Jeleku shqiptar që iu dhurua Edith Durhamit, në galerinë e Londrës

11 Mars, 2020 || 501 views

Galeria londineze “Two Temple Place” ekspozon jelekun shqiptar 

Jeleku shqiptar që iu dhurua Edith Durhamit ekspozohet në galerinë “Two Temple Place” në Londër. Të shtunën është hapur ekspozita “Unbound: Visionary Women Collecting Textiles”, me veshje tradicionale të grave gjatë shekullit XX nga Ballkani e deri tek ato aziatike. Pjesë e kësaj ekspozite është edhe jeleku shqiptar me qëndismat ngjyrë ari, dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për Edith Durham. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 prill, përcjell albinfo.ch.

Është një jelek i punuar mjeshtërisht me qëndismat ngjyrë ari që enden mes ornamenteve floreale. Aq fort i kishte pëlqyer, sa udhëpërshkruesja angleze, Edith Durham, do ta vishte atë sipër një fustani të lehtë. Kjo veshje e femrave kishte qenë dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për anglezen që asokohe kishte fituar namin e “mbretëreshës së maleve”. Sipas studiuesve, jeleku dëshmon për një nivel të lartë të mjeshtërive artizanale shqiptare. Jeleku pa mëngë dhe i qëndisur me fije ari ishte një veshje e aristokracisë së lartë beratase.

E ky jelek shqiptar është vetëm një nga veprat e paraqitura në ekspozitën me tekstile nga Ballkani e Azia. Në ekspozitën që është hapur të shtunën në “Two Temple Place” në Londër, tekstilet e mbledhura gjatë shekullit XX nga shtatë gra, kanë marrë statusin e veprave artistike. /Albinfo.ch