Lamtumirë Beka, miku i turizmit dhe i njerëzve të punës!

8 Prill, 2021 || 645 views

Ka njerëz që i bën miq qysh në takimin e parë, aq të drejtpërdrejtë e të çiltër janë. Pastaj shikon se janë edhe vazhdimisht të gatshëm të ndihmojnë çdokënd që ka nevojë për një dorë ose delegojnë punën atje ku ajo bëhet më mirë. Ata janë vazhdimisht në lëvizje, në veprim, me një dinamikë të gjallë e të pashtershme, njerëz të vërtetë e të prirur vetëm të ndërtojnë e kurrë të prishin.

Ismail Beka ishte njëri nga ata.

Qysh në vitet e para të punës tonë, kur si agjenci e promovimit turistik relizuam Green Guide dhe ata kishin filluar projektin për bujtinat e Alpeve e në vazhdimësi pa ndërprerje, Beka ishte miku, bashkëpunëtori, këshilluesi, ndërmjetësi, rekomanduesi i alternativave më të mira e më të dobishme të bashkëpunimit, duke na vënë në dispozicion informacion e materiale të vlefshme, në një kohë kur tollovia e internetit dhe rrjeteve sociale ishte ende shumë larg dhe procesi teknik i mbledhjes së fotove dhe informacionit një sipërmarrje e vështirë.

 

Po sa e sa mijëra punë të tjera të mira, shtrirë nëpër dekada, në shërbim të turizmit dhe zhvillimit lokal? Sot turizmi në Alpe ekziston vetëm falë GIZ-it, GTZ-së së dikurshme e padyshim falë drejtuesit të tij të palodhur e të pakursyer, Ismail Beka, i cili nuk vuri në dispozicion vetëm aftësitë e tij si një teknokrat i shklëqyer por edhe vlerat e rralla njerëzore.

Pa asnjë dyshim Beka sot ka trishtuar mijëra zemra malësorësh, me të cilët për dekada me radhë ndau ditët e netët pranë vatrës e kullës, në përpjekje për t`i bindur se miku mund të pritej edhe si turist, duke përmirësuar cilësinë e jetësës së tij por edhe zemrat e plot shqiptarëve nga jugu në veri e jo vetëm. Se ai ishte miku i të gjithëve. Dhe kishte ende shumë gjëra të mira për të bërë. Ai ishte miku i turizmit, i fermerëve, artizanëve, të rinjve që ëndërronin të ndërtonin jetën në realitetin e vështirë shqiptar. Njerëz të tillë kur ikin, lënë pas një boshllëk të madh edhe pse rrugën ku kanë ecur, e kanë mbushur me vepra jo thjesht të mira por që kanë ndryshuar jetën e komuniteteve të tëra.

 

Për rreth tri dekada, Ismail Beka përfaqësoi denjësisht Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në mbështetjen për zhvillimin social-ekonomik dhe reformat në sektorë të ndryshëm në vend si ekonomi, bujqësi, turizëm etj. Kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm për koordinimin dhe realizimin e një sërë projekteve që kanë sjellë ndryshim në të mirë të vendit.

Me profesionalizmin dhe integritetin e lartë, me gatishmërinë e pakursyer për të dhënë ndihmë aty ku kërkohet, me pasionin për punën dhe dashurinë për vendin, Ismail Beka do të mbetet përgjithmonë modeli frymëzues i vlerave të këtij bashkëpunimi. Ismail Beka, sipas fjalëve të gazetarit Sami Neza, i solli Shqipërisë në të mirë të komuniteteve në nevojë, miliona euro projekte dhe investime, aq sa një qeveri e ndershme.

 

In Memoriam të këtij burri modest por me potencial titanik, ne po i bashkangjisim këtij artikulli vetë fjalët e Bekës, në ditën e ditëlindjes së tij të 65-të, të cilën e festoi vetëm disa muaj më parë.

Lamtumirë Beka, miku i turizmit dhe i njerëzve të punës!

 

“Të dashur miq!

Faqja e 65-të e jetës time, mbyllet në 20 shtatorin e 2020-ës.

Ada (vajza ime), ka kompozuar kaq bukur jetën time duke filluar me portretin tim fëminor, që i përket fotos së parë, kur isha vetëm 5 vjeç e deri tani.

Në sfond, majat e Alpeve shqiptare, që perfaqësojnë moton time në jetë, gjithmonë duhet të kërkosh të ngjitesh me këmbëngulje,  në lartësi të reja.

Kam lindur në fshatin e vogel malor Derje, krahina e Shëngjergjit, rrethi  Tiranë, ku kishte vetëm shkollë fillore me klasa kolektive.

Familja ime sakrifikoi dhe financoi shkollimin me konvikt në Tiranë për 12 vjet, duke filluar nga klasa e pestë, deri n diplomimin si inxhinier mekanik në Universitetin e Tiranës.

U mbushën plot 42 vjet punë pa ndërprerje, nga të cilët 20 vjet me punë në shtet në sektorin e bujqësisë dhe 22 vjet me Shoqerinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombetar, GIZ (ish GTZ).

 

Eksperienca e parë e punës dhe e paharrueshme, ka filluar si inxhinier në SMT-në Fier,  në Sektorin e Cakranit. Për 20 vjet me radhe punova në sektorin e bujqësisë, nga 1978 deri 1998, ky i fundit ishte viti i largimit nga Ministria e Bujqësisë.

Puna intensive me grupin për ndërtimin e  komplekseve blegtorale në vitet 80-88, investimet në mekanikën bujqësore në periudhën 93-95 dhe puna me projekte të donatorëve të ndryshëm të bujqësisë 95-98, ishin përvoja që më rritën profesionalisht.

Ndërsa puna e pandërprerë për 22 vjet në Bashkëpunimin Gjerman, ishte një  përmbushje e plotë e  përvojës time profesionale.

Shume krenar që drejtuesit e GIZ në Gjermani dhe Tiranë më besuan detyra të rëndësishme për drejtimin dhe menaxhimin e mjaft projekteve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit, si pjesë e një stafi shumë profesional gjerman dhe shqiptar.

Me shumë përgjegjësi dhe përkushtim, shpresoj të kem plotësuar pritshmëritë dhe besimin që më dhanë.

Gjatë të gjithë përvojës së punës, kam patur mundësinë dhe privilegjin të njoh dhe të bashkëpunoj me shumë njerëz nga të gjitha nivelet shoqërore, kudo në Shqipëri.

Jam munduar gjithmonë të jap maksimumin e aftësive të mia profesionale dhe kam marrë shumë kënaqësi dhe mirënjohje prej tyre.  Më e veçanta i përket komunitetit të Thethit, që më kanë vlerësuar me Titullin e Nderit “Mirënjohje e Komunës Shalë”.

Respekt dhe falënderim të veçantë për bashkëpunëtorët, kolegët, drejtuesit por edhe partnerët, me të cilët gjithmonë kam patur marrëdhënie shumë të mira dhe korrekte dhe së bashku kemi arritur mjaft rezultate.

Familja ime është pa diskutim, çelësi i suksesit me mbështetjen e pafund dhe sakrificat për rritjen dhe shkollimin e fëmijëve.

Tashmë jemi edhe gjyshër me Annen, mbesën 9-muajshe dhe kemi më shumë për të gëzuar dhe shijuar.

Sot erdhi koha e ndërrimit të kontratës së punësimit me kontratën e re, atë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, si një prej më shumë se gjysëm milion pensionistëve të tjerë bashkeqytetarë të nderuar.

Shpresoj të vazhdoj të kem shëndet të mirë dhe energji për jetë aktive dhe punë.

Ju uroj të gjithëve shumë suksese dhe mbarësi në familjet tuaja!