Konferenca Ndërkombëtare “Zonjat e suksesit shqiptar”, nga Albanian Ecxellence, më shumë se 100 gra nga Shqipëria, Kosova, Mali i ZI, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora

March 26, 2023 || views

Konferenca Ndërkombëtare “Zonjat e Suksesit shqiptar dje dhe sot, sfidat e së ardhmes” solli në Tiranë mbi 100 gra nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Diaspora, të cilat me ftesë të Flora Nikollës në kuadër të Albanian Ecxellence, shpërfaqën rrugëtimin e tyre drejt suksesit, përmes rrëfimeve krejtësisht njerëzore, larg klisheve e ftohtësisë se sallave të konferencave.

 

 

Ngjizur kohë më parë, në vitin e largët të 100-vjetorit të Pavarësisë, ideja Flora Nikollës për të shkruar historinë e të paktën 121 zonjave shqiptare që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe kudo nëpër botë, ka rrugëtuar për këtë dekadë në shumë vende e aktivitete me natyrë njerëzore e promovuese, duke organizuar mbëmje festive e ceremoni solemne nëpër Shqipëri, rajon, diasporë, e deri në Nju Jorkun e më shumë se 100 mijë shqiptarëve të Diasporës.

Këtë herë ishte një konferencë, që mblodhi bashkë gra artiste si Etleva Golemi, Shqipe Zani, Shpresa Gashi, Rita Gjeka, Enada Hoxha apo Brunilda Sota, gra poete e shkrimtare si Diana Çuli e Vera Bekteshi, gra të forta e luftëtare të fjalës si Flora Brovina e gra me shpirt të bukur si Irena Toçi, Abigela Voshtina apo Klodiana Toptani por edhe gra të zonjat në shkencë e mjeksësi, ashtu sikundër edhe në biznes e ne jetën shoqërore si Diana Sokoli apo Merita Isufi me grupin e saj të vajzave nga Londra, gra të medias si Arta Marku, Adrianë Pajaziti, Ilmira Lika apo gra politikane e të shumë fushave të tjera  që patjetër e kam të vështirë t`i përmend të gjitha me emër.

E konceptuar si një bisedë e gjatë në një auditor femëror, ndarë në fasha kohore dhe emërtuar “Salloni i”, zonjat ndanë me njëra-tjetrën Sallonin e Muzikës, Sallonin e Artit, Sallonin e Letërsisë, Sallonin e Mjekësisë, Sallonin e Biznesit, Medias, Bankave dhe Sallonin e Diasporës (Londrës), ku secila grua mori e dha atë që ndjeu e atë që i tha zemra të jepte në tryezën e bisedës.

Nuk ishte një takim për elozhe por një sagë triditore, ku përveç historive të mrekullueshme njerëzore që u rrëfyen pa drojë e me ndonjë pikë loti tek-tuk, ndodhën kaq shumë ngjarje me vlerë, sa do të duhet një kohë për t`i përjetuar secilën me shijen e vlerën e tyre. Ishte një kaleidoskop femëror shpirtrash, pasionesh, luftërash nëpër kohë, mundimesh e copazash të bukura jete, që secila grua i përshkroi ashtu siç i kishte jetuar.

Promovimi i librit të Vera Bekteshit “Pusulla të verdha” apo promovimi i disa veprave të Flora Brovinës ishin aktivitete ceremoniale që iu bashkangjitën natyrshëm këtij rrugëtimi treditor, duke shtuar veçse vlera e duke bërë që konferenca të ndërtohej në etapa, njëra më domethënëse se tjetra.

E vlerësuar dhe e privilegjuar që isha pjesë e kësaj plejade emrash, shumë prej të cilëve o i shohim të shkruar nëpër libra, ose i ndjekim nëpër ekranet televizive, nuk mund të mos ndjehesha e përkëdhelur për ndjesitë e jashtëzakonshme që pata mundësi të provoj. Dhe “ shkak” u bë Flora Nikolla, kjo zonjë e madhe që i bën zonjat e tjera të ndihen ashtu siç janë; të mëdha, të rëndësishme e të dobishme për shoqërinë.

Ishte e kuptueshme që kjo ngjarje nuk mund të përjetohej vetëm brenda mureve të një salle konferencash ndaj vizita në Kalanë e Tiranës, të cilën e zonja e shtëpisë Klodiana Toptani e shndërroi në një festë me muzikë e ushqim tradicional plot sharm e përmbajtje, shërbeu si një mundësi njohjeje e mëtejshme mes grave pjesëmarrëse.

Gjithashtu vizita në Krujë, ku u zhvillua ceremonia e nderimit të Flora Brovinës dhe veprave të saj, veshja e grave me kostume popullore dhe takimi me historinë përmes mjediseve të Muzeut “Gjergj Kastrioti” ishte një përmbyllje e denjë e këtij takimi me natyrë e qasje mbarëkombëtare.

Konferenca “Zonjat Shqiptare të suksesit dje dhe sot, sfidat e së ardhmes”, kishte për qëllim të parashtrojë dhe kërkojë politika të reja për të drejtat e gruas  shqiptare kudo ku është dhe jo vetëm, si një aksion efikas në fuqizimin e figurës  së saj. Konferenca nënshkroi dokumente shumë të rëndësishme në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të grave, në vijimësinë e aktivitetit  që Albanian Excellence nisi në vitin 2016, kur organizoi ne Nju Jork, “Zonjat shqiptare ne Nju Jork, dhe ku u firmos Memorandumi “Të jesh grua ne shekulln e XXI”

 

Natyrisht rrugëtimi nuk do të ndalet këtu sepse Albanian Excellence dhe zonja e saj e suksesit Flora Nikolla ka plane të mëdha në të ardhmen, ku në qendër nuk qëndron vetëm gruaja por çdo pesonalitet i spikatur i shoqërisë shqiptare brenda e jashtë trojeve, që ka një kontribut të shquar në shoqëri dhe që meriton t`i shkruhet një histori.