest House .

 

Kjo bujtinë ka kapacitetin të presë deri në 50 vetë menjëherë. Kulla prej guri ka tri kate, 9 dhoma për fjetje dhe disa hapësira të përbashkëta për turistët. Përveç kullës, në të njëjtin oborr janë dhe 4 shtëpiza druri me nga një dhe katër dhoma të fjetjes. Atraksioni i veçantë i kullës është oda tradicionale e burrave. Në oborr është edhe vendi ku piqen flija dhe mishi. Ushqimi që përgatisin zonjat Mulaj është i freskët dhe origjinal. Ato i blejnë të gjitha produktet nga stanet rrotull dhe nga banorët e fshatit. Çdo detaj është i menduar mirë për t’iu ofruar të gjithë vizitorëve ndjesinë e vërtetë të jetesës në kullë.

 

Një tjetër destinacion i eksploruar pak është vendi i quajtur Zllanopojë, në Roshkodol pranë Bjeshkëve të Nemuna. Kryesisht, turistët arrijnë në këtë pikë të largët në këmbë ose me kuaj, pasi bujtinat dhe stanet e kësaj zone janë pjesë e itinerarit të “Majave të Ballkanit” (Peaks of the Balkans) dhe “Via Dinarica”. Gjatë muajve të verës atje mund të shkosh dhe me xhip dhe rruga që ndiqet nëse pikënisja është Deçani, është një mrekulli e natyrës së egër e që nuk duhet humbur.

 

 

Në një lëndinë përrallash është ngritur bujtina “Lojza” . Sapo të shfaqet para syve, Bujtina “Lojza” menjëherë të krijon ndjesinë e mikpritjes. E ndërtuar kryesisht me dru, dy katet e bujtinës ofrojnë krejt çka është e nevojshme për turistët: shtretër të rehatshëm, odën për të kaluar orë të tëra me biseda të hareshme, bylmet të freskët nga stanet përreth, ushqim tradicional dhe mbi të gjitha, atmosferë miqësore. Veranda e bujtinës është vendi ideal për t’u freskuar pas ecjes disa-orëshe për të mbërritur këtu.

 

 

 

Zeki Ahmetgjekaj, pronari i bujtinës, kalon këtu së paku gjashtë muaj në vit dhe pret mysafirë nga e gjithë bota. Ai tregon se para pandemisë, ka patur deri mbi njëmijë vizitorë dhe secili është larguar prej aty me përshtypjet më të mira për bukuritë, kulturën dhe mikpritjen e Kosovës. Jo rrallëherë, posta i sjell në Pejë, ku ai jeton gjatë dimrit, kartolina dhe suvenire nga mysafirët.

 

“Këtu nuk ka internet, nuk ka sinjal për celular. Jemi ne dhe natyra. Kohën e kalojmë të gjithë bashkë. Turistët e huaj kanë dëshirë të mësojnë të përgatisin ushqimin si ne dhe me ndihmojnë me përgatitjen e mëngjesit ose darkës. Pas darkës, lëshojmë muzikë, pimë, luajmë me shigjeta e harqe këtu në lëndinë” e përshkruan Zekiu një ditë të zakonshme në “Lojza”.

“Shpesh, turistët kërkojnë të flenë jashtë, këtu në lëndinën para bujtinës. Ata thonë ‘të shijojmë gjumin në bujtinën me miliona yje’”, tregon Zekiu.

 

Përkrahja zvicerane për zhvillimin e turizmit në Kosovë
Që nga viti 2014, organizata Swisscontact përkrah zhvillimin e turizmit në Kosovë. Shembuj të kësaj përkrahjeje janë edhe zhvillimi i produkteve të reja apo i destinacioneve, sikurse janë Via Ferratat nëpër Kosovë apo bujtinat malore. Përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), janë zhvilluar shumë aktivitete në fushën e zhvillimit të turizmit, që kanë kontribuuar në rritjen e punësimit dhe të të hyrave për komunitetin lokal. Këto aktivitete janë fokusuar në koordinimin dhe menaxhimin e destinacionit, promovimin e tij, përmirësimin e ofertës turistike dhe të shërbimeve turistike.