Historia e panjohur e Vasel Margilaj, shqiptarit nga Tuzi që ‘sfidoi’ shtetin malazez, duke ndërtuar i vetëm një rrugë që lidhin malësinë e Trieshit me Kosovën

June 26, 2020 || views

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon një reportazh të realizuar në Tuz të Malit të Zi, ku Vasel Margilaj, një pensionist dhe ish-mësues historie, mori përsipër dhe arriti të ndërtonte një rrugë të gjatë në krahinën e thellë malore të Trieshit. Dëshmia e tij ekskluzive për Memorie.al, për ndihmën e madhe financiare të bashkëatdhetarëve nga SHBA-ja, deri tek puna c’filitëse e gjithë pjestarëve të familjes, për të cilën, Vaseli shprehet: “Pasi u pranu ideja ime, vendosëm me u tubue që të pleqnonim këtë gja, dhe me 14 mars të vitit 1992, rreth 80 vetë nga Malësia e Madhe, u mblodhëm në kuvend burrash, tek shkolla e Tuzit. Ndër ata burra, mund të përmënd 20 prej tyne, që u zgjodhën në këshillin që do të merrej me procedimin e mëtjeshëm për ndërtimin e rrugës. Ata ishin: Sul Brahimi Krniq, Zef Nika Kalaj, Rrok Pjetri Gjocaj, Pjetër Gjoni Gorvokaj, Xhemal Rustaj Nikaj, Mark Zefi Dedëvukaj, Elez Ahmeti Gjokaj, Fadil Pepiqi, Nikoll Luca Marashaj, Mirash Gjoni Gjonaj, Zef Doka dedivanaj, Nosh Vasi Camaj, Gjelosh Toma Gjeloshaj, Lek Gjoni Dedivanaj, Zef Kola Gjokaj, Gjeto Luli Gjokaj, Nosh Marku Lulgjuraj, Nikoll Prenka Lulgjuraj, Rrok Kola Stanaj dhe unë Vasel Margilaj”.

Sapo kalon pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe futesh në territorin e Malit të Zi, duke lënë prapa në të majtë bukuritë përrallore të bregut të liqenit të Shkodrës me pyllin e dëndur, i cili edhe pse në prag dimri ende nuk e ka humbur gjelbërimin e tij, pas disa kthesave të forta, të shfaqet papritmas një fushë e gjërë dhe pambarim që shtrihet deri tutje në horizont nga ana perendimore. Sinorët e asaj fushe fillojnë aty në anë të rrugës automobilistike që të shpie drejt qytetit të Tuzit, e cila ndodhet bri rrugës hekurudhore dhe ecën paralel me të, mbarojnë nga veriu me qytetin e Podgoricës, ndërsa nga perëndimi, me malet e lartë që ndajnë atë fushë me bregdetin shkëmbor të Malit të Zi. Shtëpitë e para të Tuzit, disa vila të bukura dy dhe tre kate të dekoruara me gurë të bardhë e të rrethuara me oborre të gjëra, pemë e lule dekorative, fillojnë që në të hyrë të rrugës nacionale, duke u shtrirë në të dy krahët e saj, tashmë të zëna me disa lloje biznesesh. Të gjitha janë të ndërtuara me një arkitekturë moderne dhe me një plan rregulles urbanistik, që zor se e gjen edhe në qytet më të mëdha këtej dhe andej kufirit. Sipas banorëve vëndas, ajo lagje me shtëpi të reja dhe rrugë e rrugica të asfaltuara në të gjithë territorin e saj, nisi të ndërtohej diku aty nga fundi i viteve ’60-të, kur shteti jugosllav i asaj kohe, i’u dha truall për ndërtim shtëpish, shumë prej familjeve të asaj krahine. Pak pa hyrë në qëndrën e qytetit të Tuzit, i cili banohet nga një popullsi shqiptarësh autoktonë prej afro 7000 banorësh, kthehemi në të majtë, aty ku shtrihet pazari i famshëm i atij qyteti, i cili është i njohur prej vitesh ashtu si dhe pazari i Milotit apo ai i Roskovecit. Aty mund të gjesh lloj lloj mallrash, të cilat janë prodhuar pothuaj në të pesë kontinentet e rruzullit. Pa pasur nevojë të ndalesh bri atij tregu të zhurmshëm, i cili nuk i lë gjë mangut atyre që ndodhen rëndom në të të gjitha qytetet e Shqipërisë, vetëm me një shikim të shpejtë nga makina, vë re se aty “ligjin” e bëjnë mallrat “Made in China”. Ku tregtarët kinezë tashmë me pamjen e biznesmenëve ballkanas, kontrollojnë me sy disa prej shqiptarëve që kanë punësuar dhe mallin e tyre të ekspozuar cep e më cep atij tregu, ku gjenden të parkuara edhe mjaft autovetura me targa të Tiranës, Lezhës, Shkodrës e Malësisë së Madhe. Duke mos pasur asnjë interes për çka ndodh aty, ecim disa qindra metra më tej, dhe ndalemi bri një vile tre katëshe, e cila ashtu si të gjitha shtëpitë e tjera të Tuzit, është e rrethuar nga të katër anët me oborr, ku mund të gjesh vetëm pemë dhe lule dekorative. Ajo është shtëpia e njeriut për të cilin ne kemi udhëtuar nga Tirana për ta takuar. Vasel Margilaj, ish-mësues historie në disa shkolla të Tuzit e Trieshit të Malësisë së Madhe (nën Malin e Zi), me bujarinë e malsorit shqiptar, e cila në atë anë është më e theksuar, me shprehjen karakteristike, “Mirë se u ka pru zoti”, na fton brenda, duke bërë të gjitha adetet që u takojnë miqve të largët. Më pas, biseda vazhdon rreth qëllimit të vizitës sonë në shtëpinë e tij: Rrugës malore, Grudë-Selishtë-Trijesh, prej 4.2, km., të cilin Vasel Margilaj, ish-mësues dhe prej dy dekadash në pension, mori përsipër dhe arriti ta ndërtonte në vitin 1998. Po ku ndodhet ajo rrugë, cila ishte arsyeja që u vendos ndërtimi i saj, me çfarë financimesh u bë dhe kush punoi për ndërtimin e saj? Këto janë disa nga pyetjet tona, të cilave Vasel Margilaj, u jep përgjigjie ngadalë, duke na vënë përpara disa dosje të trasha me qindra faqe dokumente. Veç kësaj, ai na fton ta ndjekim nga pas, duke na shoqëruar me makinën e tij në drejtim të Trijeshit. “Më mirë ta shikojmë në vënd”, na thotë ai njeri tepër energjik, që nuk i tregon aspak vitet që ka mbi supe. Duke vozitur makinën e tij drejt atij vendi të thellë malor, që kësaj here u bë objekt i reportazhit tonë, ai nis e na rrëfen…

Ideja e Vaselit për rrugën

Po përse Vasel Margilaj vendosi që t’i hynte një aventure gati gati të pamundur, e cila kishte të bënte me ndërtimin e asaj rruge të thellë malore dhe si i lindi fillimisht ideja për një gjë të tillë? Lidhur me këtë, Vaseli na tregonte: “Prej vitesh e kam pas bluar në mëndje idenë për ndërtimin e asaj rruge, duke pasur një sërë arsyesh për atë zonë të largët, e cila ishte e izoluar dhe pa rrugë komunikimi me trevat e tjera të Malësisë. Unë kisha dëshirë të madhe që të lidhja Trijeshin me Malësinë, (qëndrën në Tuz, Hot, Grudë, Kojë dhe Ledinë), pasi kjo rrugë muk ka pas ekzistuar fare dhe për të lëvizur andej, malësorët idhin të detyruar të shkonin në këmbë apo me kuaj. Ka pasur shumë raste kur gratë i lindnin fëmijët e tyre rrugës duke shkuar për në spitalin më të afërt, apo dhe të sëmurë që vdisnin rrugës pa arritur të shkonin dot në spital. Një nga ato gra që kanë vdekur rrugës për në spital, ka qenë dhe nëna ime. Një aryse tjetër ishte dhe vështirësia e madhe e fëmijëve për të shkuar në shkolla apo dhe punëtorëve në punët e tyre. Po kështu një pengesë e madhe ishte dhe komunikimi me vëllezërit tanë përtej kufirit në trevën e Vermoshit, me të cilët na ndante vetëm lugina e Cemit. Nisur nga këto që u thashë, Trijeshasit nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në shumë raste gëzimesh, hidhërime apo dhe aktivitete të tjera shoqërore, ku ata ishin të ftuar të shkonin. Nga këto vështirësi të shumta, Trijeshi gjithnjë e më shumë vazhdonte të braktisej nga banorët e tij, të cilët zbrisnin në qytetin e Tuzit, apo dhe vënde të tjera, ku mund të bënin një jetesë më të mirë. Nisur nga këto, unë personalisht kisha bërë disa herë kerkesë me shkrim pranë organeve dhe institucioneve përkatëse në Podgoricë, por ato asnjëherë nuk më kthyen përgjigjie pozitive, pasi Podgorica nuk donte që Tuzi të bëhej komunë”. Kështu shprehej Vasel Margilaj, lidhur me arsyet e shumta që e detyruan atë të ndërrmerte nisiativën tepër të guximshme, për ndërtimin e rrugës malore në Qafën e Nogrivës, gjë të cilën organet administrative të Podgoricës ia kishin refuzuar disa herë.

Margilaj: ideja ime u përkrah nga të gjithë

Ashtu siç ishte zakon në çështje që kishin të bënin me jetën, të ardhmen dhe fatin e Trijeshasve, idenë e tij për ndërtimin e rrugës, Vasel Margilaj, vendosi t’a diskutonte me burrat e Malësisë. Po si e pritën ata idenë dhe sugjerimin e tij për hapjen e asaj rruge? Lidhur me këtë, Vaseli na tregonte: “Si fillim desha të them se: historikisht në Qafë të Nogrivës, jan pas takue burrat e Grudës dhe Trijeshit dhe kanë ba marrëveshje në mes tyre për çdo gjë që ka ngja, si për të mirë ashtu dhe për të keq. Në atë vënd janë ba pleqnina, të cilat në më të shumtën e rasteve kanë përfundu me njerzi dhe lavdi për të dy palët. Burrat e Grudës dhe Trijeshit kanë pleqnu në këtë vënd me Kanunin e Lek Dukagjinit dhe në këto pleqni ka qenë ndërmjetës dhe shkrimtari ynë i madh, At Anton Harapi, i cili për këtë gjë ka shkrue librin “Andrra e Preteshit”. Nisur nga këto zakone të të parëve tanë, për çashtjen e rrugës që na shqetësonte së tepërmi, edhe ne vendosëm me ba një mbledhje dhe me i dhanë zgjidhje këtij problemi. Kështu pasi u pranu ideja ime, vendosëm me u tubue që të pleqnonim këtë gja, dhe me 14 mars të vitit 1992, rreth 80 vetë nga Malësia e Madhe, u mblodhëm në kuvend burrash, tek shkolla e Tuzit. Ndër ata burra, mund të përmënd 20 prej tyne, që u zgjodhën në këshillin që do të merrej me procedimin e mëtjeshëm për ndërtimin e rrugës. Ata ishin: Sul Brahimi Krniq, Zef Nika Kalaj, Rrok Pjetri Gjocaj, Pjetër Gjoni Gorvokaj, Xhemal Rustaj Nikaj, Mark Zefi Dedëvukaj, Elez Ahmeti Gjokaj, Fadil Pepiqi, Nikoll Luca Marashaj, Mirash Gjoni Gjonaj, Zef Doka dedivanaj, Nosh Vasi Camaj, Gjelosh Toma Gjeloshaj, Lek Gjoni Dedivanaj, Zef Kola Gjokaj, Gjeto Luli Gjokaj, Nosh Marku Lulgjuraj, Nikoll Prenka Lulgjuraj, Rrok Kola Stanaj dhe unë Vasel Margilaj. Në atë këshill ku kryetar më zgjodhën mua, kishte përfaqësues nga e gjithë Malësija, Hoti, Gruda, Koja, Luhari dhe Trijeshi. Në fjalën time, parashtrova disa nga arsyet e ndërtimit të asaj rruge, traseja e së cilës do të kalonte nga shpatijet e malit të Sukës (që janë të rrahura vazhdimisht nga rrezet e diellit), dhe era që do të frynte nga ana e jugut, do të ndihmonte në shkrirjen e borës dhe akullit. Ky vendim dhe fjala ime u përshëndet me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit që ishin prezent në atë tubim, si dhe nga mbarë populli i Malësisë, që u njoh që atë ditë me vendimin e marrun aty. E vetma gja që u ndryshue aty, ishte që të mos quhej Rruga e Trijeshit, por e Malësisë, pasi ajo do të ndërtohej edhe me kontributin e vëllazënve tanë që jetojshin në diasporë.

Përkrahja e madhe financiare e bashkëatdhetarëve nga SHBA-ja

Sipas rrëfimit të Vasel Margilaj nga Tuzi i Malit të Zi, pas vendimit për ndërtimin e rrugës, këshilli i zgjedhur filloi menjëhere nga puna. Lidhur nme këtë, Vaseli kujtonte: “Puna e parë që vëndosëm të bëjmë, ishte vajtja e një përfaqësie në SHBA-ës, për t’u takuar dhe për të kërkuar ndihmë financiare nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë atje. Kjo gjë u bë realitet menjeherë dhe unë në krye të një përfaqësie shkuam në SHBA-ës. Atje morëm kontakte të shumta me shumë nga vëllezërit tanë, të cilët jo vetëm që e mirëpritën vendimin tonë, por dolën vullnetarë të na shoqëronin nëpër shtëpitë e bashkatdhetarëve tanë dhe u treguan tepër të gatshëm për të na ndihmuar në çdo drejtim. Ndër të parët që na u gjendën afër në këtë nisiativë tonë kur vajtëm në New York, ishin: Nikoll Vata, i cili na lejoi të bënim mbledhje ne lokalin e tij, dhe Palok Gjergj Vulaj, kryetar i komisionit për mbledhjen e të hollave për rrugën Grudë- Selishtë-Trijesh. Një ndihmë të madhe unë pata edhe nga Gjek Nik Gjonlekaj me origjinë nga Trijeshi, ish-gazetar, i cili ishte thirrur nga Xhorxh Bushi (i vjetri) në darkën e shtruar prej tij me rastin e fitores në zgjedhjet elektorale presidenciale për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk e teproj aspak po të them se: Gjek Gjonlekaj, (i cili bashkë me vëllanë, Lucën, na dhuruan 25.000 USD për rrugën), është shembulli i shqiptarit patriot. Një tjetër bashkatdhetar që na dha ndihmën e tij të pakursyer, ishte Dom Anton Kçiraj, i cili (jashtë rregullave kishtare) na lejoi disa herë që të bënim mbledhje në kishën e tij në Detroit. Po kështu në Detroit, një ndihmë të madhe na dha Nikollë Hilë Margilaj, me gjithë familjen e tij, i cili shtëpinë e tij e ktheu në një zyrë ku mblidheshin të gjithë aktivistat për t’u takuar dhe për të bërë mbledhjet e rastit. Djemtë e Nikollës na qëndruan të gatshëm dhe na shëtitën me makinën e tyre nëpër të gjitha lëvizjet që përfaqësia jonë bëri në rrethinat e Detroit. Të tjerë bashkatdhetarë që na ndihmun pa u kursyer, ishin dhe Pjetër Zef Lulgjuraj me nipin, (Luigj Rrok Lulgjurajn), si dhe aktivisti i palodhur, Pjetër Gjergj Lucaj, i cili nuk u nda për asnjë ditë nga unë, që ditën që filloi aksioni ynë për mbledhjen e kontributeve financiare në SHBA-ës, e deri atë ditë që morëm rrugën e kthimit për në Mal të Zi. Bashkatdhetarët tanë në SHBA-ës që na ndihmuan me të holla ishin me qindra dhe për këtë gjë ne kemi listat e sakta me emrat e tyre dhe shumën përkatëse që ata kanë dhënë gjithsecili. Në New York ishin 100 vetë, që kontribuan me shuma të ndryshme, ndërsa në Detroit, Kaliforni e Florida, 250 persona. Shuma e përgjithshme që ne arritëm të mblidhnim nga këta bashkatdhetarë, ishte rreth 108.000 USD”. Kështu e kujtonte Vasel Margilaj, përfundimin e misionin të tij për mbledhjen e ndihmave financiare në SHBA-ës, të cilin e vlerëson si tepër të suksesëshëm.

Rruga përfundoi për 9 muaj, në 1998

Pas mbledhjes së ndihmave financiare në SHBA-ës, përfaqësia e kryesuar nga Vasel Margilaj, u kthye në Tuz dhe filloi menjëherë nga puna për të kontraktuar njerëzit që do të punonin për ndërtimin e rrugës Grudë-Selishtë-Trijesh. Krahas shumë punëtorëve dhe manovratorëve me mjetet e tyre të rënda, si: buldozerë, fadroma, vinça, automjete vetëshkarkuese, motokompresore etj., Vasel Margilaj angazhoi në ndërtimin e asaj rruge të gjithë pjestarët e familjes së tij. Vaseli nuk kishte dëshirë që të fliste për vete dhe familjen, për gjithçka bëri asokohe, por shumë nga shqiptarët e Tuzit që patëm rastin të takonim, na treguan me hollësira për punën e madhe që ai bëri për ndërtimin e asaj rruge. Shtëpia e Vaselit, (ku bashkëshortja e tij, Mrija me vajzat e nuset e djemve, gatuanin ushqimin për punëtorët), u kthye në zyrë dhe magazina e të gjitha mjeteve e veglave që u përdorën në atë rrugë. Nga familja e Vasel Margilajt, një kontribut të madhe në ndërtimin e asaj rruge, dha djali i madh i tij, Marashi, i cili dhe humbi jetën nga një sëmundje, që sipas mjekëve erdhi si pasojë e erës së eksplozivit me të cilin ai punonte çdo ditë. Sipas Vaselit, ndërtimi i asaj rruge filloi më 18.V.1998 dhe përfundoi më 24.II.1999. Për ndërtimin e saj u lëvizën me mijra metra kub dhe, gurë e shkëmb, ku u pëdrorën disa ton lëndë plasëse. Në bazë të llogarive të nxjerra nga projektet e preventivave të bëra në zyrat përkatëse të Podgoricës, vlera e plotë e asaj rruge arrinte në 1 milion e 466 mijë e 400 dollarë (ose 2.460.000 marka gjermane), por ajo u ndërtua vetëm me ato para që u mblodhën në SHBA-ës dhe një pjesë tjetër nga shqiptarët e Malit të Zi. Për të gjitha ato, Vasel Margilaj dispononte disa dosje të trasha, me qindra dokumente, si: harta, projekte, preventiva, lista me shumat e parave të dhuruara, fletë pagesa etj., ku një kpje të tyre na i vuri në dispozicin. Aty janë të regjistruara me saktësi gjithshka është bërë në ndërtimin e asaj rruge, të cilat Vaseli i ruan me fanatizëm dhe na i tregon si shenjë e korrektësisë dhe patriotizmës së tij. Ndërsa marrim rrugën e kthimit të shoqëruar nga Vaseli deri në qytetin piktoresk, Zeta, (buzë liqenit të Shkodrës), mendojmë se ajo që ka bëri ai shqiptar i Malit të Zi, është një shembull i mirë edhe për ne bashkatdhetarët e tij këtej kufirit. Që gjithçka e presim nga shteti!?

Lugina e Cemit poshtë Trijeshit, “Kolorado shqiptare”

Trijeshi është një nga zonat më të thellat malore në të gjithë trevat shqiptare nën Malin e Zi dhe gjithashtu nga më të izoluarat e tij për sa i përket rrugëve të komunikimit me zonat e krahinat e tjera me të cilat ajo kufizohet. Maja më e lartë e Trijeshit është 850 m. mbi nivelin e detit, ndërsa largësia nga qyteti i Podgoricës (njëkohësisht dhe kryeqytet i Malit të Zi), është vetëm 25 km. Trijeshi gjithashtu është i kufizuar nga ana juglindore me malësinë e Vermoshit, por për efekt të mos lidhjes me rrugë automobilistike me këtë zonë të Shqipërisë, pengohet komunikimi me vëllezërit në anën tjetër të kufirit. Vasel Margilaj, një njohës i mirë jo vetëm i historisë për të cilën afro 50 vite të shkuara (në kohën e muajve të mjalit në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së Titos), ka studiuar në Prishtinë, na tregonte se Qafa e Nogrivës, ku ai mori përsipër dhe bëri të mundur ndërtimin e një rruge të re malore, është një vënd që ndodhet në mes Grudës dhe Trijeshit. Pikërisht aty ku ndahet edhe klima e nxehtë mesdhetare, me atë malore, me borë e ngrica, e cila përfshin krejt territorin e Trijeshit, pothuaj në gjysmën e vitit, që nga fillimi i vjeshtës e deri në të dalë të pranverës, kur fillon harlisja e pemëve. Jo vetëm banorët vëndas, por edhe shumë të huaj që u ka rënë rruga andej, e kanë quajtur luginën e Cemit: “Kolorado shqiptare”, pasi lumi me të njëjtin emër që e ndan mes për mes Trijeshin me Vermoshin (që ndodhet brenda kufijve politikë të Shqipërisë së sotme), kalon nëpër disa shpate dhe shkëmbinj që bien thikë mbi të nga një lartësi rreth 800 metra. Bukuri mahnitëse, e cila zor se mund të rrëfehet me fjalë, e jo më të shijohet pa e parë vetë. Ajo zonë fare mirë mund të shëndrrohet në një vënd të frekuentuar për turizmin malor, si në verë ashtu dhe në dimër, gjë e cila deri më tash ka munguar kryesisht për efekt të rrugëve. Me shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia dhe daljen e tij si shtet më vete, shqiptarët që jetojnë në ato vise, thonë se gjërat kanë filluar të rrjedhin për mirë, jo vetëm për ta./  Memorie.al