Është koha t`u japim “ZA” festave!

September 29, 2021 || views

Flora Xhemani Baba

(Ky artikull u shkrua ndërkohë që po zhvillohej festivali “ZA Fest”).

Turizmi i eventeve është një zë i fuqishëm në botë, duke ndikuar shpeshherë drejtpërdrejt në buxhetin e një vendi. Pa folur për sportin, kampionatet botërore e kontinentale, për të cilat shteti fatlum organizator ndërton enkas stadiume, qendra sportive e rezidenciale, e deri edhe qytete të reja, sepse e di që prurjet e një muaji të vetëm do të kthejnë mbrapsht gjithë investimin e bërë, le të ndalemi pak tek festat. Festa e festivale të të gjitha llojeve, si Karnavalet e Rios, të Venecias, Festivalet e Birrës në Gjermani, festivalet e muzikës moderne apo festivalet e filmave e teatrove kudo në botë “ngrenë në këmbë” gjithë ekonominë e një vendi, i cili përgatitet gjithë vitin për atë javë apo ato dhjetë ditë sa zgjat festivali.
Dhe le të hyjmë në Shqipëri, ku për fat të mirë (edhe pse me plot efekte “anësore”), kanë zënë vend tashmë disa festa e festivale, që kanë plot premisa ta “ngrenë në këmbë” ekonominë e vendit.
Korça për shembull ia ka dalë që Festën e Birrës ta “ndërkombëtarizojë”, duke i siguruar qytetit më shumë se një javë të prenotuar 100%, buxheti i të cilës vlen sa për një muaj.
UNUM Festival në Shëngjin për pesë ditë gjeneron të ardhura për një muaj ende të brishtë si qershori, edhe pse përbërja e pjesëmarrësve, kryesisht të rinj të huaj ka shkaktuar debate pro dhe kundra mes komunitetit të turizmit.
KALA Festival dhe “Sunny Hill” në Dhërmi, gjithashtu japin efekte të drejtpërdrejta, sidomos KALA që zhvillohet po në qershor, edhe pse ndjekur nga të njëjtat debate si UNUM për dobinë ose dëmin e tyre.
“ZA” Fest, prej pesë vjetësh tashmë, i jep jetë Thethit, edhe pse verës Thethi nuk ka nevojë për ndihmë se jeton vetë. Por prania e artit të vërtetë në një destinacion që vizitohet kryesisht për natyrën, është një ndërthurje mjaft e bukur.

Pra, me pak fjalë ka ardhur koha t`u japim “ZA” festave. Dhe kur themi “ZA” e kemi fjalën që shteti të marrë burinë e t`i bjerë jashtë kufijve të Shqipërisë, për të thirrur të huajt që të vijë e të festojnë me ne në të gjitha këto “sebepe”, se vetë kemi tashmë kaq vjet që i festojmë.

“Miss Bjeshka, edhe pse po mbushet gati çerek shekulli që zhvillohet, nuk e ka pasur “një dorë” prezantimi nga ministria apo “lobe” të ndryshme artistike se me atë karakter thellësisht kulturor që ka, do kishte mbledhur pa dyshim shumë turistë të huaj, që do planifikonin në këtë periudhë enkas për në Predelec.
South Outdoor Festival sivjet ka vitin e pestë të zhvillimit, po të mos llogarisim boshllëkun e pandemisë. I nisur në Pilur, i vazhduar në Vuno, me dëshirën dhe qëllimin për njohjen e fshatrave të Jugut, ka gjetur hapësirën e nevojshme për zhvillim në Borsh dhe gjasat janë që të mbetet aty si qendër feste, për t`u shtrirë në të gjithë Jugun me ture e aktivitete përgjatë tre-katër ditëve të zhvillimit të tij. Një festival krejtësisht i veçantë në llojin e tij që dalngadalë po gjen shtratin për t`u kthyer në “brand” të padiskutueshëm, falë të cilit po njihen një sërë fshatrash krejtësisht të pazbuluar të jugut të Shqipërisë.

 


Festivali i Butrintit prej dy dekadash tashmë i ka dhënë jetës skenës ku dikur luheshin teatrot antike, e, edhe pse në numra nuk është ndonjë ndikues i madh në Butrintitn e shumëvizituar, i jep atij një tis aristokratik që vetëm një art si teatri ka privilegjin ta ketë.

 


Festivali Folklorik në Gjirokastër, edhe pse vetë zhvillohet një herë në katër vjet “ka lindur” plot festa e festivale më të vogla, të shpërndara nëpër Gjirokastër e rrethina si “Çeço Fest”, “Divani Lunxhiot”, “Traku Fest” dikur e plot “Retro” që gjallërojnë herë pas here Gjirokastrën.
Pra, me pak fjalë ka ardhur koha t`u japim “ZA” festave. Dhe kur themi “ZA” e kemi fjalën që shteti të marrë burinë e t`i bjerë jashtë kufijve të Shqipërisë, për të thirrur të huajt që të vijë e të festojnë me ne në të gjitha këto “sebepe”, se vetë kemi tashmë kaq vjet që i festojmë.