Max Mavrud, vera e zotërinjve me aromë Leskoviku

December 4, 2022 || views

A e dini se Leskoviku dikur ka qenë një “vend bejlerësh”? Me shtëpi ku veronin të pasurit e Korçës, me llixha ku vinin e “zbukuroheshin” bejlereshat? Me vreshta pa anë e fund? Leskoviku i sazeve, i natyrës së bukur, i Llixhave të Sarandaporit, i klimës së mrekullueshme, i burimeve e krojeve me ujë kristal, i mjeshtërve të drurit e gurit, ka pasur një periudhë shkëlqimi e begatie që vështirë se do të përsëritet ndonjëherë. Por kurrë nuk thuhet kurrë dhe Max Mavrud na e vërteton plotësisht këtë.

Rikthim në vendlindje

Familja Fejzulla, e Kantinës Max Mavrud me origjinë të vjetër nga kjo zonë, investoi për t`i dhënë edhe njëherë zonës së Leskovikut një identitet që të njihej ndërkombëtarisht për prodhimin supercilësor duke zgjedhur pikërisht këto varietete si Mavrud Pinot, Debinë e Bardhë dhe e Zezë dhe në kultivarë ndërkombëtarë, pasi këta kultivarë kishin lënë gjurmë në historinë e zonës së Leskovikut.

 

Vreshtat e Kantinës Mavrud në Leskovik Vreshtat e Kantinës Mavrud në Leskovik

 

Gjithkush dëshiron ta shohë sa më mirë vendin e vet dhe bën ç`është e mundur për këtë, në mënyrën e tij. Familja Fejzulla bëri pikërisht këtë dhe nëse ky shkëlqim nuk do të vinte dot për të gjitha ato cilësi që Leskoviku kishte dikur, ka disa bulëza vezulluese që jo vetëm i janë rikthyer por kanë marrë vlerën e margaritarëve. Apo më mirë le të themi të rubinëve të kuq.

 

Vera Mavrud nëpër festat lokale

Po, sepse po flasim për vreshtat me nam të leskoviqarëve, që dikur prodhonin verë të cilësisë së lartë “vetëm për zotërinj”. Sot ato vreshta kanë marrë jetë falë Maksit e Dianës, që nuk deshën ta lënë në harresë origjinën, që erdhën e i rizgjuan vreshtat e harruara, u kthyen magjinë e dikurshme, i krasitën e nxorën sytha të rinj, e sot, në plot 16 hektarë, shpaloset një prej panoramave të më bukura të Juglindjes së Shqipërisë, që si në ato pikturat e Rilindjes Europiane, pasi krjohet sfondi idilik, vendoset me dorë një shtëpizë e bukur përrallash për ta bërë tablonë perfekte.

Mavrud, vera tipike leskoviqare

E dini se cili është varieteti i veçantë i Leskovikut? Është vetëm një dhe quhet Mavrud, edhe pse për dashuruesit e verës, që “marrin vesh” nga kultivarët, duhet të themi që në vresht kultivohet Debinë e bardhë dhe e zezë, Merlot, Pinot etj. E meqë vera është poezi, Mavrudi i Leskovikut mund të quhet me fat që për ta bërë edhe një herë një verë “me nam”, do të vinte pikërisht Maksi, që do t`i dhuronte një figurë aq të bukur letrare si aliteracioni, për ta prezantuar nëpër botë me emrin aq të bukur “Max Mavrud” që këndon si emër e vallëzon si shije.

 

Vera Mavrud në restorantet tradicionale shqiptare

Për verën është vështirë të flitet pa u ndjerë pak poet por natyra që rrethon vreshtat e Max Mavrud ta bën edhe më të thjeshtë dellin poetik. E për ta bërë mikpritjen mbresëlënëse, kantina është kthyer tashmë në një pikë të mrekullueshme agroturistike ku vera ekzaltohet në shije, shoqëruar me produkte të zonës, gatimet lokale, frutat e kopshtit, zahiretë e amvisave duararta. E kush mund t`ua kalojë gatimeve të Kolonjës?

Jo vetëm kantinë por edhe bujtinë

Edhe pse kur bisedojmë me Florin ai flet thjesht, duke na shpjeguar se si kantina prodhon një lloj vere të kuqe, një blend i harmonizuar Mavrud dhe Merlot ose Pinot dhe Merlot nga një kombinim kultivarësh të kuq në momentin e ambalazhimit, ne e kuptojmë se ka një dashuri të sinqertë në fjalën e tij, siç mund të jetë vetëm dashuria për verën.

 

Sot Max Mavrud pa asnjë dyshim ia ka kthyer shkëlqimin Leskovikut me sqimën e hollë, me shijen aristokratike si dikur, me mikpritjen dhe dashurinë për vendin e origjinës, që ashtu si Maksi u kthye për të ringjallur vreshtat, ashtu të kthen pas në kohë, në atë kohë të artë kur Leskoviku i Sazeve, i Hafizesë e Asllanit, përmendej në të gjithë Shqipërinë, nëpër Janinë e Stamboll, për zërin e rrallë dhe lojën virtuoze me saze, muzikë për shpirtin e shije për zemrën. Ashtu si vera e e kuqe e Leskovikut që të llaston shpirtin e të shton jetën.

 

 

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by MAX WINE (@maxmavrud)


Kantina Max Mavrud ndodhet në zonën malore të Shqipërisë në Jug-Lindje në Leskovik. Aktualisht kantina prodhon një lloj vere të kuqe, një Blend e harmonizuar nga një kombinim kultivarësh të kuq në momentin e ambalazhimit.
Ngarkesa mesatare e vreshtit varion nga 50 deri 60kw për Hektar, mesatarisht 1,4kg rrush për rrënjë hardhi. Verërat shprehen me një vlerësim organoshqisor të shkëlqyer e mbresëlënës. Vreshtat e kantinës janë kultivuar në terren malor në lartësinë 750 metra mbi nivelin e detit me kundrejtim jugor ku rrezet e djellit e rrahin nga lindja e deri në perëndim. Terreni është gëlqeror me pH 7.2. Kantina disponon 16 hektarë vreshta; 5 Ha Mavrud 3 Ha Debine e zezë dhe e bardhë 3 Ha merlot, pjesa tjetër Pinot Syrah Perla. Tendenca është në rritje nga viti në vit me kultivarë: Mavrud, Merlot, Pinot Noir, Debine e Bardhë, Debine e Zezë dhe Perla.

Më shumë foto: këtu