Françeska u bë nuse me fustanin e bardhë, endur nga duart e nënës dhe të gjyshes

August 25, 2021 || views

Flora Xhemani Baba

Ruajtja e traditave të lashta tek një popull, është mënyra për të përcjellë identitetin nga brezi në brez dhe për t`u treguar pinjollëve të vet të ardhshëm se çfarë e dallon atë nga një popull tjetër. Zakonet, ritet, veshjet, festat, ushqimi, folklori, këngët, vallet dhe çdo element tjetër që e bën një vend e një popull unik, janë “mjetet” me të cilat njerëzit e thjeshtë, pa shkruar libra dhe pa bërë studime akademike e historike, çojnë përpara llojin e tyre.

Gjyshja që end në tezgjah nuk është më një dukuri që shihet shpesh nëpër botë. Nëpër botën e industrializuar gjer në palcë, ku produktet njëpërdorimëshe kanë përmbytur shpirtin njerëzor deri në tejngopje.  Por në Zadrimë po. Gjyshja e Françeskës dhe mamaja e saj, endin në tezgjah motivet me nam të Zadrimës, kostumet e bukura zadrimore dhe gjithë botën e pëlhurës për të cilën ka nevojë shtëpia. Ato kanë mësuar edhe Françeskën ta dojë tezgjahun e t`ia besojnë asaj misionit e kalimit të traditës tek brezi tjetër. Natyrisht Françeska nuk është vetmja vajzë që trashëgon tradita por ne sot do të flasim vetëm për të, meqenëse ajo kishte ditën e saj të veçantë, atë më të bukurën e jetës, ditën kur kurorëzohet dashuria e kur bëhen betimet për ndarjen e pjesës së mbetur të jetës me njeriun e zemrës.

E në ditën e saj më të bukur Françeska vendosi që fustanin dhe vellon e bardhë ta kishte nga duart e gjyshes dhe të mamit. Jo një kostum tradicional  zadrimor por fustan të bardhë si ai që veshin të gjitha nuset në ditën e dasmës. Vetëm se fustani i saj do të ishte fare i veçantë! Me pëlhurën të endur me fillin e mëndafshit që e nxjerrin nga krimbi i mëndafshit, të cilin e kanë rritur vetë nga manat e shtëpive të tyre. Stiluar nga mikesha e saj Genta. Edhe modernen mund ta përcjellim përmes traditës ne vulën e saj të autenticitetit, pa iu dorëzuar industrisë. Dhe nëse e ke pasionin e duhur për ta bërë këtë, nga duart do të dalin veçse vepra arti.

Ditë e net mbi tezgjah e me gjilpërë në dorë për të endur e qëndisur dashurinë e që vajza e shtëpisë të nusëronte si një zanë. Rezultati? Një fustan I mrekullueshëm nusërie. Mendoni pak lumturinë e nanës kur vajza gjithë nur shkon drejt altarit me rrobat që ajo vetë e nana e saj kanë endur me fillin e mëndafshtë të dashurisë.

E nesër, ku i dihet, e pse jo, edhe vajza e Françeskës mund të shkojë drejt altarit me të njëjtin fustan, që stërgjyshja dhe gjyshja e saj endën dikur bashkë me ëndrrat e mamit nuse.

Colors of Zadrima  

Made in Albania