Liqeni i Bovillës dhe bukuritë mahnitëse rreth tij…

12 Nëntor, 2022 || 74 views

Liqeni i Bovillës gjendet rreth 15 km në verilindje të qytetit të Tiranës. Ai u formua rreth 15 vjet më parë në pjesën e sipërme të lumit të Tërkuzës, të vendosur midis dy vargmaleve, Krujë – Dajt dhe Skënderbe – Mali me Gropa, hapësirë e shtrirë në zonat e Krujës dhe Tiranës.

Liqeni kufizohet në perëndim me malin e Gamtit (1.267 m) dhe Brarit (1.214 m) si dhe nga mali i Dajtit (1.613) në juglindje. Nga ana lindore kufizohet me malet e Xibrit (1.531m) dhe të Kotit (1.391m) të vendosur në veriperëndim midis malit të Skënderbeut dhe në juglindje të malit me Gropa.

Ujëmbledhësi është formuar nga prerja e lumit Tërkuza me një digë 81 m të lartë, në grykën e Zall Herrit. Prej vitit 1998, ujëmbledhësi i Bovillës është furnizuesi kryesor me rreth 50% të gjithë konsumit të ujit të pijshëm për qytetin e Tiranës dhe gjithë zonën e banuar për rreth.

 

Për të vizituar Bovillën: 


Relievi është kodrinor – malor, ku erozioni dhe rrëshqitja janë tepër aktive. Sipërfaqja e liqenit është 4.6 km dhe ka thellësi 18-53m. Bimësia në pellgun e Bovillës përfshin katër zona fitoklimatike: Zona e pyjeve dhe shkurreve mesdhetare (300 – 600m), Zona e dushqeve (600 – 1000m), Zona e ahut (1.000 – 1.600m) dhe Zona e kullotave malore (mbi 1.500m).

 

Zona përreth Bovillës ka një bukuri mahnitëse me ujëvarën e Bovillës, grykën e Bovillës dhe shkëmbinjtë përreth. Shumë agjenci dhe operatorë turistikë e shfrytëzojnë këtë reliev për kacavjerrje dhe ngjitje në shkëmbinj. Në itineraret e tyre marrin pjesë përveç të rinjve edhe mjaft turistë të apasionuar pas natyrës dhe aventurës. Itineraret variojnë në gradë vështirësie, nga të thjeshtat tek ato më të vështirat, për t’u dhënë mundësi të gjithëve në ngjitje dhe kacavjerrje.