Është koha e tureve të verës dhe ullirit! Bëni një xhiro në fshat!

October 12, 2020 || views

Diku vilet rrushi, diku nxirret vera, diku zihet rakia e diku tjetër po shtrydhen ullinjtë për vajin e ri. Fshati, me gjithë njëmijë hallet që ka, është thuajse në një periudhë feste. Nuk ka kohë më të bukur se vjeshta për të shkuar e për të shijuar fshatin. Kudo pikojnë frutat e pjekura, amvisat pregatisin zahiretë e dimrit, gardheve varen kungujt e tharë, nëpër verandat e shtëpive skuqin fjongot me speca, vargjet me duhan, nëpër rrjetat e hapura thahen perimet e fundit, oborreve ngrihet përpjetë tymi i zjarreve ku kazanët e rakisë po avullojnë ende dhe poshtë tyre piqen misrat…

 

Mbrëmjeve tufat e bagëtive hyjnë fshat duke tringëllitur lodhëshëm por gëzueshëm këmborat, njerëzit përshëndesin njëri-tjetrin duke e pyetur për prodhimin nëse ka dalë, i mbarë apo jo e paçka se nuk po jetojmë një kohë të mirë, shtëllunga gazmendi enden në ajrin e ngopur me aroma e shije vjeshte.

Nëse ekonomia e vogël prodhuese do të mbështetej me skema subvencionesh dhe politika nxitëse, të gjitha zonat rurale të Shqipërisë do të siguronin një jetesë në mesataren e pranueshme e jo në kufijtë e mbijetesës ku janë sot.

Por ndërkohë ju mund t’i ndihmoni me vizitat tuaja ku edhe vetë pasuroheni edhe ekonomia e tyre lëviz. Dhe kur themi bëni një xhiro në fshat, nuk e kemi fjalën për një restorant jashtë qytetit ku mund të uleni të hani një drekë por të shkoni atje, të takoni njerëzit e punës, të zbuloni historitë e tyre, shpirtin bardhë e të shijoni punën e këtyre njerëzve duarartë.