David`s been here! And he loves Albania! Kush është amerikani që krijoi një fermë breshkash në Shqipëri

November 4, 2020 || views

Intervistoi: Flora Xhemani Baba

Ai ka vizituar edhe 77 vende të tjera nëpër botë por ra në dashuri me Shqipërinë. Kështu tha. Në të gjithë listën e gjatë, Shqipëria zuri vend menjëherë në “Top Five” e, në krye të gjërave më të mira që gjeti tek ne, ishte ushqimi. Dhe ne e besojmë, sepse gjatë dy javëve të qëndrimit tij në Shqipëri, vendet që evidentoi më shumë ishin fermat me ushqim natyral e organik dhe kantinat. E përveç kësaj, nga kjo përvojë dyjavore lindi një marrëdhënie e ngushtë me shokun e tij të udhëtimit, me të cilin themeluan një sipërmarrje krejt të veçantë; një fermë breshkash, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri. Po kush është David Hoffmann, djali nga Miami, që udhëtoi në mes të pandemisë drejt një vendi të vogël e të panjohur, vetëm e vetëm sepse nuk kishte kufizime dhe ra në dashuri me bukuritë e tij?

Ai na ka zbuluar shumëçka në intervistën e mëposhtme:

Kur keni dëgjuar për Shqipërinë së pari?

Për herë të parë kam dëgjuar për Shqipërinë shumë kohë më parë. Kam mësuar shumë për të në fillim të karrierës sime, gjatë udhëtimit tim të parë në Ballkan në 2008-ën. Gjatë këtij udhëtimi, vizitova Malin e Zi dhe shkova në Virpazar, i cili është afër kufirit verior të Shqipërisë. Mësova se kishte shumë keqkuptime për vendin, por gjithashtu e dija që shumë shqiptarë flisnin italisht, gjë që ishte shumë mirë për mua pasi e flas rrjeshshëm italishten.

Kur ishte udhëtimi juaj i parë në Shqipëri dhe sa zgjati?

Unë kam eksploruar disa vende shumë afër Shqipërisë në të kaluarën, por udhëtimi im i parë në Shqipëri ishte në gusht të vitit 2020. Kam kaluar 14 ditë në një udhëtim të pabesueshëm ku përshkova gati të gjithë vendin. Të vetmet pika kryesore që më shpëtuan këtë herë,ishin Valbona dhe Liqeni i Komanit. Ishte një përvojë kaq unike, e larmishme dhe që të ndryshonte jetën dhe unë jam aq i ngazëllyer që do të kthehem!

Çfarë ju pëlqeu më shumë kur vutë këmbën në Shqipëri?

Unë dashurova çdo kafshatë që hëngra në Shqipëri. Përvoja e ushqimit “nga ferma në tryezë” (from farm to table), që pata në Shqipëri ishte pa frikë më e pabesueshmja që kam përjetuar ndonjëherë. Praktikisht, çdo vend që kam vizituar – qoftë restorant, hotel, shtëpi pritëse  – furnizohet me mish dhe prodhime të freskëta nga një fermë lokale. Është e pabesueshme se si me të vërtetë mund të shijosh ushqim cilësor në Shqipëri. Dhe fermat e agroturizmit në Shqipëri nuk kanë të dytë. Unë shijova disa nga ushqimet më të hatashme të jetës sime atje. Dhe, sigurisht, unë e dashuroj popullin shqiptar. Të gjithë ishin kaq të mirë dhe të ngrohtë dhe më pritën krahëhapur. Është e vështirë ta konkurosh mikpritjen që do të gjesh në Ballkan!

Sa vende të tjera keni vizituar deri më tani dhe ku është Shqipëria në listën tuaj?

Shqipëria është vendi i 78-të që kam vizituar në të gjithë jetën time, por për sa i përket përvojave, padyshim që është në pesë vendet e mia të para. Kjo përfshin vendet e bukura dhe interesante për t`u vizituar, mikpritjen, ushqimin, historinë, kulturën. Siç e përmenda më herët, vendi është kaq i larmishëm. Mund t`i gjesh plazhet, fermat, malet, liqenet, lumenjtë … të gjitha në një dorë. Dhe pastaj keni gjithçka, që nga vera e rakia e deri tek rronojat antike apo urat osmane. Ka shumë për të gjithë në Shqipëri, për çdo lloj i udhëtari dhe kjo është e bukura e këtij vendi.

Pse e doni vendin tonë?

Arsyeja kryesore pse unë e dua Shqipërinë është sepse ajo ka gjithçka që një udhëtar mund të dëshirojë. Nëse ju pëlqen të eksploroni në nëtyrë, mund të ngjiteni nëpër në male, mund të shëtisni nëpër pyje pyje dhe mund të shikoni ujëvara të bukura. Nëse jeni më shumë tek ushqimi, mund të shijoni pjata pa fund dhe çfarë të shijuari! Gjen gjithçka, nga prodhimet e freskëta deri tek prodhimet e detit, nga pjatat e bollshme me ushqime të shëndetshme bjeshkësh, që janë të pasura me mish qengji dhe mish derri por ne nuk mund të harrojmë verën shqiptare dhe të gjitha llojet e ndryshme të rakisë. Dhe nëse historia është pasioni juaj, ka kaq shumë kështjella, vende mesjetare, ura osmane dhe rrënoja antike në të gjithë vendin. Dhe është super e përballueshme për t`u eksploruar!

 

Shumë turistë të huaj kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri, pasi e kanë vizituar atë. Po ti?

Epo, unë kam dy vajza të reja që vendosa t’i rris në shtëpinë e tyre në Miami, në mënyrë që ato të jenë pranë gjyshërve dhe kushërinjve të tyre, por unë patjetër që do të ndërmarr ca aktivitete biznesi në Shqipëri në një moment të caktuar. Kështu që, unë nuk do të jetoj atje, por do të kthehem me siguri. Pas vetëm një vizite, është e lehtë të kuptosh se pse kaq shumë të huaj vendosin të jetojnë atje. Mikpritja është e jashtëzakonshme, dhe siç thashë më parë, është një vend kaq i përballueshëm për të jetuar.

Sipas jush si një turist i zakonshëm, cila është gjëja më e keqe që keni shënuar në ditarin tuaj?

Sinqerisht, nuk kam pasur ndonjë përvojë të keqe në Shqipëri. Gjithçka ishte perfekte, kështu që nuk mund të zgjedh vërtet një gjë “më të keqe”. Nuk mund ta them këtë për çdo vend që kam vizituar. Shqipëria ishte vërtet e veçantë dhe çdo përvojë që përjetova ishte e mahnitshme në mënyrën e vet.

Më i miri?

Gjëja më e mirë që vura re ishte mikpritja. Kudo ku shkova, nga veriu, në pjesën qendrore të vendit, në jug, të gjithë më përqafuan krahëhapur. Ata ishin të gjithë kaq të mirë dhe gjithmonë më bënin të ndihesha si në shtëpinë time. Njerëzit në Shqipëri janë të mrekullueshëm dhe u pëlqen shumë kur të huajt shijojnë vendin e tyre.

 

Çfarë është ky projekt i ri i breshkave?

Jam shumë i ngazëllyer të flas për këtë! Sa mirë që më pyetët! Atëherë, për gjysmën e dytë të udhëtimit tim shqiptar, udhërrëfyesi  im ishte Erjan Guxha nga Travel Media EU. Unë dhe ai u miqësuam menjëherë dhe në fund të udhëtimit tim, ne ishim si vëllezër. Ditën time të fundit në Shqipëri, ai më çoi në fermën e familjes së tij jashtë Tiranës dhe ne krijuam idenë e Turtle Farm Albania, “faltorja” e parë e breshkave në vend. Ne pamë që shumë breshka të llojit “Hermann” kalonin nëpër rrugë të ngarkuara plot me trafik në Shqipëri. Disa prej tyre vriten dhe shumë prej tyre lëndohen, kështu që ne vendosëm të krijojmë një strehë ku breshkat shqiptare mund të kenë një vend të sigurt për të jetuar, larg makinave dhe rrugëve të ngarkuara. Pra, ne mbledhim breshka nëpër të gjitha rrugët e Shqipërisë dhe i sjellim ato në fermë.

Ne u ofrojmë mysafirëve tanë përvoja të të ushqyerit të breshkave, si dhe përvoja autentike shqiptare “from farm to table”, ku njerëzit mund të zgjedhin vetë, frutat dhe perimet e tyre, të shijojnë raki dhe verë si dhe kafe, të drekojnë dhe madje të kalojnë një darkë të mrekullueshme në perëndim të diellit jashtë në natyrë. Kushdo që dëshiron të rezervojë një vizitë mund të na drejtohet në Instagram në @turtle_farm_albania. Thjesht na njoftoni një ditë më parë dhe ne do të organizojmë çdo përvojë që dëshironi ju.

Pse breshka dhe jo ndonjë kafshë tjetër?

Pyetje e mirë! Breshkat kanë qenë pjesë e jetës time që kur isha djalë i ri. Ato janë disa nga kafshët më të lashta në planet dhe datojnë që nga koha e dinosaurëve. Ato janë gjithashtu kafshë shtëpiake të lehta për tu mbajtur. Ato thjesht kanë nevojë për ujë, ushqim, rrezet e diellit dhe një mjedis të sigurt. Unë kam disa prej tyre në shtëpinë time në  Miami. E gjithë familja ime i do breshkat. Pasja e tyre është një mënyrë e shkëlqyeshme për t’i mësuar vajzat e mia të respektojnë të gjitha krijesat e gjalla. Kështu që, unë kam qenë gjithmonë i dashuruar pas tyre. Unë madje kam një tatuazh guaskë breshke në shpatullën time! Kam marrë  kaq shumë breshka nga mesi i rrugës gjatë udhëtimit tim, dhe pasi pashë që askush nuk e kishte bërë këtë më parë, e kuptova se duhej të bëja diçka që të përpiqesha të shpëtoja sa më shumë.

 

Do të jetë një biznes në të ardhmen apo do të mbetet përgjithmonë një mision?

Është një vendim shpirtëtor dhe një mision por është gjithashtu një biznes. Padyshim, qëllimi ynë numër një është të ruajmë sigurinë dhe sigurinë e kafshëve që shpëtojmë dhe t’u japim atyre një shtëpi. Por ne gjithashtu sigurojmë një përvojë unike për vendasit dhe turistët, dhe shesim produktet tona, si raki, verë, reçel dhe produkte prej qeramike dhe breshka të bëra në fermë po me qeramikë. Por qëllimi ynë  kryesor është t’u tregojmë njerëzve se pse këto kafshë duhet të çmohen, të shpëtohen dhe të mos dëmtohen kurrë.

Shikoni më shumë për udhëtimin e David dhe shumë info të tjera:

www.davidsbeenhere.com 

@davidsbeenhere

https://www.youtube.com/user/Davidsbeenhere

@turtle_farm_albania