Lezha nuk ka vetëm det, ajo është një destinacion ideal për turizmin malor!

14 Nëntor, 2020 || 1366 views

Gjergj Figuri

Një javë kushtuar turizmit malor si një mundësi më shumë për të zhvilluar këtë sektor. Kjo është nisma e Drejtorisë së Turizmit dhe Kulturës në Bashkinë e Lezhës që u përmbyll në Ditën Ndërkombëtare të Turizmt Malor.

Identifikimi i vlerave turistike malore, vendosja e sinjalistikës orientuese, krijimi i shtigjeve, përfshirja e tyre në hartë si dhe vendosja e një harte informuese në njësitë administrative ku janë të përqendruara këto asete të turizmit malor, ishte edhe fokusi i veprimtarisë së specialistëve të turizmit në këtë bashki gjatë kësaj jave. Resurset në njësinë administrative të Kolshit, ato të Kallmetit e Ungrejit do të vendosen gjatë kësaj periudhë në vëmendje për promovimin e tyre duke përfshirë edhe elementët kulturorë e historikë të këtyre zonave për ta bërë edhe më tërheqës destinacionin malor.

Pas përfundimit të sezonit veror, vëmendja e Drejtorisë së Turizmit dhe Kulturës është përqendruar tek mundësitë e zhvillimit të turizmit malor, si një element shumë pak i marrë në konsideratë por që mund të prodhojë mundësi të mira për të tërhequr një numër më të lartë vizitorësh e turistësh. Monumente natyre e culture, si Rrepet e Kolshit, Rrapi i Grykës, Kisha e Shelbuemit, Teqeja N’Sulti, Dritarja Tektonike e Manatisë, Kisha e Shën Mhillit, Shpella e Hutit, kisha e Shën Premtes, burimi i Voklës, Shpella e Sukës së Vogël, Shpella e Cingares, Maja e Velës, Qafa e dy Velave, Maja e Shehit të Velës në Njësinë Kolsh apo Zoja e Velës, Kepi i Kështjellit, Burgu i Hajdarit apo Pylliie Shën Eufemië në Kallmet si dhe vlera historike e kulturore në njësinë Ungrej si  Kisha e Kalivaçit, Kështjella e Kastrit, Tumat në qendër të Kalivaçit, Lagjja “Kodër” e Kalivaçit, Suka e Kastrës, Kulla e Përgjonve, masivi pyjor ndërmjet Kalivaçit dhe Zimajve, Hurdha e Mushkut, Mullini i Preng Markut, Kulla e Dodë Zefit, Kulla e Pjetër Ndrec Pjetrit, Kulla e Ndue Gjin Picës, Kulla e Përpalajve, Kulla e Preng Zef Nikollit, Hurdha e Valanecës, Qela e Kashnjetit, Pylli i Kishës, Kulla e Gjon Preng Kolës, Rezervuari i Kashnjetit, Kodra e Fizve, Kroi i Kuçajve, masivi pyjor i Qafës së Pazarit, Kulla e Kolushëve, qela në Ungrej, Kulla e Marka Preng Dodës, Kulla e Gjin Lushit, Kulla e Ndue Zef Dedës, Rumat Ilire apo edhe Kulla e Marka Kolës janë element që do të bëjnë udhëtimin tuaj mjaft interesant.

Prodhimet tipike vendase do jenë pjesë e tryezës tuaj në restorantet që do të zgjidhni pas zbritjes nga destinacioni malor, duke e shenjuar ditën tuaj si shumë të veçantë. Drejtori i Turizmit dhe Kulturës në bashkinë e Lezhës, Renaldo Xhanej, thotë për këtë zgjedhje të bërë prej tyre se po synohet që të krijohen lehtësi për vizitorët e turistët por nga ana tjetër edhe për të nxitur orientimin e banorëve drejt turizmit malor e në verë kjo të sherbejë si një alternativë më shumë për pushuesit. Krijimi dhe promovimi i shtigjeve së bashku me itinerare të tjera që prekin pikërisht zonat malore, do të koordinohet edhe me elementët që përbëjnë në tërësi zonën në mënyrë që të shtohet interesi për t`i vizituar ato.

Sinjalistika si një domosdoshmëri për të orientuar lëvizjen e vizitorëve, e shoqëruar edhe me informacionin e nevojshëm për zonën, asetet dhe prezantimin e rrezikshmërisë për destinacionin duke e promovuar në mënyrën e duhur, besojmë se do të ndikojë në rritjen e numrit të vizitorëve e turistëve edhe jashtë sezonit turistik veror por do t’a bëjë Lezhën një destinacion të kërkuar edhe për turizmin malor – tha Xhanej për këto përgatitje që po bëhen nga bashkia e Lezhës.

Sipas tij do të vijohet me vendosjen e sinjalistikës në çdo destinacion, në mënyrë që të kompletohet një shërbim i nevojshëm për vizitorët e turistët dhe orientimin e tyre ndërsa do të jenë në Lezhë.

 

Pavarësisht vështirësive dhe problematikave me të cilat u përballëm gjatë vitit 2020, në bashkinë e Lezhës, ka vijuar vendosja e sinjalistikës turistike si dhe shenjimi i shtigjeve të ndryshme, duke i bërë këto destinacione dhe atraksione turistike të gjurmueshme, lehtësisht të arritshme dhe duke afruar informacionin e nevojshëm për to. Elementë turistikë që përgjithësisht ekzistojnë vetëm në dokumente zyrtare, tani po synohet që të sillen më pranë vizitorëve e turistëve dhe për t`i prezantuar ato sa më shumë që të jetë e mundur.

më shumë info për Lezhën: Visit lezha