Kruja – Aromë identiteti kombëtar…

6 Gusht, 2019 || 1210 views

Nga ELITJONA DOKO

Kur vendos të udhëtosh dhe të përshkruash një qytet historik si Kruja, natyrisht, që të parën gjë që do përshtasësh është veshja praktike, për të ecur mbi kalldrëmet me gurë. Nga Tirana duhet rreth 40 minuta me makinë për të mbërritur, ose 33 km, ndërsa nga Durrësi 36 km pak më shumë se 40 minuta udhëtim. Qyteti ndodhet në një lartësi prej 560 metrash mbi nivelin e detit, i pozicionuar në një shpat mali prej të cilit vizitorët kanë mundësinë të shikojnë një pamje mjaft të bukur drejt perëndimit në detin Adriatik.

 

Sapo hyn në këtë qytet edhe gurët “flasin” për histori, dhe mbajnë gjallë identitetin kombëtar dhe emrin e Heroit të gjithë shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skndërbeut. Rrugës për në kala ndodhet Pazari i Vjetër mesjetar i Krujës, i cili prej pak vitesh në fakt, është bërë krejtësisht i ri me mbështetjen e fondacionit Shqiptaro-Amerikan. I ndërtuar rreth 400 vite më parë, pazari ka kaluar kohëtë lavdishme, kur brenda tij ishin të vendosur rreth 150 dyqane, deri në afërsi të hanit të Picorrit, aty ku ndodhet sot Bashkia e qytetit. Duke ecur mbi kalldrëmet që përshkojnë mes për mes pazarin, duket sikur numërohen një e nga një vlerat e trashëgimisë së pasur kulturore që fatmirësisht ka ardhur deri në ditët tona e gjallë dhe shpalosur më së miri mbi këtë qytet të gurtë. Këtu vizitorët e huaj apo vendas mund të gjejnë mjaft objekte dhe suvenire si punimet artizanale të filigramit, alabastrës, argjendit, bakrit, punimet e drurit, qilimat, antikuaret etj, të punuara mjeshtërisht nga duarartët e qytetit, artizanët, që e kanë trashëguar traditën nga të parët e tyre.

Në një farë mënyre Kruja është “oda shqitare e pritjes”, ku të huajt njihen me historinë më të ndritur, më të mirë dhe më të dokumentuar se të gjithë qytetet e tjerë shqiptarë, çka e bën atë një “kryeqytet” të vërtetë historik, që për nga vlerat që mbart dhe përcjell, nuk krahasohet me asnjë qytet tjetër.

Duke vijuar më tej udhëtimin shfaqet madhështore Kalaja, e cila në shekuj i ka rezistuar pushtimeve, sidomos atij Otoman. E vendosur mbi një kodër shkëmbore e rrethuar pothuajse nga të gjitha anët me shkëmbinj që përbëjnë në vetvete një fortesë natyrore, që kur e përshkon paqësisht, të jep ndjesinë që deri më tani e ke parë e lexuar vetëm në libra. Në derën e saj, pa hyrë brenda, qëndron një burrë i vjetër me çifteli në dorë, duke krijuar tingujt shoqërues të udhëtimit brenda Kalasë. Sipas të dhënave historike, Kalaja e Krujës u ndërtua gjatë shekujve V dhe VI dhe ka formë eliptike me sipërfaqe prej 2.25 hektarësh. Muret rrethuese janë të përforcuara nga nëntë kulla, të cilat shërbenin për vëzhgim dhe sinjalizim gjatë periudhave të luftrave. Brenda mureve të kalasë gjenden ende disa shtëpi të banuara, njëra prej të cilave është përzgjedhur të jetë Muzeu Etnografik. Ai ka qenë një shtëpi e ndërtuar më 1764 nga familja Toptani, që përfaqësonte një familje të pasur në atë kohë në këtë zonë. Ajo është e përbërë nga dy kate, kati i parë përdorej për ekonomi të ndryshme familjare si: prodhimi i vajit të ullirit, i qelqeve dhe veshjeve, mbajtja e bagëtive të imta dhe punimi i qeramikës, mbajtja e mjeteve që shërbenin për punimin e tokës dhe për realizimin e punëve që sipërpërmendëm etj. Nëpërmjet disa shkallëve ngjitemi në katin e dytë ku na paraqiten disa dyer. Majtas kemi dhomën e grave, kur vinin miq pastaj vazhdojmë me kuzhinën ku ndodhet oxhaku si dhe enë të vjetra. Dalim dhe drejtohemi për në dhomën e burrave ku ndodhet një oxhak, armë lufte si dhe vendi ku uleshin burrat me rradhë deri tek kryefamiljari.

Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti, Skëndërbeu”, guri i çmuar i kurorës krutane

Nuk dua ta ndalem tek vlerat e Muzeut Historik të Krujës këtë herë, si muzeu më i pasur e më i organizuar në Shqipëri, vlerësuar lart prej dhjetëra kombësive të mijëra turistëve që vizitojnë Krujën pa pushim gjatë të gjithë vitit. Dua të ndalem tek vlerat e stafit që e drejton këtë muze. Të gjithë pa përjashtim janë ata që e bëjnë muzeun të ketë këtë vlerë që ka sot. Është e vështirë të gjesh një përkushtim të tillë që kalon shumë kufijtë zyrtarë të një pozicioni pune, duke e kthyer këtë grup pune në një familje. Puna e palodhur e këtij stafi bën që muzeu i Krujës, të jetë atraksioni turistik me shtrirjen kohore më të gjatë të vizitave turistike në Shqipëri. Veç vlerave historike pozicioni i Krujës, mjedisi mali, kodrat, fushat, deti krijojnë një panoramë të mrekullueshme për ta soditur, pse jo edhe për të jetuar. Kruja mund të jetë një rezidencë interesante për shumë vizitorë që vijnë në Shqipëri për arsye pune apo për turizëm. Pamja që të shpërfaqet nga Kruja, në kohë të kthjellët, sidomos natën, në dritën e hënës e të yjeve, është shumë mbresëlënëse. Shihet fusha e gjerë, aeroporti i Rinasit, kalaja e Prezës, ajo e Petrelës dhe e Lezhës. Shihet deti Adriatik, Durrësi, Porto Romano, Patoku e më tej Lezha e Shëngjini. Është një mrekulli. Duket sikur fluturon mbi hapësira të pamata. Pak më në lindje të Krujës është pika turistike e Qafështamës që është kthyer në një perlë të turizmit malor. Shikoni fotot në rubrikën e destinacioneve dhe mahnituni me peisazhe të papërsëritshme vjeshte. Dhe nëse doni të kaloni një fundjavë të paharrueshme mes ajrit e ujit kurativ më të vlerësuar në Shqipëri, zgjidhni Shkreli Hotel Resort, një strukturë alpine moderne mu në zemër të parkut, që do t’ju bëjë ta shijoni Qafështamën ashtu siç ajo e meriton. Kruja është edhe vend pelegrinazhi fetar. Gjurma e shenjtit Sarisalltik dhe Teqeja bektashiane, lart në mal, është një vend i shenjtë që ka rifilluar të vizitohet nga mijëra njerëz. Turizmi i pelegrinazhit është një degë që në një ardhme të afërt, mund ta kthejë Krujën në një Lurdes të dytë.

Kruja Hospitality, shtëpia e mikpritjes krutane

E nëse zgjedh të vizitosh Krujën, nuk mund të humbasësh pa parë nga afër një “vepër” aq të bukur sa Kruja Hospitality, një ndër shtëpitë e hershme që ndodhet brenda rrethimit të Kalasë. Ideja brilante për ta restauruar këtë shtëpi duke ruajtur identitetin dhe traditën krutane, që i lindi të “zotit” të kësaj shtëpie, Alborent Rama, është konkretizuar në një vend aq të bukur dhe piktoresk, sa vetë thjeshtësia e këtyre anëve. Në hyrje të Kalasë, një tabelë të orienton në të djathtën tënde, duke ndjekur disa rrugica gjarpëroshe të rrethuara me muret fortifikuese të Kalasë, dhe të orientojnë drejtë këtij destinacioni. Kur hyn në të, fillimisht ndihesh sikur je kthyer në shtëpinë e gjyshes në fshat…
Oborri i madh, mbuluar me drurët dhe gjethet e hardhive, muret me gurë, ndriçimi i paqtë, pastërtia e ambinetit, pusi i ujit dhe gjithë elementët që të kthejnë pas në kohë por të sjella mjeshtërisht të moderuara në ditët tona. Jemi në zemër të Krujës, në qytetin e identitetit tonë kombëtar, në qytetin e Skënderbeut…! Janë vetëm dy dhoma ku mund të pushosh këndshëm dhe me pak shpenzime, por me shumë emocione që do të mbeten gjatë në kujtesën e pushimeve verore, por jo vetëm! një Hostel modern, brenda mureve që kanë mbajtur vesh historinë ndër vite!

Hotel “Mervin”, aty ku relaksin ta fal panorama dhe ajri i pastër malor

 

Një investim serioz dhe me pamje mbresëlënëse ndodhet tashmë në qendër të Krujës, Hotel “Mervin”. Me një arkitekturë të ndërthurur me zonën malore dhe të ngurtë, por mbi të gjitha me një pamje mahnitëse.
Mund të zgjedhësh të akomodohesh në një prej 12 dhomave që ka godina, ndërsa pasi të mbërrini në këtë vend, duhet patjetër të shijos relaksin! E gjithë Kruja deri në Gjirin e Durrësit shikohet me sy të lire nga bari i katit të fundit. Ndërsa shërbimi i kulturuar dhe përkushtimi i vetë personave që ekanëndërtuar këtë hotel, i jep atmosferë familjare dhe më të rehatshme qëndrimit në të. Arredimi është zgjedhur me kujdes për t’u përshtatur me lartësinë mbi nivelin e detit në të cilin ndodhemi, me ngjyra të paqta e të kuruara deri në detaje, jo vetëm moderne por edhe tradicionale të zonës krutane.Kafen e mëngjesit mund ta pini në katin e sipërm, aty ku pamja bëhet një me malin, detin dhe qiellin! Kruja i ka premisat për të qenë madhështore në çdo kohë. Me këtë histori dhe objektet arkeologjike që e pasqyrojnë atë, kalaja, muzeu, pazari karakteristik, rrënojat e Albanopolisit dhe monumenti i Skënderbeut, etj., Kruja është në interesin e të gjithë shqiptarëve por sidomos të turistëve të huaj. Ndërtime dhe investime të tilla, jo vetëm që e rikthejnë qytetin në origjinalitet, duke mos u dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga ndërtimet e reja por i shtojnë atij edhe ditënetët e qëndrimit. Kryesore është ruajtja e ndërtimeve karakteristike dhe lidhja e lagjeve me rrugë, kalldrëme apo forma të tjera. Këto i mungojnë shumë Krujës. Shpresojmë që hotel “Mervin” të jetë një shtysë për shtimin e objekteve me arkitekturë karakteristike.
E kuptuat tashmë besoj, se Kruja nuk është më një destinacion ku mund të bëni një xhiro disaorëshe në një të shtunë apo të diel pushimi por një paketë turistike që mund të përmbushë plotësisht pritshmërisë e fundjavës tuaj!