Korça jonë e bukur e gjitha e rezervuar, nuk gjen më asnjë vend për festat e fundvitit

19 Dhjetor, 2022 || 66 views

Korça është një nga destinacionet kryesore të shqiptarëve për të kaluar festat e fundvitit. Kjo duket edhe nga rezervimet e kryera nëpër hotele, të cilat kanë nisur para muajve, e të gjesh një dhomë të lirë sot është kthyer në mision të vështirë.

 

Qyteti duket se do të përjetojë përsëri një ‘boom’ turistësh për natën e Krishtlindjes dhe vitit të ri. Pothuajse të gjithë hotelet janë të rezervuar.

“Rezervimet e fundvitit kanë nisur afro dy muaj më parë, le të themi që njerëzit kanë marrë që ndërrimin e viteve dhe festat ti kalojnë në qytetin tonë. Javët e fundit ka qenë plot me telefonata por në pamundësi të hapësirave akomoduese besoj se kemi njerëz që duan vende të reja t’i sugjerojmë që të qëndrojnë në Korçë”, u shpreh Krishti Tanushi, menaxher i një hoteli.

“Festat e fundvitit kanë arritur në kapacitetin e tyre maksimal, pronetimet kanë rreth dy muaj që kanë nisur dhe tanimë janë mbyllur si për krishtlindje por edhe për vitin e ri. Kjo situatë është e njëjtë si në hotelin tonë por edhe në bujtinat e Korçës”, u shpreh Eriketa Koçollari, menaxhere hoteli.

Por çfarë i sjell turistët në Korçë? “Ata vijnë në Korçë për qetësinë që ajo të fal plus që janë të sigurte për atë që do të gjejnë, përveç mikpritjes edhe cilësia e shërbimit, qoftë të restoranteve bareve hotelerisë”, tha ajo më tej.

Në krahasim me një vit më parë çmimet e shërbimit të hoteleri turizmit janë rritur me 10%, por duket se kjo nuk është një arsye që të ndalë turistët vendas drejt juglindjes.