LIQENET E FUNARIT – ELBASANI QË NUK NJIHNI

19 Nëntor, 2019 || 1051 views

Nga Alma Mushi

PEIZAZHI I NJËJTË ME LIQENET E ZVICRËS

Ka ardhur vërtet koha që t`i kthejmë sytë nga natyra; jo për ta dëmtuar, por për ta dashur. Keni dëgjuar ndonjëherë për Funarin dhe liqenet e tij? Funari ndodhet vetëm 20 km nga Elbasani ose 25 km nga Tirana. Deri pak vite më parë Funari njihej pak dhe për të thuajse nuk flitej. Por tashmë po kthehet në një destinacion turizmi, duke shfrytëzuar bukuritë natyrore dhe afërsinë me dy prej qyteteve më të mëdhaja të vendit.

Katër rezervuare me ujë të smeraldtë i japin freski e bukuri kodrave mbuluar me pyje, duke e bërë një vend shumë tërheqës. Prej tre vjetësh këtu organizohet “Funar Fest”, një organizim që synon promovimin e turizmit, bazuar në bukuritë natyrore dhe të shkuarën historike.

Një lojë, piknik apo not mes ujit të kristaltë, është oferta e Funarit për çdo të apasionuar pas natyrës. Por ndërsa Funari pret vizitorë, rruga që të çon atje nuk është në gjendjen e duhur. Peizazhi krahasohet me pamjet që vijnë nga liqenet alpine në Zvicër apo vende të tjera. Por infrastruktura nuk ngjan aspak me atë të Zvicrës, kështu që duhet të keni parasysh që, nëse doni të shkoni në Funar, rruga nuk është e mirë.

Megjithatë duhet të keni parasysh që Albanian Sport & Tourism AST, organizon shpesh aktivitete në Funar dhe nëse doni të shkoni atje, mund t`u bashkoheni atyre.