Kurora e lumit Seman, një tjetër park natyror për t’u zbuluar

6 Gusht, 2019 || 485 views

Kurora e lumit Seman, një tjetër park natyror për t’u zbuluar

Nga Maela Marini

TIRANË, 27 janar/ATSH/ I shpallur monument natyre, kurora e lumit Seman (Adriatik, Libofshë) është një park i mrekullueshëm natyror që tërheq gjithmonë e më tepër turistët e natyrës.

Një pasuri e rrallë natyrore, krejt e panjohur dhe e pazbuluar, ky park fton të gjithë turistët ta vizitojnë në çdo stinë të vitit. Parku cilësohet si i vetmi pyll autokton myzeqar dhe është një resurs që shërben në mënyrë fantastike për turizëm natyror dhe ekskursione të organizuara.

I shtrirë në rrjedhjen e poshtme të lumit Seman, në afërsi të Libofshës, rreth 1 m mbi nivelin e detit, kurora e pemëve ndjek shtratin e dikurshëm të lumit Seman, të braktisur prej tij, si pasojë e karakterit tepër endacak në këtë sektor të rrjedhjes së tij.

Parku natyror është disa kilometra i gjatë dhe me sipërfaqe rreth 44 ha. Në të është formuar një ekosistem i veçantë, që dallohet për biodiversitet të lartë.

Pylli ruan të gjitha llojet e drurëve me të cilat ka qenë e mbuluar Myzeqeja si: vidhi, rrënja, rrapi, verriu, shelgu, frashëri, plepi i bardhë, dëllinja, dafina, dëllinja e zezë dhe shumë shkure të tjera.

Kurora e lumit Seman (Adriatik, Libofshë) ka rëndësi shkencore sidomos biologjike, ka vlera të veçanta ekologjike.