Lumë vere në Demir Kapija, Maqedoni e Veriut/ Udhëtim i papritur në një destinacion të pazakontë!

16 Janar, 2023 || 66 views

Pamjet e para që më përvijohen në mendje kur dikush përmend Maqedoninë e Veriut janë sheshi kryesor në Shkup, peizazhet mbresëlënëse të Dibrës dhe magjia e liqenit të Ohrit. Kur kam udhëtuar nëpër MV, pata lexuar disa herë tabelat në rrugë që tregonin drejtimin për në Demir Kapija, mirëpo përveç disa referencave nga librat e historisë, nuk kisha shumë njohuri për atë qytezë.

 

 

Sa e lehtë është të kapërcesh pa e provuar një përvojë fantastike.

Falë një kombinimi fatlum rrethanash, në verën e vitit 2022 ndodhi që të shkoj për disa ditë në këtë qytezë, për të ndjekur një program për edukimin mediatik, të organizuar në bashkëpunim me Bashkinë e Demir Kapijas. Udhëtimi me makinë për në këtë qytezë ishte përvojë e bukur më vete, pasi shijuam pamjet e Liqenit të Ohrit dhe Liqenit të Prespës Brenda pak orësh, dy pamje mahnitëse të ndara vetëm nga rrugëtimi nëpër Parkun e Galiçicës.

Qyteza më bëri për vete menjëherë. Dhe pata fatin që Aneta dhe Stefanija nga Bashkia të më tregonin të gjitha vendet më të bukura të qytezës.

Qytezë e vogël, në zonën e prodhimit të verës së Maqedonisë së Veriut, Demir Kapija ka mjaft për t’u ofruar vizitorëve nga më të ndryshëm, si për shembull shëtitje me kajake, ngjitje nëpër shkëmbinj, ecje në natyrë apo kundrim të shpendëve. Duke ecur nëpër qytezë, hasëm në një tunel të vjetër, që është edhe si një lloj “vije ndarëse” natyrore ndërmjet klimës kontinentale dhe mesdhetare në atë zonë. Një mbishkrim në gjermanisht mbi faqen e malit pranë tunelit e vendos datën e tij në vitin 1916. Vendndodhja e lashtë e Stobit, jo shumë larg Demir Kapijas, i kthen vizitorët edhe më shumë pas në kohë. Shtëpitë, pallatet, shitoret, banjot dhe kishat e dikurshme – ishin përplot njerëz njëherë e një kohë. Mozaikë të bukur të pallonjve, që ende gjenden aty si simbol i cikleve të jetës.

Muzeu i Verës në qendër të qytezës shpalos artefakte nga kohërat e lashta e deri në ditët e sotme, duke i shoqëruar vizitorët në udhëtimin nëpër kënaqësitë e verës. Një tjetër muze për verën në qytezën fqinje të Kavadarcit e plotëson rrugëtimin e verës me shumëllojshmërinë e verërave dhe rakive vendore, të ekspozuar krah më krah me gotat e duhura për t’i përdorur për të pirë, bashkë me artefakte të tjera popullore.
Në fakt, Demir Kapija është destinacion që duhet të vizitohet nga të gjithë dashuronjësit e verës. Ne i kaluam disa ditë atje duke vizituar veraritë e shumta, duke zbuluar shijet dhe aromat unike të verërave vendore dhe duke mësuar për historinë e verës në këtë rajon. Për fat, këto verari ofrojnë edhe akomodim të rehatshëm, restorante me ushqime të shijshme të zonës dhe shitore ku mund të blihen të gjitha shishet e verës që ua do zemra – ose qejfi.

Qëndrimin tonë e filluam tek veraria Mbretëresha Marija. Këtu, e vjetra puqet me të renë nën jë shkrirje të përsosur të stilit dhe ambientit. Dhomat e fjetjes e plotësojnë bukur pallatin e vjetër të ndërtuar për Mbretëreshën Marija të Jugosllavisë (1900-1961), nga familja mbretërore e Rumanisë, ndaj dhe pallati është ndërtuar në stilin arkitekturor rumun. Veraria u krijua në vitin 1927 nga Mbreti Aleksandar i Jugosllavisë, i cili kërkonte të krijonte një verë special. U vendos që veraria të ngrihej në zonën pjellore të Demir Kapijas dhe ai e emërtoi vendin me emrin e gruas së vet. Ende kësaj dite, pallati i Mbretëreshë Marijas është pjesë e kompleksit dhe vizitorët mund t’i afrohen dhe ta vizitojnë.

Restoranti në kompleksin Mbretëreshë Marija ka menu të pasur të mëngjesit, drekës dhe darkës, kryesisht ushqime lokale. Kompleksi ka dhe salla për takime e konferenca, një shitore ku gjenden të gjitha produktet e tyre, vreshta të stërmëdha të rrethojnë ndërtesat e tij dhe ku mund të shëtisësh lirshëm, një qilar që është pjesë e vizitës dhe pallonj. Shumë madje. Ata ecin vërdallë, fluturojnë mbi pemë dhe i shoqërojnë njerëzit teksa hanë mëngjes apo shijojnë verën ulur në kopsht. Po të jeni me fat, do të gjeni pupla mahnitëse të pallonjve mbi tokë për t’i marrë me vete si suvenir i kohës së bukur që keni kaluar atje.

Në anën tjetër të rrugës gjetëm hotelin dhe restorantin Verdisso. Ecëm nëpër rrugicat simetrike të vreshtave të kompleksit Mbretëreshë Marija për të arritur deri tek Verdisso, ku shijuam një drekë të shkëlqyer me pjata tradicionale, teksa mbushnim sytë me pamjen e paqtë rurale që shihej shumë mirë nga panelet prej qelqi të taracës së restorantit që gjendet mbi një kodër.

Ndalesa e radhës ishte në Verarinë Popova Kula, ku arritëm teksa ora e artë po përqafonte natyrën përreth. E gjeta vendin e përkryer për të shijuar një gotë me verën e shkëqyer të kuqe Vranec dhe rakinë e shtëpisë. Përveç restorantit që ka dhe një taracë të madhe dhe të mirëmbajtur, Popova Kula është edhe hotel, ka një kënd lojërash për fëmijët, qilarin që mund ta vizitosh dhe shitoren e verërave. Vendi është i bukur, po ashtu dhe ushqimi e shërbimi.

 

Vizita në Verarinë Tikvesh ishte përvojë e degustimit në një tjetër nivel. Krijuar në vitin 1885, ky vend kombinon traditën e prodhimit të verës me teknologjinë më të fundit për të krijuar një nga koleksionet më të mira të verërave në rajon. Vetë veraria është impresionuese, me radhë të tëra fuçish të renditura me kujdes nëpër korridoret e freskëta zhytur në gjysëm errësirë nën dhé, me mure dhe kënde zbukuara me punime artistike.

 

 

Tikvesh ofron një përvojë të degustimit të ushqimit dhe verërave që nuk duhet humbut. Secila pjatë shoqërohet me verën e duhur, kombinim që nxjerr më të mirën e ushqimit dhe pijes dhe garanton kënaqësinë e viitorit. Restoranti i këndshëm gjendet tetë metra nën tokë, ku ambienti bëhet edhe më tërheqës nga avujt e verës që flenë në fuçitë e lisit aty pranë. Restoranti u dhuron mysafirëve përvojë unike gastronimike dhe kënaqësi të degustimit.

Tani, rozeja e prodhuar nga Tikvesh është më e parapëlqyera ime! E krijuar sipas një recete traditionale, kjo verë gjysëm e thatë është e mbrujtur me nuanca lulesh ku nuhaten edhe frutat e pyllit, lëngu i përkryer për të kremtuar bukurinë e jetës.