Kjo është kalaja më e vizituar këtë vit në Shqipëri

18 Nëntor, 2022 || 1034 views

Turizmi që gjatë këtij viti arriti të tejkalonte edhe shifrat e periudhës para pandemisë, duket se ka shënuar rikthim të turistëve edhe në muze, kala apo parqe arkeologjikë.

 

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Kulturës tregojnë se gjatë muajit shtator 2022, vihet re rritje prej 58% të numrit të vizitorëve në çdo institucion kulture, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021. Ndërsa rritja për periudhën 9-mujore është 73% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2021.

 

Por cilat janë objektet kulturore më të preferuara nga turistët për t’u vizituar?

 

Sa u takon muzeve në gjithë vendin për 9-mujorin, rekordin e mban Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë me 57.6 mijë vizitorë, teksa në vend të dytë është Muzeu Historik i Tiranës.

I treti në renditje për nga numri i vizitorëve është ai Ikonografik Onufri në Berat. Më pas vjen Muzeu “Shtëpia me gjethe”.

 

Në total nga janari në shtator muzetë në gjithë vendin i kanë vizituar 206 mijë vizitorë, me një rritje më shumë se 1.2 herë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Sa u takon vizitave në kala në vend gjatë 9-mujorit, rekordin e mban Kalaja e Gjirokastrës që ka mirëpritur gati 115 mijë turistë, në vendin e dytë është Amfiteatri dhe në të tretë Kalaja e Porto Palermos me 12.6 mijë vizitorë.

 

Në total kalatë i kanë vizituar 150 mijë qytetarë, me një rritje 30% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Lidhur me vizitorët në Parqet Arkeologjike, në vendin e parë qëndron ai i Shkodrës që ka në përbërje të tij Kalanë e Rozafës, Kapitanerinë e Kalasë dhe Kishën-Xhami. Parku ka një sipërfaqe prej 70 hektarësh.

 

Numri i vizitorëve si 9-mujor në këtë park është rreth 82 mijë. Parku Kombëtar i Butrintit vjen i dyti për nga numri i vizitorëve me mbi 70 mijë, ndërkohë që ai i Apolonisë i treti me 44 mijë.