Kalaja e Kaninës dhe historitë e saj me princër e princesha

6 Gusht, 2019 || 1362 views
Nga Ilirjan Gjika
Një udhëtim nëpër histori, që nga princesha Rugina e deri te Donika Kastrioti
Kështjellat janë objekte të trashëgimisë kulturore me origjinë antike dhe mesjetare. Edhe vendi ynë Shqipëria, ka trashëguar nga e kaluara një sërë kështjellash të cilat sot përfaqësojnë një pasuri të vyer kulturore dhe historike. Secila prej tyre përmban në vetvete histori nga më të ndryshmet rreth ngjarjeve që lidhen me to. Edhe sot janë të njohura dhe të fashme legjendat e vjetra mbi Rozafën, Argjironë e deri tek ato më të rejat për Vasiliqinë e Ali Pashës. Por kështjella shqiptare që bart histori të shumta, të ngjashme me ato të tragjedive shekspiriane është padyshim ajo e Kaninës.
Për ta parë nga afër këtë objekt shekullor vendosëm që në një ditë tetori të merrnin rrugën nga Vlora drejt saj. Ngjitja me makinë ishte shumë mbresëlënëse sepse rruga qarkon përreth kodrave të veshura me ullinj dhe dru frutorë. Në kthesat e buta të saj përpara syve të shfaqej deti, bashkëudhëtari i përhershëm i kësaj kështjelle. Madje kur u ngjitëm në të na u krijua përshtypja
se ky objekt ishte i lidhur që nga gjeneza e tij në mënyrë të pazgjidhshme me detin.
Sapo ngjitesh fortesa të imponohet me madhështinë e saj. Muret ruhen në të gjithë gjatësinë dhe prej tyre shihen qartë të gjitha anët e horizontit. Në lindje Hapet lugina e poshtme e Shushicës apo siç quhet nga vendasit e “Lumit të Vlorës’’. Në veri brezi i kodrave të Kuzum Babait dhe të Babicës, në jug Shashica, Lungara dhe Çika, ndërsa në perëndim Vlora, gjiri i saj me Sazanin dhe Karaburunin.
Për të shuar edhe kuriozitetin shkencor të lexuesit mund të themi se, kështjella e Kaninës ngrihet mbi një kodër prej 380 m të lartë në pjesën juglindore të qytetit të Vlorës. Arkeologët e kanë përcaktuar si një fortësë me karakter mbrojtës që i shërbente qysh në antikitet bashkësisë ilire të Amantëve. Me një sipërfaqe prej 3.5 ha dhe e rrethuar me mure që i përkasin teknikave, stileve dhe kohëve të ndryshme, kështjella, ishte e aftë të strehonte njerëz dhe mjete të konsiderushme. Qëllimi i saj ishte kontrolli mbi gjirin e Vlorës, fushat bregdetare dhe luginën e poshtëme të Lumit Shushica. Këtë rol ajo e luajti edhe gjatë shekullit të fundit, kur në vitet 90-të, prej saj u largua i fundmi repart ushtarak ai i Ushtrisë Shqiptare.
Ndërkohë që nga historia dimë se në këtë fortesë kanë ushtruar aktivitetin e tyre një sërë emrash të përballjeve të mëdha midis perandorive mesjetare. Të tillë kanë qenë Robert Guiskardi, një nga kalorësit më të shquar të perëndimit; Boemundi i Tarentit, një nga protagonistët e kryqëzatës së parë, princat e despotatit bizantin të Epirit; admirali napolitan Filip Kinardi, princi Jovan Komnen Asenin dhe pasardhësi i tij Aleksandri; i pari i dinastisë së Kastriotëve, kështjellar i Kaninës, princi Balsha II dhe e shoqja Komita Muzaka, princesha Rugina apo Gjegju Sinan Pasha, i pari i dinastisë fisnike të Vlorajve.
Po kështjella e Kaninës mbart edhe tregimet e shumta mbi princeshën Rugina Balsha. ‘’Legjendës së saj’’ i ka kënduar kënga popullore dhe letërsia e kultivuar. Pasi dështoi për t`ia dorëzuar Kaninën Venecianëve, Rugina, u largua në ekzil. Një natë të errët pasi doli nga kështjella e Kaninës dhe pasi kaloi shpateve të Shashicës mori rrugën drejt Himarës për t’u vendosur përfundimisht në Korfuz, ku dhe vdiq në dëshpërim.
Por emri më i lakuar i personazheve të Kaninës është padyshim ai i Donika Arianitit, bijës së princit Gjergj Arianiti, njërit prej heronjve të qëndresës antiosmane të shekullit të XV-të. Në ditët e sotme historia aludon se dasma e saj u zhvillua këtu në këtë kështjellë. Më tepër për të flasin tregimet e kujtesës popullore, që dëshmojnë se ceremonia e martesës së Donikës me Skënderbeut u zhvillua këtu në Kaninë. Njëra prej tyre, e ruajtur në Himarë, tregon se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë”.
Pikërisht për të përkujtuar këtë ngjarje në muajin prill të këtij viti, kohë që përkon me ngjarjen reale, në kështjellën hijerëndë të Kaninës u zhvillua edhe aktiviteti kulturor që improvizoi ‘’Dasmën e Skëndërbeut’’. Por këtë radhë ‘’çifti mbretëror’’ përbëhej nga dy të rinj arbëreshë që vunë kurorë njëlloj si Kastrioti me Donikën gjashtë shekuj më parë.
Kështu historia përsëritet duke bërë që kështjella e Kaninës të mbetet edhe sot një nga destinacionet e preferuara të turizmit historik dhe kulturor në Vlorë. Jo më kot një proverb që e dëgjuam këtu, thotë se nuk mund të kuptohet Vlora pa Kaninën dhe Kanina pa Vlorën. E natyrisht që një shkrim i tillë nuk shërben veçse si një ‘’ngacmim’’ që nëpërmjet kësaj vizite, të shkruajmë këto rreshta që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ‘’pasurojmë pasaportën’’ turistike të  këtij monumenti kulture.