Ftesa më e re e Travel Magazine: kalojini festat në Durrës!

9 Dhjetor, 2019 || 3305 views

Përpara atmosferës së festave të Nëntorit, kur shumica e njerëzve bëjnë plane se ku do t`i kalojnë ato, sidomos kur dy ditët e festave i paraprijnë fundjavës dhe krijojnë mundësinë për një palë pushime të vogla, Travel Magazine ndërmori një nismë, e cila synonte t`i nxiste shqiptarët t`i kalonin festat kombëtare në Shqipëri, duke publikuar çdo ofertë që hotelet apo tur operatorët shqiptarë publikonin për këto festa.

Efekti i kësaj nisme bëri që Vlora, qyteti i Flamurit dhe vendi ku ka më shumë kuptim Festa e Pavarësisë, të dilte me një ofertë të unifikuar, me anë të rrjetit të hoteleve “Regina”, të ndihmuar edhe nga Bashkia e Vlorës, ku me një çmim simbolik prej 28 eurosh në ditë, të përfitoje një ofertë për të gjitha ditët e pushimeve.

Fati tragjik i Shqipërisë më 26 Nëntor, i ndërpreu atmosferën dhe festimet por Vlora sërish e tregoi mikpritjen e saj, duke i hapur dyert për të pritur të prekurit nga tragjedia.

Këtë herë Travel Magazine po ju bën të njëjtën ftesë por me fokus Durrësin dhe Krujën.

Mos shkoni sivjet me pushime jashtë Shqipërisë! Ndihmoni bizneset e Durrësit të kalojnë këtë periudhë të vështirë! Mos e lini Durrësin ta mposhtë dhimbja dhe shkatërrimi! Është qyteti ku keni kaluar pushimet e verës, plot gaz e hare, është qyteti që ju ka përkundur mbi dallgët e detit, që ju ka falur mbrëmjet e perëndimet e bukura, është qyteti që edhe pse shumë herë nëpër shekuj ka përfunduar nën rrënoja, prapë është ngritur.

Asgjë nuk ndodh nëse këtë fundvit nuk shkoni në Budva, në Ulqin, në Korfuz, në Selanik apo kudo gjetkë nëpër Europë… Shkoni në Durrës, në Krujë, aty ku hotelet dhe restorantet do t`ju presin krahëhapur.

Shqipëria ka nevojë për paratë tuaja, që të rimëkëmbë ekonominë e troditur.

Nuk është e rëndësishme vetëm ndërtimi i shtëpive të të prekurve nga tërmeti por edhe rimëkëmbja e bizneseve, me të cilat do të jetojnë familjet e punësuara aty. Çdo kontribut juaji, është baras me ndihmat që mund t`i jepnit një familjeje të prekur nga tërmeti, madje është më shumë, sepse ndihmat nuk zgjasin përgjithmonë kurse rroga e tyre po.

 

Kështu pra, patriotizmi nuk është patetizëm, është gjest dashurie, që ia tregoni atdheut atëhere kur ai ka më shumë nevojë.

Kalojini festat në Durrës! Kalojini Festat në Krujë!