Experience Gjirokastra! Ftesa që nuk duhet t`ua bëjmë më vetëm të huajve por edhe shqiptarëve

May 7, 2021 || views

E dimë se nuk po ju ofrojmë ndonjë destinacion të ri kur ju sugjerojmë të vizitoni Gjirokastrën. Sepse qyteti është i gjithi një muze i madh dhe mjaft që të bësh një shëtitje në Pazar apo hyrje në Kala dhe ke kaluar disa orë të plota në zbulim të hireve tij.
Por sot, hap pas hapi, me zhvillimin e turizmit dhe sidomos shtimin e vizitorëve të huaj, oferta turistike e Gjirokastrës ka ndryshuar nga “çfarë të shohësh”, në “çfarë të bësh”. Nuk mjafton më vetëm të shëtisësh por duhet të përjetosh diçka të veçantë, që nuk e gjen në një qytet tjetër. Fjala vjen, të pish një kafe me dylbi në ndonjë pikë të lartë, (te Kërculla resort për shembull) për t`u ndjerë si personazh i Kadaresë. Ose të pjekësh një kafe të bluar në gur bashkë me Elin e Lubin, në rrugën e Zejtarëve. Ose të qëndosësh bashkë me Buqen në makrame shqiponjën e flamurit. Ose të veshësh një kostum popullor tek “Studio Dashi”, dhe përveç kujtimeve të bukura, të bësh edhe një xhiro me kostumin veshur, sokakëve të Pazarit.

 

Prandaj dhe ftesën në këtë numër e kemi titulluar “Experience Gjirokastra”, sepse tashmë qyteti nuk duhet thjesht vizituar por përjetuar.
Por edhe për një arsye tjetër. Sepse në qendër të qytetit, në Sheshin e Çerçizit, ju pret një zyrë informacioni e cila pikërisht nën këtë moto “Experience Gjirokastra”, ju ofron me dhjetëra ture brenda e jashtë Gjirokastrës, ku ju mund të shkoni përtej një vizite të thjeshtë e të shijoni gjer në fund nektarin e këtij qyteti të magjishëm, përmes përvojës tuaj. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë, duke filluar që nga turet në qytet, ku mund të vizitoni punishtet e artizanatit, të kërkoni dhurata të personalizuara në gur, dru, qëndisma e punime dore, madje t`i përgatisni vetë këto punime e t`i merrni me vete, ose të gatuani vetë, me ndihmën e shefave të restoranteve tradicionale.

 

Përveç vizitës nëpër shtëpitë – muze që Gjirokastra i ka me shumicë, ju mund të vizitoni atelietë e artizanëve, ku pregatiten punimet e dorës, kostumet gjirokastrite, por mund të jeni të pranishëm edhe në përjetimin e riteve të jetës së dikurshme që improvizohen përmes procese të përditshmërsië, si përgatitja e ushqimit apo punët e ndryshme. (shih më shumë në rubrikën “Made in Albania”).

Gjithashtu djemtë e “Experience Gjirokastra” ju ndihmojnë të njhni një pjesë të qytetit që ndoshta nuk keni patur rastin ta prekni më parë, siç janë fshatrat e saj të pasur me histori. Qindra monumente të periudhës së Mesjetës së herët e të vonë nëpër fshatrat karakteristikë si ura, hane, kisha e teqe, presin vetëm që ju të zbuloni historitë e tyre. Edhe pse jua kemi ofruar plot herë zonat jashtë Gjirokastrës, ka gjithmonë për të parë e zbuluar vazhdimisht. Prandaj një prej këtyre tureve që do t`ju ofrojmë, është pikërisht ai i Zagorisë, që ju njeh me kishat e zonës, urat mesjetare por sidomos me mikpritjen mbresëlënëse të atyre banorëve.
Sepse tashmë Gjirokastrën nuk duhet vetëm ta shihni por edhe ta ndjeni.

Ndiqni artikujt e Travel Magazine dhe turet e Experience Gjirokastra!

Info: në qendër të qytetit, në Sheshin e Çerçizit, ju pret një zyrë informacioni e cila pikërisht nën këtë moto “Experience Gjirokastra”, ju ofron me dhjetëra ture brenda e jashtë Gjirokastrës.
Blini një tur sapo zbrisni në qytet dhe përjetoni një Gjirokastër ndryshe!

www.experiencegjirokastra.com
[email protected]
+355692251589; +35584250068