Kalaja e Novobërdës (Artanës)

March 15, 2020 || views

Në një mal të vogël ndërmjet Përlepnicës dhe Krivarekës, rreth 30-35 km në perëndim prej Gjilanit dhe rreth 39 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, ruhen rrënojat e qytetit dhe fortesës mesjetare të Novobërdës.

Sipas dokumenteve të zbuluara deri më sot, Novobërda me këtë emër për herë të parë përmendet në dekadat e para të shekullit XIV, me emërtimin Nuovo Monte.

Qyteti mesjetar ishte një vendbanim xehetar dhe në ditët e sotme janë ruajtur pjesë të mureve, kullave mbrojtëse, si dhe gjurmë të themeleve të disa monumenteve sakrale të arealit të fortesës. Fortesa përbëhet nga qyteti i epërm dhe qyteti i poshtëm, ndërtuar mbi kodrën e Novobërdës.

Qyteti i poshtëm, gjegjësisht Nënkalaja, shtrihet në kodra, në lindje dhe juglindje tërësisht deri te miniera nën Malin e Madh.

Qyteti i epërm është ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës, ndërkaq nën të, në drejtim të perëndimit, shtrihet qyteti i poshtëm me bazë në formë të freskores. Qyteti ka qasje vetëm nga pjesa lindore. Nga pjesët e tjera, pjerrësia e kodrës është shumë e rrëpirët në drejtim të luginës.

Në pjesën lindore, terreni ngrihet gradualisht dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël, në platonë e epërme, nën të cilën gjenden rrënojat e një kishe të madhe mesjetare të tipit katedrale.

Burimi: Këtu