Kosova e shtatë VIA FERRATAVE!

February 3, 2022 || views

Kosova është destinacioni numër një i Via Ferratave në rajonin tonë. Këtu gjenden shtatë të tilla ku adhuruesit e alpinizmit dhe aktiviteteve në natyrë mund të ngjiten dhe të përjetojnë adrenalinën. Një aventurë e vërtetë!

Secila prej shtatë Via Ferratave të Kosovës është unike. Ato dallojnë për nga shkalla e vështirësisë, natyra ku janë ndërtuar, peisazhet që shpalosen kur ngjitesh deri lart dhe nga mundësitë e ndryshme që ofrojnë për të përjetuar edhe produkte të tjera turistike shoqëruese, si: Ura Tibetane dhe Zipline në Pejë, vizita në objekte të trashëgimisë kulturore dhe historike në Prizren, apo mbetjet arkeologjike të periudhës bizantine dhe mure të kështjellave të lashta.

 

 

Via Ferrata është një shteg i cili ndërtohet në pjesët shkëmbore por që është e mundur të shfrytëzohet nga çdo vizitor i cili kërkon aktivitete që krijojnë adrenalinë dhe aventurë. Kryesisht ndërtohet duke e vendosur një fije metalike e cila kalon përgjatë gjithë shtegut shkëmbor si dhe vendosja e shkallëve të hekurta të cilat të mundësojnë që të arrini lartësinë pa ndonjë problem, dhe duke i përdorur pajisjet e nevojshme të sigurisë gjatë ngjitjes tuaj do të përjetoni një kënaqësi të paharruar në eksperiencën tuaj jetësore.

Njihuni me Via Ferratat e Kosovës

Pejë – Via Ferrata “Ari”
Via Ferrata e parë e ndërtuar në Kosovë është e quajtura “Via Ferrata Ari”, që u funksionalizua në periudhën 2013-2014. Ajo gjendet në kilometrin e tretë të Grykës së Rugovës. Është e gjatë 450 metra dhe shtrihet vertikalisht. Duhen rreth 2.5 – 3 orë për ta përfunduar shtegn e ngjitjes, i cili kalon nëpër tri shpella.

 

Via Ferrata Mat
Duke qenë se ka shtrirje horizontale, konsiderohet më e lehtë për t’u përshkuar. Ky shteg është më i preferueshëm për grupet që tentojnë të provojnë një via ferrata për herë parë, pasi nuk kërkon përvojë paraprake.

 

Via Ferrata “Marimangat”
Njihet edhe si via ferrata më e gjatë dhe me nivelin më të lartë të vështirësisë në Kosovë. Ka një gjatësi prej 1 km. Çka e dallon prej të tjerave është edhe lidhja me Urën Tibetane që është dhe më e larta në rajon, me lartësi prej 60 metrash.

 

 

Via Ferrata “Shpellat”
Një tjetër via ferrata e veçantë. Me një gjatësi prej 600 metrash, shtegu kalon nëpër 8 shpella të ndryshme. Ky shteg i shpërblen vizitorët me panoramën magjepsëse të Grykës së Rugovës.

Prizren – Via Ferrata “Panorama”
Gjendet 4.5 km nga qendra e qytetit, në luginën e lumit Lumbardh. Është e gjatë 510 metra dhe ngrihet deri në lartësinë185 m. Pikënisja e ngjitjes është Ura Tibetane. Përafërsisht duhen 1.5 orë për t’u ngjitur dhe 30 minuta për t’u kthyer.

 

Deçan
Via Ferrata e Deçant gjendet 4 km në anën jugore të Grykës së Deçanit, në Bjeshkët e Namuna. Shtegu i ngjitjes është 470 m dhe ka rreth 3 km shtigje për ecje jo të vështira, që mund të kapërcehen edhe gjatë dimrit. Kushdo që ngjitet deri në majë do të ketë pamje 360° të maleve të Gjeravicës dhe Mariashit, të Rrafshit të Dukagjinit dhe pjesës veriore të vargmaleve të Sharrit.
Është një nga shtigjet më të gjata në rajon. Gjendet në pjesën veriperëndimore të Kosovës, në shkëmbinjtë e Berimit të Malit Mokra Gora. Ka gjatësi prej 3 km dhe duhen rreth 6 orë për ta ngjitur. Ka të përfshira katër ura të varura dhe kalon nëpër një shpellë vertikale ku gjendet një ulëse të varur në ajër prej nga për vizitorët shpaloset pamja e mrekullueshme e luginës dhe liqenit. Gjendet rreth 25 km nga Zubin Potoku.

 

Nol Krasniqi, udhërrëfyes apo guidë malore, ka mbi dhjetë vjet që eksploron natyrën e Kosovës. Ai është një ndër profesionistët më të njohur të ngjitjes dhe ecjes në mal, me ekspertizë në ndërtimin dhe funksionalizimin e Via Ferrata-ve.

“Nëse e bëjmë një krahasim nga viti 2013 kur kemi hapur Via Ferrata-n e parë, atëherë e shohim që numri i turistëve (para pandemisë) çdo vit ka ardhur duke u rritur, pra ndërtimi i këtyre atraksioneve ka ndikuar shumë në numrin e turistëve” thotë Noli, për të cilin Kosova është lidere e Via Ferratave në Ballkan. “Në çdo cep të Kosovës e gjeni një Via Ferrata” thotë ai. Madje, Kosova ka edhe plot vende të tjera me potencial për ndërtimin e Via Ferratave të tjera, por gjithnjë këto ide duhet të shoqërohen edhe me ide të tjera dhe risi.

“Rritja e numrit të Via Ferrata-ve nuk rrit vetëm numin e atraksioneve turistike, që pastaj ndikon edhe në numrin e turistëve, por ndikon pozitivisht në të gjitha bizneset e sektorit të turizmit në Kosovë: operatorët shesin shërbime dhe produkte të tjera” thotë Noli.

 

 

Adriatik Gacaferi është themeluesi i Klubit të Bjeshkatarëve të Kosovës (Kosovo Mountain Club) një organizatë kjo që ka si objektiv kryesor nxitjen e aktiviteteve bjeshkatare në Kosovë, pra nxitjen e banorëve që të merren me bjeshkatari, por edhe promovimin e natyrës dhe ruajtjen e mjedisit.
Menjëherë pas themelimit, Klubi i Bjeshkatarëve të Kosovës nisi punën për ndërtimin e Via Ferrata-s në Deçan. “Via Ferrata në Deçan i ka shtuar një vlerë të madhe kësaj ane. Deçani ka shumë pika të forta si destinacion turistik, si: Parku Kombëtar Bjeshkët e Namuna ku 25% e tij në Kosovë shtrihet në territorin e Deçanit por edhe objekte të larmishme trashëgimisë kulturore, shpirtërore” thotë Adriatiku.

Adriatiku tregon se Via Ferrata i ka shtuar një vlerë të madhe kësaj ane. “Çdokush që viziton Deçanin tani mund të qëndrojë një ditë më shumë dhe ta provojë aventurën që ofron Via Ferrata” shton ai.

Via Ferrata “Panorama” në Prizren u mundëson entuziastëve të natyrës të testojnë limitet e veta në malet e pjesës jugore të Kosovës. Deni Hameli është nismëtari i zhvillimit të këtij produkti turistik. Ideja e emërtimit “Panorama” lindi gjatë kohës kur ishin duke punuar në faqen shkëmbore, në një pozitë pamje në drejtim të maleve të Sharrit dhe gryka e Lumbardhit mundësojnë një pamje tepër panoramike, secila stinë në atë pjesë është përrallore.

“Prizreni është qytet ku natyra gërshetohet me historinë. Ofrohen shërbimet si vizitë në objekte të trashëgimisë kulturore, duke vazhduar me ngjitje në Via Ferrata. Pas ngjitjes në Via Ferrata ofrojmë edhe ture të ecjes malore në disa zona që ndërlidhen me shtegun e Via Ferratës. Paketat e turizmit malor tani janë të gjera, vite me radhë i kemi studiuar dhe përpunuar” tregon Deni.

Via Ferrata në Prizren si e para në zonën e Sharrit, përfshin 3 shtetet e kësaj zone: Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri. Shtrihet në një zonë piktoreske ku flora dhe fauna është e pasur. Prania e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore, larmia kulturore etnike, gastronomia e pasur, afërsia me parkun kombëtar “Sharri” dhe shumë objekte hotelerie e bëjnë të veçantë këtë atraksion turistik.

 

Përkrahja zvicerane për zhvillimin e turizmit në Kosovë

Që nga viti 2014, organizata Swisscontact përkrah zhvillimin e turizmit në Kosovë. Shembuj të kësaj përkrahjeje janë edhe zhvillimi i produkteve të reja apo i destinacioneve, sikurse janë Via Ferratat nëpër Kosovë apo bujtinat malore. Përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), janë zhvilluar shumë aktivitete në fushën e zhvillimit të turizmit, që kanë kontribuuar në rritjen e punësimit dhe të të hyrave për komunitetin lokal. Këto aktivitete janë fokusuar në koordinimin dhe menaxhimin e destinacionit, promovimin e tij, përmirësimin e ofertës turistike dhe të shërbimeve turistike.