Kruja mirëpret 100 turistët e parë të huaj të 2020, vijnë nga Italia dhe Spanja

7 Janar, 2020 || 469 views

Nga Klotilda Saraçini 

TIRANË, 5 janar/ATSH/- Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës priti ditët e para të 2020 vizitorët e parë të huaj, të cilët mbetën të mahnitur nga historia dhe traditat shqiptare.

Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha sot për ATSH-në se “në ditët e para të vitit dy muzetë e Krujës u vizituan nga 100 turistë italianë dhe spanjollë”.

Sipas tij, turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.

Një prej turistëve italianë së bashku me bashkëshorten e tij, që kanë lënë mbresat e tyre në librin e përshtypjeve shprehen se “kemi ngelur shumë të impresionuar nga vizita në muzeun e heroit kombëtar të Shqipërisë Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ishte shumë bukur të përshkruaje historinë e këtij patrioti. Muze shumë i bukur she interesant”.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavione trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989./k.s/

 

Burimi: ATA