Merr udhë “Terra Madre – Salone del Gusto 2022”. Karlo Petrini: ushqimi është shkak i krizës mjedisore por mund të jetë edhe zgjidhja e saj.

September 22, 2022 || views

“Kriza klimatike është një fatkeqësi e vërtetë që po shqetëson jetën e miliona njerëzve, por shkaku kryesor i kësaj përmbysjeje është sistemi global i ushqimit”.

 

Kështu deklaroi themeluesi i Slow Food International, Carlo Petrini, në inaugurimin e edicionit të 14-të të “Terra Madre Salone del Gusto”, eventi global i organizuar nga Slow Food, Rajoni i Piemontes dhe Qyteti i Torinos kushtuar ushqimit të mirë, të ​​pastër e të drejtë dhe politikave të ushqimit, në Parco Dora në Torino, i cili do të vazhdojë deri të hënën më 26 shtator.

 

“Në këto pesë ditë të Terra Madre, ushqimi është protagonist, i menduar si një vektor përmes të cilit materializojmë tranzicionin dhe rigjenerimin që na nevojitet. Ndryshimi është tashmë në zhvillim e sipër: secili prej nesh mund të zgjedhë të jetë pjesë e tij si protagonist, ose të vuajë vetëm pasojat. Terra Madre ekziston pikërisht për të kuptuar shtrembërimet e sistemeve ushqimore dhe për të kuptuar se si duhet vepruar në vetën e parë”. Demonstrimin e jep edhe fluksi i publikut në këtë ditë të parë, duke filluar nga grupet e shkollave që morën pjesë në seminare, të pregatitura prej javësh dhe itineraret e ngritura në Parco Dora.

 

Më shumë se 600 pavione, mbi 700 ekspozues nga të gjitha rajonet e Italisë dhe botës, pothuajse 200 Presidia Slow Food, dhjetëra të ftuar italianë dhe ndërkombëtarë që do të flasin për gastronominë, ushqimin dhe rëndësinë ekonomike, mjedisore dhe sociale të asaj që ne vendosim çdo ditë nën qiellzën tonë: Terra Madre është e gjitha kjo dhe shumë më tepër. Është argëtim, darka dhe degustime, ushqim i mirë, verëra, birra, kafe e shkëlqyer.

 

 

Është një festival në të cilin ushqimi tregohet përmes njerëzve: më shumë se tre mijë delegatë të ardhur nga më shumë se 150 vende, secili me një pasuri të njohurive, përvojës dhe traditive të vendit të vet. Terra Madre është vendi ku bëhet një shkëmbim i gjithë këtyre njohurive, një moment pasurimi kolektiv për çdo pjesëmarrës.

 

Shqipëria për të disatin vit rresht, prezatohet nga një grup dinjitoz, udhëhequr e mundësuar nga VIS Albania dhe Slow Food Albania me 23 pjesëmarrës ndër të cilët kuzhinierë të njohur tashmë si Altin Prenga, që është edhe themeluesi Slow Food Albania, i cili preu edhe shiritin e çeljes së këtij edicioni.  E pranishme në event është gjithashtu edhe ministrja e Bujqësisë Znj. Frida Krifca.

Travel Magazine Balkans është gjithatu pjesë e këtij delegacioni dhe do të bëjë mbulimin mediatik të eventit dhe veprimtaritë e delegacionit shqiptar, i cili do të ekspozojë receta autentike shqiptare dhe ushqime “presidia” si djathi Mishavinë,që u shpall djathi më i mirë në botë për vitin 2021.