Erdhi më në fund dita! Krijohet Shoqata Shqiptare e Agroturizmit!

March 18, 2022 || views

Agroturizmi ka kohë që është kthyer në kryefjalën e turizmit në Shqipëri. Themi në Shqipëri se në botë po e po. Edhe pse prurjet më të mëdha në ekonomi nga sektori turistik vijnë prej bregdetit apo turizmit masiv, ai nuk është një sektor që e lidh Shqipërinë në mënyrë aq organike sa agroturizmi. Kjo sepse turizmi bregdetar është i përqendruar vetëm në një rrip të ngjeshur përgjatë Ultësirës Perëndimore, duke ushqyer me mirëqenie vetëm qytetet përkatëse, ndërkohë që agroturizmi është një rrjet i imët kapilar që “injekton” mirëqenie në zonat më të varfra të Shqipërisë, që janë ato rurale, deri në fshatrat më të largëta e pa infrastrukturë rrugore.

 

 

Agroturizmi gjithashtu ka edhe plot tipare të tjera të vyera, që e bëjnë të jetë as më pak e as më shumë por e ardhmja e turizmit të qëndrueshëm në botë. Ai është i lidhur fort me bujqësinë, që është sektori më jetik e më i madh në Shqipëri, është një respektues i madh i mjedisit, një mësues i shkëlqyer i dashurisë për tokën dhe natyrën, një vitrinë muzeale e gjallë, ku ekspozohet e gjithë trashëgimia jonë kulturore dhe materiale, tryeza e gastronomisë autentike shqiptare, dhe, dhe, dhe, mbi të gjitha, është dashuria e madhe e turistëve të huaj në mbarë botën, që në dekadën e fundit janë të etur për përvojat lokale, jetën mes vendasve, ushqimin e thjeshtë e natyral dhe jetën në fermë a në natyrë.

Prandaj gjithçka që ndodh në të mirë të agroturizmit, e presim me gëzim dhe e përcjellim me dëshirë të madhe, duke qenë edhe vetë kontribues të pakursyer në promovimin e tij të vazhdueshëm me të gjitha mënyrat.

Kështu u gëzuam edhe kur mësuam për themelimin e Shoqatës së Agroturizmit Shqiptar, një përfaqësi zyrtare tashmë e këtij sektori, ndërmarrë nga 71 njësi ekzistuese agroturistike dhe mbështetur nga GIZ-I, ky kontribues i palodhur i qeverisë gjermane, ne ndihmë të zonave rurale të Shqipërisë dhe jo vetëm të tyre.

 

Më poshtë po ju përcjellim komunikatën që kjo shoqatë përcolli si një përshëndetje të parë me publikun shqiptar.

I urojmë mirëseardhjen dhe suksese nga Revista Travel!

 

Komunikatë për Shtyp – Shoqata e Agroturizmit – Shqipëri

Themelimi i Shoqatës së Agroturizmit – Shqipëri

Ndryshimet e vazhdueshme të sektorit buqësor kërkojnë që fermerët tanë të përshtaten me realitetet e reja dhe të përqafojnë strategji alternative për t’i mbajtur fermat e tyre të qëndrueshme. Diversifikimi i fermave është kthyer në një strategji për fermat tona duke u shndërruar në njësi agoturistike model.

Sot agroturizmi shikohet si mënyra alternative më efikase për të përdorur burimet e fermave dhe gjeneruar të ardhurat shtesë, rritur punësimin e të rinjve, sot agroturizmi është kthyer në një trend për të rinjtë që duan bujqësinë.

 

 

Në situatat ku sfidat janë komplekse dhe kërkojnë një përgjigje ndër/ose multi-organizative, kërkohet bashkëpunim.  Rrjeti është një sistem ndërveprimi midis aktorëve të ndryshëm me synim shkëmbimin e burimeve, informacioneve, aktiviteteve dhe mbështetje të ndërsjella në rritjen e kapaciteteve me përfitime reciproke.

Iniciativa më e fundit e ndërmarrë nga 71 sipërmarrjet agroturistike nuk është thjesht një shoqatë, por është një Rrjetëzim, që përfshin partnerë ndërveprues, partnerë mbështetës, ku në qendër të së cilës qëndron bërthama “Shoqata e Agroturizmit –Shqipëri”.

Qëllimi kryesor i shoqatës është rritja e industrisë së agroturizmit, nëpërmjet ngritjes së kapaciteve njerëzore dhe transferimit të njohurive, marketingut, vendosjes së standardeve, rritjen e të ardhurave për të ofruar një kontributit social-ekonomik-arsimor.

 

 

Veprimtaria që shoqata mbulon është advokimi i interesave të njësive agroturizëm, lobimi, promovimi, dhe forcimi i imazhit të Shqipërisë Agroturistike.

Të qenit të gjithë bashkë në një bosht na forcon, e duke qenë të forte, ne synojmë të jemi faktor në zhvillmin e zonave rurale, krijimin e një profili të vetëm të agroturizmit në Shqipëri. Ne duam të vendosim identitet, të udhëhiqemi nga parimet e agroturizmit, toka, autenticiteti, tradita, kultura, natyra, rrënjët tona.

Sapo kemi mbyllur me dinjitet një proçes shumë të rëndësishëm të zgjedhjes së organeve drejtuese të shoqatës, ku udhëheqësit janë të rinj, sipërmarrës të suksesshëm të njësive agroturistike, të cilët kanë një vizion të qartë.

 

 

Shoqata drejtohet nga Kryetari Z. Flori Uka dhe Bordi Drejtues Znj. Jonida Hëna, Znj. Elona Bejo, Z. Altin Prenga, Z. Fatmir Ndoj, Z, Rigers Kaçorri.

Shoqata udhëhiqet nga një plan konkret operacional, propropozime që prekin aspekte ligjore, fiskale, promovimin, propozime për bashkë-vendimmarrje (qeverisje) dhe projekte që vinë në ndihmë njësive agroturistike.

Kjo iniciative e nisur nga nismëtarët në rradhët tona, ka gjetur mbështetje nga Qeveria Gjermane, projekti SRD, ekspertë të fushës, partnerë insitucuionalë me të cilët bashkëpunimi do të i vazhdueshëm.

Së shpejti në Ditën Ndërkombëtare të Agroturizmit 16 Maj, shoqata po me mbështetje nga GIZ do të organizojë eventin e parë, më të madh në vend kushtuar këtij sektori, “industrisë me potencial të jashtëzakonshme, si një ndër resurset e vetme dhe më të rëndësishme që i ka mbetur vendit tonë” shprehet, Kryetari i Shoqatës së Agroturizmit Shqipëri, sipërmarresi më i ri, origjina e të cilit është “Toka Mëmë, Ferma e tij”.

Për të mesuar më shumë për sipërmarrjet e shoqatës, tashmë ka një website i cili është dhe në formatin aplikacion (AgroTime AL) tek e cili do të gjeni Shqipërinë e vërtetë rurale, si informacione të aktiviteteve në vazhdim që shoqata do të ndërmarrë.

Faleminderit të gjithëve!

#Koha për Agroturizëm!

#Koha për Bashkëpunim!

Na ndiqni:

 

www.agrotourism.gov.al

FB: Shoqata Agroturizmit – Shqipëri

Instagram: shoqata_agroturizmit

LInked In: Agritourism Association-Albania