Dyfishohen turistët në Shkodër, Kalaja e Rozafës më e frekuentuara

February 8, 2023 || views

Priami është nga Kanadaja dhe prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri. Më parë në Tiranë, ndërsa tani në Shkodër. Priami rrëfen se Shqipëria po i pëlqen shumë dhe po mendon ta zgjasë vizitën e tij. Pamja e Kalasë Rozafa e ka magjepsur.

 

“Kam ardhur të eksploroj Shqipërinë, kam 11 ditë këtu dhe po më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Njërëzit janë shumë miqësor, më pëlqen kultura dhe ushqimi, pastërtia e ajrit si dhe natyra. Kalaja më pëlqeu shumë, nuk e mendova të ishte kaq e madhe”, tha Priam Hutchinson.

Ndriçim Mlika historian në muzeu e kalasë tregon se ka pasur një trend shumë të kënaqshëm turistësh ndërsa na njeh dhe me një nga elementët më të rëndësishëm historik që mund të gjejmë në muze.

“Këtu është kopja e një mbishkrimi e shekullit të katërt pas krishtit i cili gjendet në kala . Në komplet rajonin e Shkodrës janë vetëm 13 mbishkrime në latinisht”, tha Mlika.

Viti që lamë pas shënoi një dyfishim të numrit të turistëve në krahasim më vitin 2021 ndërsa rreth 20 mijë më shumë se viti krahasues para pandemisë(2019)

“Viti 2022 ka shënuar një vit mjaft të suksesshëm sa i takon vizitueshmëriaë së Kalasë “Rofaza” ku ne kemi shënuar një numër prej rreth 94240 vizitorësh gjatë vitit 2022 dhe nëse do e krahasojmë me vitin 2021 kemi një dyfishim të vizitueshmërisë”, deklaron DRTK Shkodër.

Kryeqëndra e veriut ka mbyllur një vit tejet të suksesshëm sa i takon turizmit historik ndërsa kalaja “Rozafa” mban vendin e parë për nga vizitueshmëria.