Lodge of Wine – e gjithë Shqipëria në një shishe verë!

10 Nëntor, 2019 || 1312 views

Supozojmë se keni ardhur në Berat për fundjavë dhe keni vendosur të bujtni tek Hotel Berati. Ose edhe në një hotel tjetër (jua sugjerojmë me arkitekturë tradicionale beratase), që do të jetë patjetër i shkëlqyer. Të nesërmen keni turin e qytetit për të bërë, Mangalem, Goricë, Kala dhe nuk keni më kohë për të vizituar kantinat e shumta të Beratit për një tur vere. Është një humbje e madhe në fakt sepse verërat e Beratit janë me nam dhe kantinat e shumta që janë hapur tashmë aty, ofrojnë të gjitha verë të mrekullueshme dhe është mëkat të ikësh pa provuar së paku një gotë nga secila prej tyre.

 

Por nëse është kështu, atëhere mos u mërzitni. Pranë Hotel Beratit ndodhet tashmë Lodge of Wine, dyqani simpatik me stil beratas, që ju ofron verërat më të mira të kantinave beratase dhe jo vetëm beratase por nga e gjithë Shqipëria.

      

Gama e gjerë e llojeve të verës, që kulmon shpeshherë me produkte të rralla që nuk gjenden tjetërkund, si Pulsi i Beratit (Kantina Alpeta) apo Kashmeri (Kantina Çobo), pasurohet ndjeshëm me emra të vyer kantinash nga të gjitha krahinat e Shqipërisë si “Arbëri” i Mirditës, “Kantina Bardha” e origjinës së Leskovikut, “Skëndërbeu” legjendar i Durrësit dhe shumë emra të tjerë – e pamundur t`i numërosh.

 

 

 

Në pamundësi për një tur në kantinë, një gotë verë  tek “Lodge of Wine” është siç thonë italianët, “un tocco di classe”, një prekje e sharmit aristokratik që vetëm vera ka privilegjin të ta japë, përsa u përket ushqimeve.  Kështu që, një gotë verë në një ambient beratas safi e ca shishe vere me vete dhe u kry.