Me 25 prill 2021 çelet zyrtarisht sezoni veror, vjen çarteri i parë nga Ukraina. Tatjana Bajraktari: parashikojmë dyfishin e turistëve të vjetshëm

20 Prill, 2021 || 352 views

Në një kohë kur gjithë atmosfera e shoqërisë shqiptare është ndezur nga flaka e politikës dhe ethet e zgjedhjeve parlametare, turizmi vazhdon me kokëfortësi përpjekjet për mbijetesë. Është pikërisht me datë 25 prill, në ditën kur mbahen këto zgjedhje parlamentare, pak para se të mbyllet orari zyrtar i votimeve që në aeroportin e Rinasit do të ulet avioni i parë me turistë nga Ukraina.

Është sërish ALER Travel ai që çel sezonin turistik të këtij viti, këtë herë afërsisht dy muaj më shpejt, duke na dhënë shpresën që kjo verë do të jetë pak më e mbarë për turizmin shqiptar.

Në një bisedë me Tatjana Bajraktarin, administratoren e ALER Travel, mësojmë se marrëveshjet me partnerët dhe kërkesat e turistëve ukrainas dhe bjellorusë kryesisht, premtojnë një fluks të tillë që, nëse gjithçka shkon mbarë, do të arrijë dyfishin e numrit të vjetshëm.

Vera e shkuar regjistroi afërsisht 30 mijë turistë, grupi i fundit i të cilëve u largua nga Shqipëria me 25 tetor 2020, çka do të thotë që numri i vizitorëve që presim këtë verë nga ALER Travel, është rreth 50-60 mijë nga dy vendet e mëdha rusishtfolëse.

ALER Travel është një prej oeratorëve turistikë më të spikatur, i cili vitin e shkuar e përfshiu Shqipërinë nëpër statistikat e turizmit, si operatori i vetëm që çeli një sezon turistik dhe uli çarterin e parë në Europën e kyçur nga pandemia.

Në sezonin dimëror, ALER nisi përpjekjet për të çelur një rrugë të re të ardhjes së turistëve lindorë drejt Ballkanit, duke shtruar platformën e turizmit të dëborës, nisur edhe prej kushteve të diktuara nga pandemia por edhe si një mundësi të re e mjaft të leverdisshme për turistët e aventurave të bardha. Edhe pse nuk ishte një sezon i vrullshëm e fort i favorizuar nga dëbora që mbërriti vonë në Ballkan, Tatjana Bajraktari shprehet e sigurt se ka shtruar piketa të forta për nisjen e një sezoni dimëror më të shëndetshëm, i cili mund të shtrihet deri në mars e të lidhë kështu dy sezonet, duke siguruar një shtrirje gjithëvejëtore, së paku të turistëve të saj të vendeve rusishtfolëse. Ajo shton me humor se aktualisht Mavrova është plot me dëborë, dimri akoma nuk ka ikur dhe turistëve që do të vijnë të dielën, mund t`u ofrojë edhe mundësinë e shkëputjes nga deti, për një fundjavë skish. Pse jo? Shqipëria e vogël në kilometra t`i ofron këto alternativa.

Duke i ururar sezon të mbarë ALER Travel, shpresojmë që çarteri i parë të jetë një ogur i mirë për të gjithë sezonin turistik, mbarësi për të cilën Shqipëria dhe ekonomia e saj e lodhur  ka vërtet nevojë këtë verë.