Ju sugjerojmë 5 arsye pse duhet ta vizitoni me patjetër Korçën e bukur

2 Nëntor, 2022 || 268 views

Një nga qytetet më të bukur dhe interesant në Shqipëri është Korça. Me një atmosferë kaq të impresionuese, Korça arrin të bëjë për vete të gjithë vizitorët si shqiptarë apo edhe të huaj.

 

Ajo gjithnjë ka qenë tepër tërheqëse për turistët jo vetëm në qendrën e saj, por edhe për fshatrat piktoresk të saj. Por, çfarë e bën Korçën kaq të veçantë dhe unike? Në këtë artikull ju listojmë pesë arsye pse duhet të vizitoni Korçën.

 

1. NJË KAFE NË PAZARIN E VJETËR SHIJON SI ASKUND TJETËR

Pazari i Vjetër është padyshim lagja më e bukur në Korçë. Rrugët e ngushta me kalldrëm, ndërtesat e bukura, kafenetë që gjallojnë si në verë ashtu edhe në dimër krijojnë një panoramë aq të lezetshme. E sigurisht si mund të largohesh nga Korça pa shijuar një kafe në këtë qoshkë që i jep edhe ngjashmërinë me Parisin.
Pazari i vjeter Korce

 

2. NJË SHËTITJE NË BULEVARDIN REPUBLIKA

 


Aktiviteti i rradhës është sigurisht një shëtitje në bulevardin kryesor të qytetit. Bulevardi Republika, përgjatë gjithë gjatësisë së tij, shoqërohet me ndërtesa me një arkitekturë mjaft të bukur, paksa më ndryshe se ajo e zakonshmja në Shqipëri. Sigurisht edhe baret, restorantet dhe pub-et nuk mund të mungojnë. Kjo pjesë e qytetit sjell një ndjesi paksa më moderne.

 

3. VIZITONI “MËSONJTOREN E PARË” SHQIPTARE

Gjatë shëtitjes nëpër qytet do të ndesheni patjetër me Mësonjëtoren. Shkolla e parë laike shqiptare tashmë e kthyer në një muze dhe simbol të qytetit të Korçës. U hap më 7 Mars 1887 me kontributin e figurave të shquara si Naim dhe Sami Frashëri. Edhe sot ajo qëndron krenare për të dëshmuar historinë e arsimit shqiptar dhe në një farë mënyre një fitore të popullit tonë.

4. SHIJONI MAGJINË E KATEDRALES MË TË MADHE SHQIPTARE

 


Padyshim që një pikë tjetër shumë interesante në Korçë është edhe Katedralja Ringjallja e Krishtit. Përveçse është katedralja më e madhe në Shqipëri, është edhe një simbol për rikthimin e lirisë fetare pas komunizmit. Ndërtimi i kësaj katedraleje nisi në vitin 1994 mbi themelet e një kishe të rrëzuar nga regjimi diktatorial.

5. USHQIMI ATY ËSHTË I JASHTZAKONSHËM


Së fundmi, duhet përmendur patjetër edhe mundësia për të shijuar një ushqim të paparë. Zona e Korçës njihet për gatimet tradicionale dhe gjithnjë ka qenë një destinacion mjaft i dashur për të gjithë ata që kërkojnë një experiencë fantastike kulinare. Vizitoni Korçën dhe do të keni mundësi të provoni ushqime si; lakrori në saç, kërnackat, petullat e fshira dhe perimet e stinës. Me siguri do t’ju kemi hapur oreksin! Përveç ushqimit, Korça ka diçka edhe për pijedashësit me birrën që mban të njejtin emër apo rakitë e ndryshme.