Margjelo, një laborator turizmi në ndihmë të traditës

December 17, 2021 || views

Në historinë e turizmit shqiptar, nëse je një pionier, ose do të kthehesh në model për të tjerët, ose do të shndërrohesh në një udhërrëfyes të atyre që duan të ndjekin këtë model.

Kështu mund ta nisim rrëfimin për Margjelon, por pa ditur se në cilën kategori të turizmit ta përfshijmë, sepse ka marrë përsipër një nismë, që nga përpjekjet e ngjashme në këtë sektor, ne e quajmë laborator turizmi. Për ta përmbledhur në pak fjalë, një punishte artizanati e produktesh lokale, ku turistët mund të vijnë të shohin drejtpërdrejt copëza nga e shkuara jonë në drejtim të traditës, nga duart e artizanëve dhe prodhuesve që po i bëjnë ato në kohë reale. Në një mjedis të përbashkët ku secili sektor ka rëndësisnë e vet, ata mund të shohin se si mjeshtrat punojnë filigranin, këtë traditë të hershme të Shkodrës, që nga lënda e parë argjendi, telëzimi, punimi, krijimi i figurave. E deri tek produkti final, ku çdo artizan ka detyrën e tij të veçantë dhe mjetet përkatëse në punishte. Nga ana tjetër, në një dhomë të bukur tradicionale dy-tri gra mund të qepin e qëndisin, të thurin me grep apo me shtiza zbukurime të ndryshme shtëpiake e personale apo edhe veshje të traditës. Diku në një kënd qëndron tezgjahu, ku do të enden copat e famshme që sot i ka traditë ende të gjallë Zadrima, dheqë aq shumë pëlqehen sot, jo vetëm nga të huajt por edhe nga shqiptarët që duan t`i kthehet tradtitës. Diku në pjesën e pasme, në një kënd të oborrit të gjelbëruar, mbushur plot lule e pemë frutore, do të zihet raki e bëhet verë sipas stinës, nga rrushi i vreshtave aty pranë, ose sipas rastit, do të përgatiten zahire dimri, duke filluar që nga mishrat, e deri tek frutat e perimet, duke i shndërruar në turshi, reçelna, gliko e lëngje frutash. Vizitorët e rastit mund të përfshihen sipas dëshirës në këto procese ose thjesht të degustojnë produktet, të cilat do të ofrohen në lulishten e bukur në çdo stinë.

Të gjitha punimet që do të prodhohen në këto punishte, do të zënë vend në një vitrinë të madhe e të bukur në ballë të ndërtesës, organizuar në formën e një dyqani por edhe të një ekzpozite, ku do të serviren jo vetëm produkte nga ato që prodhohen në laboratorin-punishte por edhe punë e produkte të tjera të zonës, duke filluar qysh prej veriut të skajshëm të Malësisë së Madhe, e deri në kufirin e poshtëm të zonës së Shkodrës, Vau i Dejës, Zadrimë e Pukë, për t`i dhënë mundësi çdo objekti që flet me gjuhën e traditës, që të shkojë në dorën e turistit, jo vetëm të huaj por edhe atij shqiptar, nga çdo cep i Shqipërisë dhe i trevave shqiptare në rajon.

Grupin e vizitorëve do ta presë një prej vajzave ose grave të stafit të punishtes, ashtu si vajza e shtëpisë pret miqtë që i vijnë n`derë, duke e qerasur sipas rastit me fruta, lëngje frutash të stinës, të shtrydhura, ëmbëlsira ose ndonjë gatim shtëpie që mund të bëhet në kushtet e punishtes, si pjesë e ofrimit të traditës.

Sot kudo në botë, turizmi më i kërkuar është ai i përvojës. Njerëzit tashmë janë ngopur me vende të bukura, monumente madhështore, kisha e katedrale shekullore, qendra historike qytetesh, muze të pasur në artefakte apo rrënoja të antikitetit të lavdishëm, që edhe pse të bukura, ngjajnë pak a shumë kudo njëlloj. Sot një vizitor që shkon në një vend të caktuar ka dëshirë të njohë njerëzit e tij, mundësisht njerëzit e thjeshtë, ata të punës, ata që ruajnë traditat dhe zakonet, që i bëjnë të ndryshëm e njëkohësisht të veçantë. Njohja e kulturës së një kombi përmes traditave popullore, këngëve, valleve, festave, zakoneve, objekteve dhe sendeve të përdorimit të përditshëm, është një pasuri më e madhe për një turist, sesa vizita në një muze. Ndaj dhe turizmi i përvojës po merr gjithmonë e më shumë vëmendje, duke u shndërruar edhe në kryefjalën e paketave turistike.

Natyrisht për Margjelon, shkaku kryesor i kësaj ideje, që Aurora me bashkëshortin e saj, jo vetëm e ushqyen por edhe guxuan ta vënë në jetë, , ishte Filigrani. Duke pasur një punishte filigrani në Shkodër, dëshira për ta ruajtur këtë traditë të hershme të qytetit, që dikur ishte një kryeqendër tregtare me lidhje të shtrira në të gjithë botën, duke dashur të ruajnë si sytë e ballit ata pak mjeshtra të punimit të kësaj gjinie të bukur të artizanatit, duke shpresuar se dikush nga brezi i ri do ta përqafojë këtë “zanat” e do ta trashëgojë më tej, ata u kujtuan se edhe plot mjeshtëri të tjera po shkojnë drejt zhdukjes, si endja e qilimave, tezgjahu, qëndismat apo punimet artistike në lëndë të ndryshme. Ndaj dhe menduan: pse të mos i bëjmë bashkë të gjitha në një vend e të ftojmë turistët të vijnë e t`i shikojnë, teksa artizanët e mjeshtrit punojnë?

Kurse emri, ah emri. E kush nuk e njeh këngën e bukur të Margjelos sojnike, perlën e Prenk Jakovës, që sot është bërë e pavdekshme? A kishte emër më të bukur për një aktivitet me mision ruajtjen e traditës që do të vinte nga Shkodra?

Vetëm t`i shikoni se sa të bukura janë punimet në filigran që vijnë nga duart e mjeshtrave të Margjelos. Simbolet e Shkodrës hedhin valle nëpër vitrina, duke e bërë unik çdo punim, edhe pse Margjelo punon gjithçka edhe sipas dëshirave tuaja, për një dhuratë të personalizuar. Një shërbim tjetër i vyer që i bëhet tregut të artizanatit me këto produkte unike, që nuk përsëriten dy herë, është edhe mbajtja larg e punimeve abuzive, që vijnë nga Turqia e fatkeqësisht shiten si filigrani i Shkodrës. Por Margjelo e ka vendosur, që edhe në këtë drejtim, çdo punë do të vijë vetëm nga duart e artizanëve dhe jo nga përmbytja e tregut global.


Sepse prandaj e nisi këtë mision. Që të ruajë traditën, identitetin kombëtar dhe t`u tregojë të huajve se sa shumë pasuri të çmuar ka brenda gjirit të kombit shqiptar, e veçanërisht Shkodrës.
E kur të vish në Shkodër, mos harro me ardhë tek Margjelo!