Globi që rrotullohet dhe “Globi” i Sarandës që shkatërrohet

May 16, 2020 || views

Në botën e sotme moderne, ku gjithçka është kthyer në marketing e vrapohet për të arritur majat, nëse një produkt ka sukses, ai mbështetet, ushqehet dhe i krijohet hapësira që ta rrisë suksesin e tij, për të pritur më pas edhe përfitimet. Suksesin e një produkti ose të një shërbimi që ka të bëjë drejtpërdrejt me tregun, pra me konsumatorin, e mat vetë ky i fundit me blerjen ose mosblerjen e tij. Kështu funskion kudo rreth globit, nga Veriu në Jug e nga Lindja në Perëndim, ku gjithçka i bindet ligjeve e rregullave të tregut.

I vetmi vend ku “globi” nuk u rrotullua sipas ligjeve të tregut ishte “Globi” i Sarandës.

Një ndër të paktat bashkëpunime që rezultoi frytdhënës, edhe pse nën formulën famëkeqe PPP ose partneritet publik-privat, “Globi” ishte një investim i bashkisë së Sarandës me vlerë rreth tetëdhjetë mijë euro, i cili u vendos në shëtitore rreth një dekadë më parë, për të shërbyer si zyrë e informcionit turistik gjatë sezonin veror. Zyra iu la në menazhim librarisë “Toena”, stafi i të cilës e pajisi gradualisht me një sërë shërbimesh, që nga shitja e librave artistikë dhe atyre të udhëtimeve, e deri tek informacioni falas. Me kalimin e kohës Zyra e Informacionit Turistik ose siç u thirr nga të gjithë, të huaj e shqiptarë,  me shkurtimin “Globi”, u bë pikë referimi për të gjithë turistët e udhëtarët.

“Meka” e informacionit dhe e shërbimeve, ku pothuajse të gjitha bizneset turistike të Sarandës kishin lënë materialet e tyre promocionale, qëndronte e hapur nga ora tetë e mëngjesit e deri pas mesnate, gjatë të gjithë sezonit të lartë dhe nga mëngjesi deri në orën nëntë të mbrëmjes përgjatë të gjithë vitit, ndërkohë që marrëveshja ishte bërë që të qëndronte hapur vetëm gjatë sezonit. Ofrimi i informacionit në disa gjuhë, nga një staf prej rreth dhjetë personash, blerja e shërbimeve, tureve, librave e hartave të udhëtimit, suvenireve, librave në shumë gjuhë, biletave për lloje të ndryshme transporti, udhëzimi i shpeshtë, tërheqja e hartave falas, pra kryerja e një sërë shërbimesh për turistin nën formulën “one stop shop”, e bëri aq funksionale këtë zyrë, saqë asnjë turist nuk shkelte më në Zyrën  e Informacionit Turistik të bashkisë, e cila ishte vetëm dhjetë metra larg, ose edhe nëse kthenin aty, gjithë shërbimi që gjenin nga ora 09.00 e deri ne 17.00 ishin pesë harta të ngjitura në mur ose 3-4 botime të lëna aty nga botuesi privat “Blue Editions”.

Lexo edhe: Reflektim mbi prishjen e “Globit”, Qendrës së Informacionit për turistët.   

Për shkak të shërbimit të plotë, “Globi” u bë pjesë e botimeve prestigjoze botërore si “Lonely Planet” “Bradt” Guides dhe plot botimeve të tjera turistike, me vlerësim maksimal, pa përmendur këtu dhjetëra botime turistike shqiptare, që po i përjashtojmë, për shkak të bashkëpunimit reciprok. Dhe kjo përfshirje erdhi natyrshëm, prej përshtypjeve të panumërta të turistëve në internet.

Madje si një zyrë informacioni me formë të veçantë e interesante, “Globi” u përfshi edhe në listën e zyrave të informacionit më të veçanta në botë.

   

 

Asnjë zyrë e informacionit turistik në Shqipëri, në ato pak qytete ku ato ndodhen, nuk ka qenë aq funksionale dhe e suksesshme sa Globi. Ndonëse është sugjeruar shpeshherë që kjo formulë të shtrihet edhe në qytete të tjera turistike me fluks të lartë, përveç Korçës, nuk e ka aplikuar asnjë qytet tjetër dhe aktualisht ky problem vazhdon të jetë i pranishëm në çdo qytet. Zyra që hapen me fonde projektesh, kioska që qëndrojnë më shumë mbyllur se hapur e që mbi të gjitha, nuk funksionojnë sepse nuk kanë përkushtim të stafit, i cili duhet duhet të ketë një shtysë përfitimi, që ta ofrojë këtë shërbim me interes.

Përse sa herë që diçka fillon e funksionon dhe ka sukses, shkatërrohet? Nuk kishte vend për “Globin” në shëtitoren e re, për t`i dhënë sadopak thyerje vijës së shëmtuar prej betoni, që po varros plazhin natyral të qytetit? A nuk do të ishte një mënyrë “për të ndjellë” turistët në qendër, ashtu siç ka qenë deri verën e shkuar? Si do ta ofrojë Saranda shërbimin e informacionit turistik për një milion turistët e saj këtej e tutje? Në zyrën e Informacionit Turistik të Bashkisë, ku nuk kanë shkelur as njëqind turistë për sezon?

Çfarë përgjigje do t`u japë turistëve që do të vijnë me guidat “Bradt” apo “Lonely Planet” në dorë, duke kërkuar zyrën për të cilën kanë lexuar? Do t`u thonë, na falni se na kishte zënë vendin ku do të hidhnim beton?

Zyra e re e Informacionit Turistik, ka zënë vend një rrugë më lart, në “Pentagramin” e rrugëve të qytetit, pranë kishës dhe ajo do të ofrojë sërish informacionin dhe shërbimet që ka ofruar prej një dekade tashmë. Sepse “Globin” e bëri të tillë pikërisht stafi i tij. Dhe kush është mësuar të ofrojë shërbim cilësor, do të gjejë rrugët e mënyrat ta ofrojë atë kudo por sarandiotët nuk duhet të lejojnë që taksat e tyre të kthehen në skrap si pa gjë të keq, që identiteti i pakët i mbetur në këmbë në 2-3 spote të qytetit, të zhduket krejtësisht nën beton apo nën shkallë mermeri të shëmtuara e të rrëshqitshme, vendosur aty ku dikur shtriheshin shkallët e ndërtuara me gurë natyralë, gdhendur nga mjeshtrit sarandiotë e që që i jepnin qytetit identitet.