Keku në Bled ishte i mirë po sheqerpares tonë i vjen anash

November 3, 2019 || views

 

E kemi bërë zakon që çdo vjeshtë të vizitojmë së paku një destinacion të ri, kryesisht në rajon ose Ballkan, duke e shfrytëzuar sa të jetë e mundur kohën e pakët që na lënë të lirë udhëtimet e shumta nëpër Shqipëri, që janë edhe fokusi kryesor i punës tonë.

Vjet ishim në Bled, destinacioni aq i njohur i Sllovenisë, që vizitohet prej miliona turistëve nga e gjithë bota. Dhe siç ndodh rëndom, donim të provonim pjatat e vendit. Nëse nuk provon Kekun e Bledit me vanilje, zëre se nuk ke qenë fare në Bled, shprehja e njohur kjo, për t`i dhënë e duhur gatimit karakteristik të zonës që duhet të provosh gjatë udhëtimit.

Epo mirë, le ta provojmë Kekun e Bledit, (se mos kujtoni se Bledi është kuzhinier ore,) me vanilje.

I mirë qenka. I lehtë, me shije të këndshme, dhe përveç aromës së vaniljes ka edhe ca gjëra të tjera që bëjnë pjesë tek receta sekrete që vjen nga origjina, domethënë nga perandoria e Habsburgëve. Por ama jo ndonjë gjë për të lënë mendjen e kokës, As për të dalë në National Geographic me gjithë atë artikull sa një çarçaf.

Po të jetë për atë punë, Sheqerparja jonë e Dibrës e le në bisht Kekun e Bledit se të shkrin në gojë, sa të të dalin lot nga kënaqësia e shijes intensive. Po ja që nuk e ka naming aq të madh e akoma nuk i kanë bërë artikull në National Geographic.

U pa puna, do ftojmë Endriju Zimern, të bëjë një xhiro këtej nga ne se ai e qan zanatin. Edhe kështu Keku i Bledit në NATGEO, Sheqerparja jonë në Travel Channel.