Llixhat e Sarandaporit – dikur “hamame” për zonjat e rënda, sot destinacion “i egër” aventure

May 26, 2020 || views

Flora Xhemani Baba

Dikur këtu vihej për llixha gjithë vitin. Ndërtesat, ose më mirë gjurmët e tyre janë aty edhe sot. Nëpër rrënoja ndodhen ende vaskat e dikurshme ku bëheshin kurat e plot tetëdhjetë “pacientëve”, e shpesh edhe më shumë syresh, kur kërkesa ishte e lartë.

Thuhet se këto burime natyrore kuruese, janë përdorur qysh në Perandorinë Osmane. Më vonë zonjat e pasura të familjeve të njohura kolonjare, leskoviqare, madje edhe ato të Korçës, i përdornin si hamame për kura bukurie. E sigurt është që në vitet e sistemit komunist, janë përdorur rregullisht deri në vitin 1997, bashkë më banjat me avull të Postenanit dhe që e kishin bërë Leskovikun me nam.

Sot, ky vend është strehë për “aventurierët”, ata që guxojnë të vijnë në këmbë nëpër shtratin e Vjosës, duke shijuar ndërkohë një peisazh mahnitës këndej e andej lumit të fundit të egër në Europë, peisazh ky gjysma e të ciliti i përket Greqisë. Sepse sapo lë rrugën kombëtare Përmet-Leskovik, në segmentin e ri të hapur për transportin drejt doganës së Tri Urave, rruga është e paasfaltuar dhe kërkon mjete të larta ose frymë aventure.

       

Nuk dihet ende se pse, qysh prej braktisjes, askush nuk e ka marrë në përdorim këtë kompleks të konsiderueshëm, për ta rikthyer në punë e për ta ribërë një destinacion jo vetëm për pushues të moshës së tretë por edhe për turistë të mirëfilltë, që do të vinin me qejf për kura bukurie përmes algave e baltës së mrekullueshme me njëmijë veti, pa futur në llogari ujrat me përbërje kimike, që shërojnë ose lehtësojnë ndjeshëm sëmundje të shumta si reumatizma, gurët në veshka, gurët në tëmth dhe një sërë sëmundjesh të tjera të brendshme.

   

Në fakt rruga për tek llixhat, nuk është njësoj si fjala vjen në Banjat e Bënjës, (për ata që i kanë vizituar), ku vaskat e sistemuara prej dorës së njeriut, janë më të mbledhura e ndodhen në të njëjtin vend, nën këmbët e Urës së Katiut, ose ngjitur me të. Llixhat e Sarandaporit, gjarpërojnë krahas Vjosës, në një vijë të gjatë të bardhë ujrash termale, e cila zë fill lart te burimi ku ndodhet ndërtesa, por edhe më poshtë akoma, dhe të japin mundësi që edhe rrugën deri atje ta përshkosh me këmbët nëpër ujra, duke “përfituar” kështu që edhe kohën e vajtjes e të kthimit, ta kalosh duke u bërë këmbëve masazhe bukurie.

   

Peisazhi natyror, flora e pasur, Vjosa gjithë kohën në krahun tuaj por sidomos tufat e panumërta të bagëtive që do të hasni rrugës për në llixha, janë shpërblimi që do të merrni për këtë udhëtim të pashoq, i cili sundohet plotësisht nga e egra e natyrës.

Nëse po pyesni veten se si i bëhet që të shkoni në këto llixha, sepse Leskoviku është goxha larg nga Tirana dhe dita nuk është aq e gjatë sa t`i bëni të dyja, pra edhe udhëtimin edhe kohën e qëndrimit këtu, ne do t`ju thoshim se kjo është vetëm një ditë e fundjavës tuaj, e cila do të duhet të kalohej në Farma Sotira, ferma tashmë e famshme mes Ersekës e Leskovikut, e cila ndodhet në zemër të parkut natyror Gërmenj-Shelegur. Në shumë artikuj të tjerë jua kemi sjellë Farma Sotirën dhe aktivitetet që mund të bënmi gjatë qëndrimit aty, ndaj po ju themi që në listën e këtyre aktiviteteve, të shtoni edhe një ditë në Llixhat e Sarandaporit.