Kantina Herta – nga vreshtat panoramike të familjes “Osmani”, drejt e në gotën tuaj

Gusht 1, 2020 || 274 views

Kur udhëtoni drejt Durrësit, ajo që duhet të bëni, nëse doni të përjetoni një ditë ndryshe, krejtësisht jashtë atyre gjërave që mendoni se mund të bëni në Durrës, është të merrni rrugën që të çon për tek Gjiri i Lalëzit, edhe pse duhet të ndaloni shumë më pak kilometra larg destinacionit fundor të kësaj rruge. Dhe duhet të ndaloni jo thjesht sepse këshilla jonë është të vizitoni Kantinën Herta, sipërmarrjen e familjes Osmani, por sepse duke e vizituar, do të keni më shumë mundësi ta zgjasni kënaqësinë e ditës tuaj me një qasje fare të veçantë drejt natyrës.

E dimë tashmë se turet e verës janë në modë. E dimë edhe se shumica e kantinave, për një cikël të mbyllur e sa më të kënqashëm për vizitorët e tyre, kanë fillluar t`i pajisin kantinat me restorante të vogla karakteristike, ku ofrohen delikatesa që shoqërojnë verën e shtëpisë ose gatime të zonës, madje edhe me perimet e kopshtit. Njëjtë edhe Kantinën Herta, restoranti i ri na pëlqeu shumë. I këndshëm, me elementë që edhe pse brenda natyrës së një restoranti – kantinë, kishin ditur të spikasnin me origjinalitet, si për shembull perdet prej tapash vere, që ende nuk i kemi hasur gjëkundi.

Rozani, djali i shtëpisë që na pret me një gotë verë, siç mund të imagjinohet, na bën një shtëtitje në kantinë, në serën dhe në kopshtin ku rriten perimet dhe thotë se pjesa më e bukur e gjithë vizitës së turistëve është në fakt vreshti, vetëm pak kilometra tutje. Prandaj nuk ka kuptim vizita dhe degustimi në kantinë apo një drekë në restorant, pa vizituar vreshtin.
Dhe pasi u kthyem nga ajo vizitë, ne i dhamë të drejtë.

 

Vreshtat e familjes Osmani, nuk ishin thjesht, plantacione me rrush, që rritet për llogari të familjes, që vera të vijë nga vreshti drejt e në gotë, ashtu siç kanë sloganin e tyre dhe ashtu siç edhe është filozofia e linjës së prodhimit. Vreshat ishin pjesë e një peisazhi të mrekullueshëm, mbi kodrat e bukura të Maminasit, që zbukuroheshin e freskoheshin nga një liqen artificial e që vendasi i thonë Liqeni i Pyllit. Jo të gjithë vreshtarët e kanë këtë fat, që vreshti i tyre të ndodhet pranë një liqeni dhe të kthehet në atraksion turistik për vizitorët.

Prandaj dhe ne po e nxjerrim në pah si një tur të veçantë, për këdo që është jo vetëm verëdashës por edhe natyrëdashës. Në një të ardhme, ca varka të vogla mbi liqen, një shëtitje pas vizitës në vreshta dhe ja ku e fituat një përvojë të bukur.

Përvojë e cila kuptohet, do të mbyllet sërish në kantinë, sepse ndërkohë që ju vizitoni vreshtat, edhe dreka është bërë gati. Një drekë me produktet e kopshtit, gatime të zonës, përbërës të freskët nga shtëpitë e fshatit e natyrisht verën e shtëpisë. Do të pini Merlot Dyrrahu, Shesh të Zi “Shën Pjetër”, do të shijoni “Bukuroshen e Maminasit” por nëse doni, edhe “Herta Merlot” “Trebiano” e “Kabërnet Sauvignon”, verë që ka ardhur nga ato vreshat e bukura që vizituat, drejt e në gotën tuaj.

 

Kantina Herta nuk është tjetër veçse Kantina e familjes Hamdi Osmani.
Krijuar nga kjo familie, ajo nisi prodhimin pasi kishte krijuar një sipërfaqe prej 4,5 hektarësh vresht në Maminas e rrethina, sipërfaqe të cilën e ka çuar deri në 6 hektarë. Teknologjia e saj italiane “Della Tofolla” i jep mundësinë asaj të prodhojë verëra të cilësisë së lartë dhe të jetë një konkuruese e denjë në tregun e verërave shqiptare. Me llojet e kultivarëve si Merlot, Trebiano, Toscano, Kabërnet, etj., Herta ka krijuar produkte mjaft interesante si Bukuroshja e Maminasit, Merlot Dyrrah, Kabërnet Savinjon, Merlot Trebiano etj..

 

Mirëpo Kantina Herta nuk është thjesht çështje e një produkti të mirë por e një filozofie që shkon drejt shijimit të natyrës, peisazhit, ushqimeve të pastra pranë natyrës. E vendosur në një zonë mjaft të bukur të Durrësit, rrugës që ju çon për tek Gjiri i Lalëzit dhe Kepi i Rodonit, pranë liqeneve-rezervuare të Karrecit, ambientet rreth kantinës ju ofrojnë mundësinë ideale për të shijuar një gotë verë në natyrë, shoqëruar me produktet e shijshme të zonës.

 

Më shumë foto: këtu

Video: Këtu

Më shumë video:
https://www.facebook.com/watch/?v=945985889219442

 

Facebook: Kanina Herta 

Instagram: kantina_herta_