Macukulli, magjia që i mungon kurorës së 100 fshatrave turistikë

22 Nëntor, 2019 || 1165 views

Alma Lahe

Fshati i kullave madhështore, shtëpia e dokumentit të parë në gjuhën shqipe, vendorigjina e Heroit Kombëtar të shqiptarëve pret të rizbulohet nga institucionet dhe të apasionuarit pas turizmit historik.

Teksa ndodhesh në Burrel dhe pyet për vendet që duhet të vizitosh, pothuaj të gjithë matianët të sugjerojnë fshatin Macukull. E dëgjon këtë emër dhe kujtohesh se diku, dikur, ke dëgjuar për të, ndoshta në ndonjë film të kohës së Kinostudios ‘Shqipëria e Re’.

20 km nga Burreli deri në Macukull shijohen duke soditur natyrën pothuaj të virgjër dhe troshitja e makinës, teksa ngjit shtegun në një rrugë pa rrugë, nuk të shqetëson edhe aq. Pas gjysëm ore udhëtim para syve hapet një luginë e gjerë, dekoruar me pllaja të hijshme, mbi të cilat shquajnë si gurë shahu kullat me lartësi dhe arkitekturë sa të ngjashme aq të ndryshme. Kullat hijerënda ndodhen aq pranë sa duket sikur mbështeten në shpatullat e njëra-tjetrës, si për të të treguar se historia e Macukullit fillon e mbaron tek fuqia e bashkimit…

Lugina rrethohet nga kurora malesh. Në lindje shquan maja e zbardhur e Dejës, që arrin në lartësinë 2246 m mbi nivelin e detit. Mali i Dejës e ndan dhe bashkon këtë zonë me mrekullitë e Lurës.

Ndërsa hyn nëpër lagjet e fshatit bën habi që këmba nuk të prek kund ndonjë copëz kalldrëmi. Fshati i kullave nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë asnjë pëllëmbë kalldrëm. Kjo ’mungesë’ në vend që ta zbehi madhështinë e fshatit, duket se e thekson më shumë. Kullat e vjetra, mbi treqindvjeçare, janë më hijerëndat dhe plot me detaje artistike, ku shquajnë portat e gdhendura me finesë.

Por, tashmë shumë kulla janë braktisur dhe kanë filluar të rrënohen. Dikush, në kullën ngjitur të kushërinjve të laguar, ka strehuar bagëtinë, ose ushqimin për gjenë e gjallë.

Shpellat – pasuria që po grabitet

Rrugës për në fshat, hasim një burrë të pamoshë, të cilin e ftojmë në makinë. Është bariu i zonës. Ai njeh çdo pëllëmbë të këtij vendi, si asnjë banor tjetër i Macukullit.

“Fshati ynë ka plot shpella, na tregon bariu. Shumë prej tyre janë të thella fort dhe boll të rrezikshme. Madje thonë se njëra e ka daljen në Dibër. Do italianë dhe të tjerë të huaj vijnë këtej vetëm për shpellat. Qëndrojnë ditë të tëra. Disa thonë se vijnë për thesarët e fshehur. Zoti lart e di, bën me gisht nga qielli. Ne robt e tij nuk dim gjë. Ata përdorin edhe fëmijët e zonës, kur gryka e shpellës është e ngushtë… Largohen përherë me strajcat plot…”, rrëfen bariu.

Zona shquhet për shpellat karstike, të cilat konsiderohen një mister që duhen eksploruar dhe zbuluar nga studiuesit dhe speleologët, para se të vidhen e dëmtohen krejtësisht. Edhe për turistët eksplorimi i shpellave do të ishte një atraksion tërheqës. Ne planifikojmë që të vizitojmë disa prej tyre herën tjetër, pasi këtë herë jemi të papërgatitur.

Mikpritja e ka shtëpinë në Macukull

Kulla është banesa e gjithkujt, por së pari e mikut. Këtë nuk e kupton dot nëse nuk ke vizituar qoftë edhe një herë të vetme Macukullin. Është mesditë dhe bariun e pyesim se ku mund të drekojmë. Ngre supet i zënë ngushtë: “Vetëm një lokal kena në qendër të fshatit, por ai punon vetëm me porosi, apo për dasma e fejesa.” Pastaj gjallërohet: “Do të vini nga unë. Banoj këtu pranë. Nuk kemi ndonjë gjë të madhe, por bulmet ka plot dhe bukën e bajm vet.” Gati na lutet dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë, deri në momentin që ne i kërkojmë numrin e telefonit dhe e sigurojmë se do t’i telefonojmë, nëse nuk gjejmë gjë për të ngrënë.

Pas gjysëm ore, ndërsa ecim nëpër lagjet e fshatit, makina pëson difekt. Më shumë se fat i keq, duket se është ogur i mirë. Një vogëlushe rreth dhjetë vjeç, që po kthehet nga shkolla, na përshëndet dhe… pas tri minutash kthehet me dy të rinj dhe një burrë në moshë.  Na ndihmojnë me makinën dhe na ftojnë në banesën e tyre. Brenda na bashkohet edhe pjesa tjetër e familjes. Vijnë edhe komshijtë nga kulla fqinje. Një kuvend si qëmoti. Zonja e shtëpisë na shërben pije të përgatitura me fruta pylli dhe bulmet, më të mirin që kemi ngrënë ndonjëherë.  Herë pas here, më shtrëngon dorën dhe më pëshpërit: “Sa mirë bëtë që ndaluat. Sa mirë po ia kalojmë”. Edhe burrat shprehin të njëjtën kënaqësi, por me fjalë të tjera, më të përmbajtura.

Dhe, si dikur në kuvende, biseda ndalet tek ngjarjet dhe heronjtë e lavdishëm të zonës. Banorët e Macukullit kanë të drejtë më shumë se kushdo të ndihen krenar për atë çka i kanë dhënë shqiptarisë.

Macukulli – epiqendra e kombit shqiptar

Macukulli është i lidhur fort me ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare. Këtu ndodhej Kisha e Shën Trinisë, ku peshkopi Pal Engjëll shkroi ‘Formulën e Pagëzimit’, dokumentin e parë të shqipes së shkruar. Vizitorët mund të shohin ende rrënojat e kishës në lagjen Dasnjane.

Pak më tutje rrënojave të kishës, mbi grykë të Varoshit, ndodhet kalaja e Kastriotëve (Stelushit), ku ende sot ndodhet një fis me mbiemrin Kastrioti. Madje, një varr shumë i vjetër aty njihet si “Varri i Vojsavës”.

Stadtmyller dhe Eqerem Çabej jo vetëm e përcaktojnë këtë krahinë si origjinë të familjes Kastrioti, por e quajnë ‘epiqendra e kombit shqiptar’, pasi në të janë zhvilluar shumë kuvende mbarëkombëtare, ndër të cilët ai i vitit 1601, në të cilin morën pjesë 2656 delegatë nga 14 krahina arbërore.

Të apasionuarit ndaj turizmit historik mund të vizitojnë edhe Varret e Kastriotëve, Pusin e Kastriotëve, Arat e Kastriotëve…

I harruari i madh

Fshati i ‘mbjellë’ me kulla dhe që ofron një panoramë që të bën të mbash frymën, ka potencial të ofrojë turizëm natyror, etnokulturor dhe historik. Megjithatë, deri tani, kjo zonë ‘fle’ në harresë. Madje, Macukulli çuditërisht nuk është konsideruar i denjë as për t’u përfshirë në listën e 100 fshatrave turistikë.

Çfarë do të duhej të ofronte më shumë se kaq një zone, një fshat?