Gojë gaditëse, një buqetë me delikatesa nga Shkodra

15 Dhjetor, 2022 || 214 views

Nuk besoj se ka fjalë më të përshtatshme në Gjuhën Shqipe sesa dialektorja e bukur shkodranishte “gojë gaditëse”, për të emërtuar ushqimin “catering”. Por nuk po e sjellim këtu argumentin për këtë arsye. Ndoshta edhe për këtë. Arsyet janë të tjera dhe shumë.

Që kur kemi filluar rubrikën “Made in Albania” në revistë, dëshira dhe qëllimi ka qenë të sjellim histori të bukura e frymëzuese nga njerëzit pa bujë por me shpirt të bukur, ide origjinale, guxim që shkon përtej mundësive, kthim në origjinë, ripërtëritje e shtëpisë së gjyshërve, ruajtje e traditës, mbështetje e komunitetit lokal, dhe gjithçka tjetër që reflektojnë historitë njerëzore në luftën për ta bërë jetën e tyre të jetueshme e të larmishme.

Sot po ju themi se bash në zemër të krizës së pandemisë, Shkodrës iu shtua një histori tjetër e bukur për t’u treguar, shkruar nga dy vajza, që deshën t’i japin qytetit të tyre një vend ku të shijohen delikatesa siç thuhet në gjuhën e sotme të gastronomisë ose një vend ku “të gadisin gojën” siç thuhet në gjuhën e përditshme në Shkodër por edhe festa më të bukura e ngjarje për t`u mbajtur mend, duke krijuar e gatuar çdo ushqim vetë, me produkte po aq të pastra e të sigurta sa ato që zgjedhim për shtëpitë tona e natyrisht, me atë që sot kërkohet e vlerësohet aq shumë, tryezën me dekor të bukur.

Se si e nisën vajzat, Sanida e Benida këtë histori, se si i emërtojnë ushqimet, nga u vjen frymëzimi, kush i fton ato për të organizuar festën e vet tashmë, është një histori vërtet interesante por më shumë se thjesht inetersante, çdo histori është në radhë të parë unike, sepse ajo nuk ngjan me asnjë histori tjetër të rrëfyer apo të ndodhur. Kemi plot dëshmi se sa histori të bukura suksesi lindën gjatë pandemisë “Covid 19”, dhe kjo është pa dyshim njëra prej tyre.

Duke qenë se pothuaj të gjithë “humbën” punët e tyre, ose ndaluan së punuari në atë çfarë kishin bërë deri në ato momente, shumë njerëz iu dorëzuan fatit, duke pritur që kjo ëndërr e keqe të mbaronte sa më shpejt. Por pati edhe nga ata pak, që jo vetëm nuk u dorëzuan por lëshuan frerët fantazisë, duke kërkuar për shtigje të reja.

Dy shoqet, që ashtu si të gjithë, kishin pushuar së punuari, dhe të cilave u vinte ndoresh për “me ba me hangër”, një ditë të bukur pyetën njëra-tjetrën: pse të mos gatuajmë për të tjerët? Tani që restorantet janë mbyllur, nuk është se njerëzit nuk po festojnë. Përse t`ua heqim të drejtën të festojnë bukur, me dekor e me shije? Dhe kështu vendosën.

Po emri? Pse gojë gaditëse? Nisur pikërisht nga shprehja e mamës së Sanidës “a ka naj gojë gaditëse” apo “me gadit gojën”, siç quajmë të gjithë ne atë kafshatëzën që kërkojmë shpesh në frigorifer apo në dollapin e ushqimeve për të rregulluar gojën pas një vakti apo larg vakteve. Secila krahinë ka shprehjen e vet, “rregulloj gojën” apo “bëj gojën” por “gojë gaditëse” është kaq “lokaliste”, kaq përfaqësuese për gastronominë shkodrane sa, po të na duhej të përshkruanim forcën e saj të identitetit, mund ta krahasojmë vetëm me atomin, aq në qelizë të karakterit ndodhet.

“Klienti” ynë i parë thotë Benida, ashtu siç edhe mund të pritet, ishte shoku ynë, që festonte ditëlindjen. Prova u kalua me sukses e pas saj, porositë e tjera erdhën gradualisht e në rritje, si nga niveli “institucional” ashtu edhe nga numri i njerëzve, gjë që na detyroi “të dalim” nga kuzhina e shtëpisë ku filluam aventurën tonë dhe të kërkonim një mjedis më të madh e pajisje të reja. Më vonë lindi nevoja e brendshme për t`ua dhënë të gjithëve mundësinë të provonin delikatesat tona e jo vetëm atyre që bënin porosi për catering.

Ndaj, ambienti që gjetëm në Gjuhadol, mu në zemër të qendrës historike, aty ku sot ka marrë jetë një zonë e tërë turistike, ishte fiks ajo që po kërkonim e që do të përmbushte ëndrrën që kishim në kokë.

Sot, bashkë me zyrën, që gjithashtu e kemi dekoruar e mbushur në formën e dyqanit me produkte dhuratash, “Gojë gaditëse” është kthyer në një vendtakim miqsh, ku përmes muzikës së zgjedhur e ushqimi të shijshëm, konsumohen takimet e paradites, ose mbushen me kënaqësi orët e mbrëmjes.

Do të kishim shumë dëshirë që si sipërmarrje lokale me identitet të qartë ku spikasin tiparet e vendit edhe ushqimi të ishte karakterizuar nga gatimet tipike lokale por është shumë e vështirë të fusësh në katering Tavën e Krapit, Qefullin në Tjegull apo pjatat e tjera tipike, ndaj kemi qëndruar tek imazhi modern e plot ngjyra, që të kemi mundësi të luajmë me fantazinë dhe të sjellim sa më shumë gëzim nëpër festa.

 

Edhe pijet ashtu si ushqimet janë të përzgjedhura, lëngje natyrale të shtrydhura, çajra bio, madje edhe koktejet, janë kryesisht me bazë xhini, (që i ngjan disi rakisë tone), nga të 22 llojet që disponojmë në lokal.

Megjithatë “Gojë gaditësja” ka tiparet e veta të spikatura, jo vetëm prej emrit por edhe prej përbërjes së menusë, e cila ndryshon vazhdimisht, jo vetëm në sajë të eksperimetimeve tona por edhe duke mirëpritur e “sajuar” nga ngjarjet që na shënojnë përditë.

 

Në menu për shembull kanë zënë vend “paninet e nanës” ose “lulet e mamit”, duke futur natyrshëm trashëgiminë e vyer të prindërve por edhe të preferuat e shoqeve, që mbeten për porositë e të ardhmes, sidomos kur pëlqehen, edhe pse nuk ishin në menu, si “brioshi i Belmës” apo gojë gaditëse të tjera.

Sot Organizata Botërore e Turizmit po bërtet fort mbi drejtimin që duhet të marrë turizmi dhe ky drejtim duhet të shkojë kah njerëzit dhe jo kah destinacioni. Edhe pse formula është e njëjtë për të gjithë botën, “tourism for people, to people “, përvojat janë unike në secilin vend sepse edhe njerëzit janë unikë. Çdo histori është unike dhe e papërsëritshme. Ndaj dhe turizmi i përvojave nuk do të dalë kurrë nga moda.

Kjo është një ftesë për të gjithë ju, që kur të shkoni në Shkodër dhe nuk keni ide të qarta se ku “me e gaditë gojën”, diku në Gjuhadol, ju presin vajzat “gojë gaditëse”